Opozita po diskuton edhe mundësin për një bojkot total të parlamentit. E ftuar në studion e lajmeve të Ora News, deputetja e LSI, Klajda Gjosha tha se duke u nisur edhe nga situata e fundit politike apo ngjarjet e fundit bojkoti total i parlamentit është një alternative që po mendohet.
Duke folur për vetingun në politike, Gjosha tha se nëse do të kishte një JO të prerë nga ana e mazhorancës, kjo do të ishte fillimi i fundit të dialogut mes palëve politike.
Pyetje: Do të konsiderohet bojkoti total i Parlamentit?
Gjosha: Patjetër që po, është një alternativë e cila është duke u menduar. Duke parë edhe mënyrën sesi ne po vijojmë me aktualitetin politik në vend, me ngjarjet e fundit. Opozita ka pasur disa opsione tashmë të parashtruar mazhorancës, siç ka qenë edhe vettingu në politike, ku ne kemi një pr/ligj të depozituar që pret një PO apo një JO nga mazhoranca dhe ka hasur në debate të shumta gjatë gjithë kësaj kohe. Nëse do të kishim një JO të prerë nga mazhoranca besoj që këtu do të ishte fillimi i fundit të dialogut mes palëve politike dhe marrjes së një rruge tjetër përvec asaj institucionale.
Nëse LSI i bashkohet ose jo qëndrimit të PD se nuk ka zgjedhje me Ramën kryeministër, Gjosha dha këtë përgjigje:
Gjosha: Unë besoj se është pak herët për të folur për zgjedhjet. Të gjitha mundësitë janë aty, opozita i ka të gjitha alternativat, e ka të gjithë forcën. Duhet të luftojë me programin e saj, me qytetarët shqiptarë për t’i ndërgjegjësuar ata. Nuk është e nevojshme për të pritur zgjedhjet nëse duhet t’i japim fund një pushteti të tillë, një mënyrë të keqqeverisjes që po ndodh në këtë vend. Ndaj të gjitha mënyrat e tjera, protestat dhe reagimi qytetar është i mirëpritur dhe ne do të jemi aty në çdo rast që qytetarët do ta kërkojnë nga opozita.