Re si shtëllunga leshi që tëhollet me furka për të endur triko dhe çorape nga plaka veshur me të zeza larg në horizont. Shi me pika të rralla të mëdha dhe të rënda që bien me përtesë mbi pellgjet e oborrit. Një i pastrehë që sapo ka mbledhur kartonat mbi të cilat ka dremitur gjatë natës po rrufit një çaj të nxehtë që s’dihet me cilat pare e ka blerë apo cili zemërmirë ja ka dhuruar. Në rrugë kalimtarë mbështjellë me shalla që ecin me kujdes për të mos u ndotur nga cikrat e baltës që hedhin rrotat e makinave.
Shitësi i gazetave, një ish-oficer nostalgjik, po i sistemon mbi tezgë në një renditje sipas preferencave të tij, jo të blersave. Kafenetë plot me kohëbjerrësa që nuk kuptohet nëse me kalimin kohës po zbukurohen sepse po budallallepsen apo po budallallepsen sepse po zbukurohen. Vej’ e vijnë të rinj të heshtur. Të rinjve belbanë e shurdhanë po tu flasësh të shohin vëngërr, po i pyete pse nuk flasin, të kërcënojnë me ndonjë send për të ta hedhur kokës. Biçikleta të ndryshkura lidhur me zinxhirë të trashë pas shtyllash ose kangjellash.
Dyqanet plot me ushqime të këndëshme dhe të shijëshme që hahen me ëndje por treten me vështirsi, të bëjnë kaps, sidomos obez, ta shkurtojnë jetën me sëmundje të pashërueshme. Mollët, dhe në përgjithësi frutat, sa më të rrumbullakëta dhe të lëmuara, aq më të pështira. Në qiell nuk fluturojnë më zogj, vetëm aeroplana.
Nëpër degë nuk dëgjohen cicërrima, vetëm fëshfërima kur ndonjëherë fryn era. Përrua me ujë të pisët mespërmes qytetit. Ujrat e lumenjve nuk gurgullojnë më, Pasi vijnë nga malet, fryhen dhe struken rrëzë digave. Era nuk vallzon. Flladi nuk freskon. Me gjethet e rëna Poetët kanë mbaruar punë prej kohësh. Me to tani merret fshesari, i cili pasi i mbledh të vdekura nga trotuari, i vdes edhe një herë duke i hedhur në kazan. Shitësi i bulmetit duket si veremli. I veglave elektronike si skuth. Dyqanet e veshjeve ofrojnë skonto.
Por janë bosh. Brenda vetëm një shitëse pa bythë në brekë. Tregu më interesant ku bashkë me rrobat mund të gjesh edhe sëmundjet e përdoruesve të mëparshëm, është Gabi. Shqipen po e shkruajnë me treqint fjalë. Gazetat janë plot me analiza, komente, opinione, habere, por asgjë për tu lexuar. Vetëm për tu mahnitur se cilat rekorde kap mefshtësia e mendjes, mungesa e talentit, makutëria e fitimit. Televizionet plot me spektakle dhe banaqe nokturne që nuk shihen edhe po të jesh i paisur nga Zoti me durimin e derrit.
Librat mund të lexohen vetëm po të përdoren si somniferë pak para gjumit pas një ditë të lodhëshme, jo nga puna, nga ndejtja. Askush nuk mban ment vargje përmendësh. Jo sepse nuk ka memorje. Sepse kurrë nuk ka ditur. Kinematë janë bosh sepse filmat e kinemave nuk janë filma por këllira. Të merr malli të bësh një kompliment. Por nuk ke se cilës t’ja drejtosh.
Bota e femrave është shndrruar në një oqean me budallaqe. Edhe mund të martohesh, Por ngurron të bëhesh prind nga frika se mos pjellësh bastarda. Ke dëshirë të ikësh në ndonjë katund, ku ajri është i pastër, frutat të shijshme, qumështi pa hile, natyra e bukur, ende kanë mbetur ca pyje pa u prerë. Por nuk mundesh, sepse do jesh i vetëm dhe të duket vetja budalla. Dhe rri e mendohesh pse vallë të gjithë e kanë mendjen, sytë, veshët, zemrën, shpirtin, kah Roma, Milanua, Parisi, Londra, dhe askush nga katundet, por përgjigjen nuk e gjen dot kurrë. Beethovenin, Vagnerin, Verdin, Shopenin, i ka zëvendësuar tallavaja. Pushkinin nuk e lexojnë se është rus.
