I menjëhershëm ka qenë reagimi i zëdhënësit të Presidentit, Tedi Blushi ndaj ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka e cila tha se alarmi për termetet është fals, ndërsa i kërkoi Metës të dekretojë ligjin për “Mbrojtjen Civile”. Blushi shkruan me ironi se ‘zëdhënësja e re’ e sizmiologut grek Tselentis, bën mirë të informohet pasi ligji për Mbrojtjen Civile është dekretuar para afateve.
Statusi i plotë i Blushit:
Papagajtë nuk kanë nevojë për fakte dhe as për argumente, ata vetëm përsërisin veten çdo herë. Për ata që kanë dëgjuar sot “zëdhënësen” e re në Shqipëri të z.Tselentis, po u rikujtojmë shkrimet e publikuara në mediat ndërkombëtare dhe kombëtare që i gjeni në linkun më poshtë. Ndërsa për ligjin “Për Mbrojtjen Civile” bën mirë të jetë e informuar se është dekretuar para se të përfundojë afati!”
Më poshtë deklarata që ka bërë dje këshilltari për sigurinë, Bahri Shqiri:
Nisur nga:
1. Aktiviteti i shtuar sizmik regjistruar në Qarkun e Korçës dhe pasojat në dëm të qytetarëve;
2. Aktiviteti i shtuar sizmik në vendet fqinje Greqi dhe Itali;
3. Deklarimi publik i Drejtorit të Institutit Gjeodinamik të Greqisë, të pasqyruar gjerësisht në median ndërkombëtare dhe kombëtare, me zë dhe figurë;
4. Mungesa e përgjegjshmërisë së treguar nga institucionet përgjegjëse shtetërore për të trajtuar me seriozitetin e duhur këtë deklarim;
5. Fakti që fatkeqësitë natyrore përcaktohen si rrezik i nivelit të parë në strategjinë e Sigurisë Kombëtare;
6. Rekomandimet e dakordësuara në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, datë 16.05.2018 mbi: “Strategjitë sektoriale, paketën ligjore, strukturat, kapacitetet, bashkëpunimin ndërmjet institucioneve shtetërore, rajonale dhe organizatave ndërkombëtare në përballjen me emergjencat civile, si: përmbytjet, zjarret, tërmetet, rrëshqitjet, aksidentet teknologjike etj”;
Presidenti i Republikës i është drejtuar dje me një “Kërkesë për informacion” kryeministrit Edi Rama, zëvendëskryeministrit Erjon Braçe, në cilësinë e kryetarit të Komitetit të Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave, dhe ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, mbi kapacitetet dhe masat e parashikuara nga autoritetet qendrore dhe lokale për përballimin e fatkeqësive natyrore, me qëllim parandalimin e pasojave të mundshme në dëm të jetës së qytetarëve.
Për më tepër, duke patur parasysh:
1. Mungesën e përgjigjes së ministres së Mbrojtjes për takim institucional, lidhur me këtë çështje, në Institucionin e Presidentit të Republikës;
2. Krizën e rëndë institucionale që ka kapur vendin, përplasjen që ekziston mes institucioneve qendrore dhe lokale, që sjell si pasojë vështirësi në ushtrimin e kompetencave të organeve përgjegjëse;
Qëllimi i kësaj Kërkese ishte informimi mbi funksionalitetin e institucioneve të shtetit në shërbim të qytetarëve, me qëllim parandalimin dhe minimizimin e pasojave të mundshme në dëm të jetës së qytetarëve.
Njëkohësisht, duke patur parasysh që:
– Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 92, gërma “h” sanksionon se: Presidenti kërkon mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështje që kanë të bëjnë me detyrat e tyre;
– Ligji për emergjencat civile neni 5, pika 2, gërma “ç” sanksionon se:
2. Në ushtrimin e funksioneve të tij për këtë qëllim, Këshilli i Ministrave kryen këto detyra:
ç) Informon Presidentin dhe Kuvendin e Republikës së Shqipërisë për emergjencën civile, për pasojat që vijnë, si dhe për masat e marra për shmangien e saj;
Presidenti i Republikës në ushtrim të detyrës së Tij me përgjegjësi të plotë, ka ndjekur rrugën zyrtare të adresimit të këtij shqetësimi të bërë publik nga Drejtori i Institutit të Gjeodinamikës në Greqi, të pasqyruar gjerësisht në median ndërkombëtare dhe kombëtare.
