Pas 34 minutash lojë të ndeshjes së djeshme në Champions League mes Bajernit dhe Realit, Boateng ka ndjerë dhimbje dhe ka lënë fushën. Bëhet fjalë për një tërheqje. “Jam optimist për rikuperimin e Robenit, – tha dje Hejnckes, – por më shqetëson problemi muskulor i Boateng”.
Edhe sot gjendja e mbrojtësit është dukur e vështirë dhe ai rrezikon të qëndrojë 6 javë jashtë fushe. Ka humbur ndeshjen e kthimit me Realin, por ka dyshime edhe për Botërorin e Rusisë. Trajneri Lëv do të bëjë gjithçka për ta pasur me vete në Rusi, por problem është dëmtimi i zakonshëm i tij.
Vitin e kaluar qëndroi jashtë nga maji në shtator për të njëjtin dëmtim, ashtu si dhe në 2016-ën, kur mungoi 3 muaj për dëmtim muskulor.
Gjermania do ta luajë ndeshjen e parë në Rusi më 17 qershor, kundër Meksikës. Ndeshja e djeshme mund të ketë qenë e fundit me Bajernin për mbrojtësin e qendrës, i cili verën e kaluar u konfrontua me drejtuesit e klubit bavarez. Nuk ishte i sigurt për qëndrimin. /Vipsport.al