Policia ka shoqëruar edhe 5 protestues që bllokuan rrugën në Astir. Ndryshimet e reja në kodin penal, ku për bllokim të akseve rrugore dënohesh deri në 3 vite burg, kanë nisur implementimin mbi banorët e “Unazës së Re”.
Uniformat blu arrestuan mëngjesin e së enjtes (10 shtator) edhe 3 protestues të tjerë Ilir Katirajn, 51 vjeç, Gramoz Shehun, 54 vjeç dhe Skender Dodën, 56 vjeç.
Policia raportoi se tre banorët, së bashku me disa persona të tjerë u grumbulluan mbrëmjen e së mërkurës (9 shtator) në vende të kalimit publik në rrugën “Teodor Keko” në Zonën e Unazës së Re duke penguar qarkullimin e mjeteve të transportit rrugor.
Ata u arrestuan për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike” dhe Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.