Greqia nuk është vend fqinj me Zelandën e Re, por me Shqipërinë.
Është detyrë thelbësore e një sërë institucioneve zinxhir të shtetit shqiptar, të vlerësojnë dhe të marrin masat për riskun potencial të një fatkeqësie natyrore, që nuk është paralajmëruar nga Presidenti i Republikës.
Presidenti i Republikës ka kërkuar informacion dhe i ka inkurajuar institucionet shtetëtore që të trajtojnë me seriozitet shqetësimin e ngritur nga autoritetet zyrtare greke, me qëllim sigurimin e funksionimit sipas ligjit, të strukturave përgjegjëse shtetërore shqiptare për emergjencat civile.
Rrjedhja e menjëhershme në mediat “lëpirëse” të PPPd-ve të Kërkesës për Informacion të Presidentit të Republikës, me qëllim manipulimin e opinionit publik dhe shmangien e vëmendjes nga skandalet në rritje, dëshmon vetëm mungesën e respektit ndaj shtetit të së drejtës dhe bashkëpunimit të përgjegjshëm ndërinstitucional.
Vonesat dhe paaftësia e dëshmuar vetëm 2 muaj më parë në menaxhimin e pasojave të tërmetit në Korçë, e verifikuar jo vetëm nga këshilltarët e Presidentit, por dhe nga vetë banorët dhe mediat e pakapura, ishte dhe është e mjaftueshme që Presidenti të kërkojë marrjen e masave në kohë.
U kujtojmë kryeministrit dhe ministrave, se e kanë për detyrë në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, t’i përgjigjen me seriozitet të plotë Presidentit të Republikës mbi planin e masave në shërbim të qytetarëve.
Çdo nënvlerësim i ushtrimit të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të institucioneve të tjera do të shënohet me vëmendje në Institucionin e Presidentit.
Presidenti i Republikës garanton se askush nuk do ta ndalojë në ushtrimin e kompetencave të Tij kushtetuese, me përgjegjësi të plotë dhe të papërkulur në interesin më të mirë të funksionimit të shtetit, si dhe në mbrojtjen e interesit më të mirë qytetar, publik dhe kombëtar.
Më poshtë do të gjeni dhe disa nga shkrimet e publikuara në median ndërkombëtare dhe kombëtare mbi shqetësimin e shprehur nga Drejtori i Institutit të Gjeodinamikës në Greqi:
https://www.cnn.gr/news/ellada/story/185188/proeidopoiiseis-seismologon-gia-megalytero-seismo-stin-athina-anisyxia-gia-to-rigma-ton-alkyonidon
Εφιαλτική πρόβλεψη Τσελέντη! Περιμένουμε 30 φορές μεγαλύτερο σεισμό στην Αθήνα
https://www.newsbomb.gr/ellada/seismoi/story/999548/seismos-athina-energopoiithikan-rigmata-pithano-neo-isxyro-xtypima
http://www.ekathimerini.com/243064/article/ekathimerini/news/42-magnitude-earthquake-near-athens-is-aftershock-experts-say
https://www.ethnos.gr/ellada/51708_tselentis-perimenoyme-30-fores-megalytero-seismo-stin-athina-vid
https://abcnews.go.com/Technology/wireStory/greece-magnitude-42-aftershock-strikes-close-athens-64619465
A nuk ishin të gjitha këto media një burim shqetësimi i ligjshëm për Presidentin e Republikës, që të kërkonte në mënyrë zyrtare dhe konfidenciale informacion nga institucionet shtetërore për të gjitha masat e marra prej tyre, me qëllim parandalimin dhe minimizimin e pasojave të mundshme në dëm të jetës së qytetarëve nga një fatkeqësi natyrore?