Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është përgjigjur sot nga Gjirokastra kërkesës së sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Taulant Balla për të hequr nga lista e kandidatëve për deputetë Luciano Boçin, fill pas përleshjes fizike me sipërmarrësin Gjergj Luca në Elbasan.
Në një intervistë për ABC, Basha tha se Rama e ka mbushur parlamentin me kriminelë dhe nuk ka moral që në sajë të socialistit Balla të shtrojë kërkesa të tilla.
“Edi Rama e ka mbushur parlamentin me kriminelë dhe thotë që ata janë viktimat të krimit. Ata i futën kriminelët në parlament. Ne kërkuam vettingun e politikanëve. Nuk ka moral Edi Rama të më kërkojë mua diçka që është standard, që unë e kam vendosur.
Unë kam tërhequr edhe kandidatë. Standardi i Edi Ramës është i qartë. Dhuna dhe banda që shoqëronte Edi Ramën…ai është Edi Rama. Ata biznesmenë që duan të punojnë me djersën e ballit e kuptojnë që aleanca me krimin vetëm i dëmton. Pjesa më e madhe e biznesit mezi po e pret ndryshimin. Qeveria duhet të largohet me votë”, – tha Basha.
Dje në mesditë kandidati për deputet i PD-së në qarkun e Elbasanit, Luciano Boci u konfrontua fizikisht me sipërmarrësin përkrahës të qeverisë Rama, Gjergj Luca në fshatin Labinot.
Boci pretendon se Luca e ka dhunuar dhe ofenduar për motive politike, gjatë takimit elektoral me banorë të zonës. Të kundërtën pretendon Luca, duke thënë se demokrati është “politikan rrugaç” , se ai e sulmoi fillimisht, gjithashtu duke i rrëmbyer aparatin telefonik.
Risjellim në vëmendje se përleshja është denoncuar nga të dyja palët në Prokurorinë e Elbasanit.
LEXO EDHE:
Përplasje fizike në Elbasan – Biznesmeni Luca kërcënon me jetë Luçiano Boçin