Tolstoin gjithashtu. Prusti është i vështirë. Balzaku grafoman. Të gjithë të shquarit e historisë së botës i ka zëvendësuar i forti i lagjes, që dihet pse hyn vazhdimisht në burg, por nuk merret vesh se si del. Mjeku, nëpunësi, gjyqtari, polici, të shohin nga xhepi. Partitë janë kthyer në biznese. Idealistët janë shndrruar në fanatikë që presin ndonjë kockë nga partitë. Politika është një kafaz budallenjsh. Kosovarët po marrin arratinë nga qeverisja katastrofike e “çlirimtarëve”. Për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën as që bëhet fjalë deri në shekullin e ardhshëm. Shoqërinë Civile e kanë zaptuar ca karaputana. Diplomacia është plot me fanatikë dhe nepotista.
Ekranet e vogla plot me soc-filma propagandistikë me partizanë trima, ballista pulëngrënësa, kulakë, diversanta. “Bujqësia çështje e të gjithë popullit” është zëvendësuar me “Mafia është zgjidhja”. Hidrauliku, elektriçisti, mekaniku, të rrjepin duke u hequr sikur ujin, korentin, motorrin, i kanë shpikur ata. Nuk blen dot asgjë po s’bëre pazar. Përveç supermerkateve, kuponin tatimor s’ta jep askush edhe sikur aeroplan të blesh. Shumica e studentëve që mbarojnë fakultetet s’kanë asnjë dyshim se qëndra e botës është kafeneja. Nuk kanë asnjë ide ku bie Darsia, ku buron Vjosa, cili ka qënë Kromuelli. Ama dinë se si të sajojnë me një rrjesht e gjysëm tekst një mijë kurthe në fejsbuk.
Meqënse e ardhja do kohë që të vijë, e kaluara është vjetëruar, e tashmja është infinitesimalisht e vogël, koha nuk është as flori, as bakër, as hekur, thjesht nuk ekziston. Përderisa zgjedhësit, pra Sovrani, nuk gabon kurrë, përgjegjësia është e gjitha dhe gjithmonë e të zgjedhurve që nuk mbajnë premtimet. Pas kësaj pabesie të të zgjedhurve, Sovrani është në drejtën e vet të plotë të mos ketë aspak durim për tu derdhur i tëri në shesh të shkatërrojë gjithçka. “Burrin” e zëvendësoi “Bashkëshorti”.
“Bashkëshortin” e zëvendësoi “Dashnori”. “Dashnorin” e zëvendësoi “Kurvari”. “Kurvarin” s’dihet kush do ta zëvendësojë. Pritet të çojmë në Bagdad një ambasador katolik. Po kërkohet një budist i përndjekur për ta çuar ambasador në Nepal. Irani do sjelli në Shqipëri një ambasador pagan. Shiu vazhdon. Rrëketë fryhen. Pellgjet mbushen. Baltrat ndotin. Dimri hyn e del sa herë i teket. Pranverën e kanë dënuar me burgim të përjetshëm. Vjeshta vjen e modifikuar genetikisht. Behari ose të djeg ose nuk ngroh aspak. Të rrish nuk ja vlen. Të ikësh nuk të bën zemra. Të kujtosh disa vargje të bukura ke frikë se çmendesh. Të bësh ndonjë punë për së mbari nuk mundesh.
Bravo,
je i papare
sakte
nje pende me sqime, shkrim i ralle per te perditshmet tona rutine.
blues-it vetem melodia i mungon:) ndoshta tallavaja nje forme e re e tij:(
Ja, mire I ke thene, morpo shume mire I ke thene te gjitha. Te gjitha te verteta.
Po c’vlere kane keto te thena? Mos valle ne nuk I dime shumicen e tyre?
Cila eshte zgjidhja? A na e thua dot dhe kush duhet te beje zgjidhjen?
Z. Ypi, Keni humbur dhe s’kam pare ndonji artikull ose kom. te shkruar nga ju. Ju lutem filloni te shkruani se ju jeni “ferneti” qe shoqeron kafen time ne mengjes: Just kidding! ju pershendes