Bota

Boateng: Kam qenë idiot, bleva tri makina luksoze brenda një dite






               Publikuar në : 18:31 - 12/09/19 |
mapo.al

Kevin-Prince Boateng thotë se bleu tri makina luksoze brenda një dite të vetme, në një përpjekje për të blerë kështu lumturinë. Ai e bëri këtë gjatë kohës që ishte pjesë e Tottenham. Mesfushori, tani në radhët e Fiorentinës, kaloi dy vite në veri të Londrës, para se të huazohej te Borussia Dortmund dhe më pas te Portsmouth.


32-vjeçari luajti vetëm 14 ndeshje me “Spurs” dhe zbuloi shkakun përse dështoi në këtë eksperiencë: “Isha një idiot, doja të jetoja si mbret”.

Në një intervistë për “La Repubblica”, ai zbuloi arsyet pse nuk la shenjë te Tottenham: “Unë nuk e trajtova futbollin si punë, isha idiot. Kam pasur talent, por jam trajnuar minimumi një orë në fushë. Isha i fundit që mbërrija në stërvitje dhe i pari që largohesha që aty. Doja të isha me miqtë. Kisha para, jetoja si mbret, kurrë nuk ushtrohesha ekstra në palestër. Kjo e kushtëzon karrierën tuaj të mëvonshme.

Bleva tri vetura në një ditë, kur isha te Tottenham: një Lamborghini, një Hummer dhe një Cadillac. Për të rinjtë kam një këshillë, duke gjykuar mbi përvojën time: Ju nuk mund të blini kurrë lumturinë. Unë nuk luaja, kisha probleme familjare, isha jashtë skuadrës. Po e kërkoja lumturinë në gjërat materiale. Një makinë të bën të lumtur për një javë. Unë bleva tri makina brenda ditës për të qenë i lumtur tri javë”.

Karriera e ka parë Boateng të luajë për 12 klube të ndryshme, por po mundohet të ringjallet në vitet e fundit. Pas eksperiencave te Las Palmas dhe Sassuolo, ai pati një huazim të befasishëm te Barcelona në janar. Më pas u bashkua me Fiorentinën këtë verë. Karriera e tij nuk ka qenë pa polemika. Ai u largua nga Schalke në vitin 2015 për sjellje të keqe, sepse u kap duke pirë duhan dhe duke bërë zhurmë. Në vitin 2012 u pretendua se ishte dëmtuar për shkak të seksit të tepërt me gruan, Melissa Satta. Ajo besohej se kishte thënë: “Boateng është gjithmonë i dëmtuar, sepse bëjmë marrëdhënie seksuale shtatë deri në dhjetë herë në javë”.

/TS/


Etiketa: , , , ,

Pas