Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar lidhur me situatën e krijuar pasditen e sotme në parlament e cila u bojkotua nga deputetët e Partisë Demokratike pak pas nisjes për shkak të propozimeve për komisionet parlamentare.
Në njoftimin zyrtar LSI bën me dije se asnjë nga deputetët e LSI, nuk është lajmëruar në mënyrë që të bëjnë propozimet e tyre në lidhje me pjesëmarrjen në komisionet parlamentare.
Më tej thuhet se Lindita Nikolla pranoi kërkesën e LSI dhe për këtë arsye miratimi i përbërjes së komisioneve parlamentare u shty për në seancën tjetër.
“Një sqarim lidhur me situatën e krijuar në seancën e sotme. Shërbimi i Seancave në Kuvendin e Shqipërisë nuk ka lajmëruar asnjë nga deputetët e LSI, në mënyrë që të bëjnë propozimet e tyre në lidhje me pjesëmarrjen në komisionet parlamentare. Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla pranoi kërkesën e LSI dhe për këtë arsye miratimi i përbërjes së komisioneve parlamentare u shty për në seancën tjetër”, thuhet në reagimin e LSI.
Mirëpo, kryedemokrati Lulzim Basha akuzoi kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla se po shkelte rregulloren e Kuvendit që në nisje të legjislaturës së re, ndërsa u largua nga salla bashkë me grupin parlamentar.
Në një reagim më pas, kreu i grupit parlamentar demokrat, Alfred Rrushaj u shpreh se mazhoranca po tenton të zvogëlojë përfaqësimin e opozitës në Kuvend.
I gjithë debati ka të bëjë me numrat e përfaqësimit të mazhorancës dhe opozitës në komisionet parlamentare. Pranimi i kërkesës së LSI për të qenë prezente me deputetët e saj në komisione, bën që të rishikohet edhe njëherë ndarja e përfaqësimit mazhorancë-opozitë.
LEXO EDHE: