Aktualitet

Bombaj: Sëmundjet që vijnë nga mungesat e vitaminave dhe mineraleve







               Publikuar në : 10:26 - 09/08/19 |
mapo.al

Udhëzimi i dietologes për vitaminat dhe mineralet e domosdoshme për shëndetin tonë. Bombaj: Trupit tonë i nevojiten 30 vitamina dhe minerale çdo ditë


Çdo ditë, trupi ynë prodhon lëkurë, muskuj dhe kocka. Ai bën me dhjetëra, mijëra rruaza të reja të kuqe qëtransportojnë lëndët ushqyese dhe oksigjen nëçdo qelizë tonën dhe prodhon një mori rruazash të bardha që luftojnë patogjenet. Neuronet tona dërgojnë sinjale elektrike duke përshkuar mijëra kilometra monopatesh të trurit dhe trupit, indet tona formojnë mesazhe kimike prej proteinash dhe acidesh lyrore që përçohen nga organi në organ, duke dirigjuar gjithë instrumentat që orkestrojnë jetën tonë. Për të realizuar gjithë këtë punë, nevojiten lëndë të ndryshme materiale. Këtu përfshihen 30 lloje vitaminash dhe mineralesh të cilat trupi ynë nuk i prodhon dot. Sikurse në një koncert, këto lëndë performojnë mijëra role të ndryshme në organizmin tonë, nga mirëmbajtja e kockave dhe shërimi i plagëve, deri te forcimi i sistemit imunitar, kthimi i ushqimit në energji, si dhe riparimi i dëmtimit të indeve. Dietologia klinike Blerina Bombaj shpjegon se vitaminat dhe mineralet quhen thelbësore sepse trupi ynë nuk e ka aftësinë t’i prodhojë, dhe quhen gjithashtu edhe “mikronutrientë” ose “mikroushqyes” – jo sepse roli i tyre është më i vogël, por sepse sasia e tyre e nevojshme është mjaft e vogël, (në ndryshim nga makronutrientët si karbohidratet, proteinat dhe yndyrat, të cilët nevojiten në sasi të bollshme). Gjithsesi, nëse këto mikroushqyes nuk merren në sasinë e nevojshme, pasojat janë të mëdha. Sëmundjet të cilat i kanë bërë shumë të njohura këto mangësi janë Skorvuti – mungesa e vitaminës C, Beri-Beri – mungesa e vitaminës B1, Pellagra – mungesa e vitaminës B3, rakitizmi si pasojë e vitaminës D, etj. Në ditët e sotme, mungesë e vërtetë e një vitaminë apo minerali është më e rrallë. Por, marrja e tyre në sasi të pamjaftueshme është një fenomem tepër i përhapur në kohët moderne, duke shkaktuar një sërë sëmundjesh madhore si ato të zemrës, osteoporozë dhe kancer. Prandaj, termi më i saktë do të ishte “pamjaftueshmëri” dhe jo mangësi.

Si të dallosh nëse ke mangësi?

Kjo nuk është dhe aq e lehtë. Ka shumë debate në vlerësimin e statusit ushqimor për sa i përket mikroushqyesve dhe si rrjedhojë ka edhe shumë abuzime në marketingun dhe pretendimet e suplementeve. Normalisht, një dietë e ekuilibruar mirë i plotëson nevojat kënaqshëm. Kjo dietë i referohet konsumit të mjaftueshëm të përditshëm të fruta – perimeve, fasuleve, drithërave të papërpunuar dhe burimeve proteinike pa e tepruar me yndyrë dhe duke preferuar vajin e ullirit në gatim. Por, duke marrë parasysh se po i largohemi gjithnjë e më shumë ushqimit të larmishëm e të freskët, suplementet janë të nevojshëm në korrigjimin e mungesave që po zënë vend gjithnjë e më shumë, si pasojë e kequshqyerjes.

Çfarë është një vitaminë?

E shpjeguar thjeshtë, një vitaminëështë një substancë organike e prodhuar nga një bimë ose kafshë, e cila nevojitet në sasi minimale por me rëndësi jetike për njeriun. Fjala vitaminë vjen nga latinishtja ku pjesa “vit” do të thotë “jetë”. Përveç vitaminës D, të cilën njeriu është i aftë ta prodhojë vetë nga rrezet e diellit, asnjë prej vitaminave të tjera nuk prodhohet në organizëm dhe kështu duhet të merren nga ushqimi.

Çfarë janë mineralet?

Një mineral është një element inorganik, i cili vjen nga shkëmbinjtë, dheu, ose uji ndërkohë që, në trupin tonë hyn nëpërmjet një bime qëe ka përthithur nga ambienti ku është rritur, ose nga një kafshë që e ka ngrënë atë bime. Në planetin tonë njihen shumë minerale por vetëm pak prej tyre janë të nevojshëm për ne.Një ndryshim tjetër mes mineraleve dhe vitaminave është se këto të fundit shpërbëhen nga nxehtësia, ajri dhe aciditeti, ndërsa mineralet janë elementë më të thjeshtë dhe e ruajnë strukturën e tyre kimike. Mineralet e gjejnë shumë kollaj rrugën për në trupin tonë nëpërmjet bimëve, peshkut, kafshëve dhe lëngjeve që ne konsumojmë. Është më e vështirë për vitaminat të mbërrijnë në organizëm pasi faktorë si gatimi, nxehtësia apo ajrimi e magazinimi mund t’i shpërbëjnë këto substanca mjaft delikate.Pavarësisht ndryshimeve të tyre, vitaminat dhe mineralet bashkëveprojne njëri me tjetrin për të ofruar punën e tyre me rëndësi jetike për ne. p.sh; vitamina D mbështet përthithjen e kalciumit nga ushqimi që arrin në aparatin tretës, duke mbrojtur në këtë mënyrë kockat. Vitamina C ndihmon përthithjen e hekurit. Gjithsesi, marrëdhënia mes tyre nuk është gjithmonë bashkëpunuese, p.sh., vitamina C e marrë me tepricë pengon trupin të përthithë bakrin – tepër i rëndësishëm për formimin e hemoglobinës, ndërsa edhe një tepricë minimale e mineralit magnez mund të përkeqësojë mungesën e hekurit.

Llojet e vitaminave dhe mineraleve

Vitaminat që treten në ujë janë:Kompleksi i vitaminave B (B1, B2, B3, B5, B6, B7, B9, acidi folik)

Vitamina C

Këto vitamina treten në ujë dhe janë të depozituara në hapësirën ujore të ushqimeve. Ato përthithen direkt nga aparati tretës në gjak, pasi ushqimet shpërbëhen apo suplementet treten. Meqënëse ne përbëhemi në një përqindje të madhe nga uji, këto substanca qarkullojnë lirshëm në trupin tone (përveç vitaminës B6 e cila është e depozituar kryesisht në muskuj).Veshkat janë ato që rregullojnë vazhdimisht nivelin e këtyre vitaminave duke i eliminuar ato me urinën, në mënyrë që të parandalohet mbidoza e tyre. Pikërisht për këtë arsye, vështirë se mund të pësojë dikush intoksikim nga këto lloj vitaminash. Megjithatë ka përjashtime. Nëse vitamina B6 merret disa herë më shumë se sasia e rekomanduar, mund të dëmtojë nervat dhe të shkaktojë mpirje dhe dobesei muskulare.Pjesa më e madhe e vitaminave të tretshme në ujë largohen shpejt nga trupi ynë, ndërsa pak prej tyre mund të qëndrojne për një kohë më të gjatë. Ne mund të depozitojmë një sasi të vitaminës B12 në mëlçi. Gjithashtu depot e acidit folik dhe vitaminës C mund të na furnizojnë për 2-3 ditë. Megjithatë, duhet kuptuar se marrja e mjaftueshme e këtyre vitaminave nëpërmjet ushqimit të përditshëm është shumë e rëndësishme për mirëqënien tonë.

Roli i tyre

Një nga rolet më të rëndësishme të vitaminave të kompleksit B është prodhimi i energjisë nga ushqimet. Vitaminat B6, B12 dhe acidi folik mbështesin shumimin e qelizave. Ndërsa një ndër veprimtaritë më tërëndësishme të vitaminës C është formimi i kolagjenit, i cili “qep” plagët, forcon enët e gjakut dhe përbën bazën për mbështetjen e dhëmbëve dhe kockave.

Vitaminat që treten në yndyrë;  Vitamina A, Vitamina E, Vitamina D, Vitamina K. Këto vitamina treten vetëm në yndyrë, për këtë arsye ato nuk mund të qarkullojnë në tjetër mënyrë në organizmin tonë. Pasi konsumohen me ushqimin, ato depërtojnë në gjak nëpërmjet sistemit limfatik dhe qarkullojnë vetëm nën shoqërinë e një eskorte proteinike, e cila ju siguron këtyre substancave bashkëveprimin me hapësirën ujore qe mbizotëron trupin e njeriut, si në gjak edhe në qelizë.  Së bashku, këto vitamina riparojnë gjithë trupin tonë. Vitamina A, D dhe K janë thelbësore për formimin e kockave. Vitamina A gjithashtu mbështet shëndetin e qelizës dhe shikimit – por, pa vitaminën E, trupi ynë do kish shumë vështirësi të përthithë dhe të magazinojë vitaminën A. Vitamina E vepron edhe si një antioksidant i fuqishëm duke mbrojtur qelizat e sidomos ADN-në nga dëmtimet prej molekulave të paqëndrueshme, të cilat sulmojnë qelizat e shëndosha për të fituar qëndrueshmëri kimike për vete. Këto vitamina depozitohen në qelizat tona dhjamore dhe në mëlçi nga ku çlirohen sipas nevojës. Edhe pse, organizmi ynë përpiqet të largojë sasitë e panevojshme, nëse konsumi i tyre është i tepruar në vazhdimësi, shfaqet rreziku i intoksikimit. Gjithsesi, intoksikimi nuk para ndodh nga konsumi i tyre me ushqimin, por me marrjen e pakontrolluar prej suplementeve.

Mineralet që gjenden në sasi më të mëdha në organizmin e njeriut;  Kalciumi, klori, magnezi, fosfori, kaliumi, natriumi dhe sulfuri. Trupi ynë depoziton relativisht sasi të mëdha nga mineralet –natrium, klor, kalium, kalcium, fosfor, magnez dhe sulfur.

Kalciumi dhe sulfuri, secili korrespondon në 0,5kg të peshës sonë. Edhe pse në sasi më të mëdha, këto minerale nuk janë më të rëndësishëm për shëndetin e njeriut se ato që gjenden në sasi më të vogël.

Një nga rolet e tyre kryesore është mbajtja e ekuilibrit elektrik të membranave të të gjithë qelizave të trupit – një ekuilibër thelbësor për komunikimin midis qelizave dhe transportin e lëndëve ushqyese brenda dhe jashtë saj. Tre mineralet e tjerë të kësaj kategorie, kalciumi, fosfori dhe magnezi, kanë veprimtari të ngjashme, dhe gjithashtu janë të nevojshme për formimin e kockave. Sulfuri ndihmon qëndrueshmërinë e strukturës proteinike që formon flokët, lëkurën dhe thonjtë.

Të pasurit me tepricë të një minerali mund të shkaktojë mangësi të një minerali tjetër. P.sh., kur natriumi rritet në qarkullim, trupi e largon atë duke e lidhur me kalciumin. Kjo do të thotë se kur konsumojmë shumë kripë, ne rrezikojmë të humbasim kalcium, dhe nëse kjo bëhet për një kohë të gjatë, mund të rezultojë në dobësim të kockave. Shumë fosfor mund të ulë përthithjen e magnezit. Kjo zakonisht ndodh rrallë nga ushqimi.

Mineralet që gjenden në sasi të vogla nëorganizëm; Kromi, bakri, flori, jodi, hekuri, magnezi, molivdenumi, seleniumi dhe zinku.

Sasia e këtyre mineraleve në trupin tonë mund të futet e gjitha në një gishtëz. Por kontributi i tyre është i jashtëzakonshëm. Ato kryejnë punë të ndryshme, p.sh., hekuri njihet për transportin e oksigjenit nëçdo qelizë ndërsa flori për forcimin e kockave dhe dhëmbëve. Zinku ndihmon mpiksjen e gjakut, është i domosdoshëm për shqisën e shijes, nuhatjes, dhe ushqen sistemin imunitar. Bakri ndihmon formimin e enzimave, një prej të cilave asiston në metabolizmin e hekurit dhe formimin e hemoglobinës, e cila mbart oksigjenin në gjak, kurse kromi është i domosdoshëm në përdorimin e sheqerit.

Edhe këto minerale mund të ndërveprojnë më njëri – tjetrin duke prishur disa ekuilibra. Teprica e njërit mund të shkaktojë mangësi te tjetrit. Marrja e pamjaftueshme e këtyre mineraleve mund të shkaktojë sëmundje si hipotiroidizëm për shkak të mungesës së jodit dhe anemi për shkak të mungesës së hekurit. Por kujdes, diferenca midis “mjaftueshëm” dhe “me tepri” është shumë e vogël. Përgjithësisht teprica të rrezikshme nuk paraqiten prej ushqimit të zakonshëm. Ndërsa marrja e suplementeve duhet të bëhet pas këshillimit me specialistin në mënyrë që të shërbejnë në korrigjim të mangësive pa shkaktuar tepricë të tyre.


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas