Kryesore

Bombaj: Ushqimet që krijojnë intolerancë dhe dieta që e eliminon






               Publikuar në : 12:03 - 12/07/19 |
mapo.al

Simptomat që mund të shkaktohen nga sensitiviteti dhe intoleranca ushqimore janë: lodhje, migrenë, rrathë të zinj poshtë syve, fryrje, gazra, mbajtje lëngjesh, depresion, vështirësi në tretje, infeksion kronik të veshëve, shpërqendrim, bllokim të sinuseve, dhimbje kyçesh.


Përbërja unike gjenetike e gjithsecilit prej nesh na bën të reagojmë ndryshe për sa i përket përpunimit të ushqimit dhe përdorimit të tij. Edhe dy vëllezër, që rriten në të njëjtën familje e me të njëjtat zakone, mund të kenë reagim krejt ndryshe ndaj të njëjtit ushqim. Individualiteti gjenetik madje përcakton edhe se sa shumë ne përfitojmë nga një ushqim i caktuar. Jo më kot ka dalë edhe shprehja “ushqimi mund të jetë ilaç për dikë e helm për dikë tjetër”.



Individualiteti biokimik

Blerina Bombaj, dietologe klinike shpjegon se “Individualiteti biokimik na jep të kuptojmë se përse disa njerëz janë sensitivë ndaj disa ushqimeve. Në këtë rast nuk kemi implikim të sistemit imunitar dhe për këtë është më i vështirë për t’u gjetur”. Ndaj dhe ajo thotë se simptomat që mund të shkaktohen nga sensitiviteti dhe intoleranca ushqimore janë: lodhje, migrenë, rrathë të zinj poshtë syve, fryrje, gazra, mbajtje lëngjesh, depresion, vështirësi në tretje, infeksion kronik të veshëve, shpërqendrim, bllokim të sinuseve, dhimbje kyçesh.

Alergjia dhe Intoleranca ushqimore

Ushqimet më alergjike

Ushqimet që provokojnë më shpesh alergji janë qumështi, gruri, soja, kikirikët, vezët, peshku, molusqet, frutat e thata, alkooli. Qumështi dhe gluteni mund të shkaktojnë edhe intolerancë, një situatë e ndryshme nga alergjia.

Çfarë është alergjia nga ushqimi? Cili është ndryshimi midis saj dhe intolerancës?

Kur ushqimi hyn në aparatin tonë tretës, sistemi ynë imunitar ekzaminon imtësisht përbërësit për të eliminuar bakteret, viruset apo toksinat e rrezikshme. Ai është roja kufitare që vulos pasaportën për nutrientët në mënyrë që të kalojnë matanë kufirit për në gjakun tonë, i cili i transporton lëndët ushqyese në mëlçi ku edhe përpunohen. Përbërës të caktuar (proteina ose molekula të mëdha), në individë të caktuar, mund të njihen nga sistemi imunitar si armiq dhe fillon t’i luftojë. Ai ndez alarmin që organizmi është nën pushtim dhe mobilizon “ushtrinë” për luftë, pra prodhon qelizat imunitare të cilat lëshojnë antikorpet – imunoglobulinat, më të përfshirat në reaksionet alergjike. Ky reaksion mund të ketë pasoja nga teshtima të thjeshta e deri në rrezik për jetën. Testi i alergjisë mat pikërisht antikorpet prezentë në gjak dhe diagnostikohet sipas procedurave specifike. Alergjitë shfaqen zakonisht herët në jetë dhe me kalimin e viteve mund të largohen. Por nuk është çudi që një reaksion alergjik t’i ndodhë gjithkujt e në çdo moment në jetë.

Gatimi i ushqimit që shkakton alergji, mund ta zbusë deri diku shfaqjen e reaksionit. Disa fruta që mund të shkaktojnë alergji ushqimore si pjeshkët, qershitë, mollët, dardhët, mund të merren komposto, të pjekura apo reçel.

Ndërsa intoleranca ushqimore, në ndryshim thelbësor nga alergjitë, nuk shkakton reaksion të sistemit imunitar, por është mungesa e një enzime përgjegjëse për përpunimin e një përbërësi ushqimor ose një reaksion aty për aty -pa mobilizuar antikorpe- ndaj një substance kimike ose toksine të gjendur në ushqim. Duke qenë se intolerancat nuk shoqërohen nga reaksion imunitar, do të thotë që në këtë rast nuk kemi antikorpe të krijuara ndaj një përbërësi ushqimor, pra nuk kemi se çfarë të masim me një analize gjaku! Zakonisht, testet e intolerancës masin antikorpe IgG si përgjigje ndaj një ushqimi të konsumuar, por fatkeqësisht, këto antikorpe mund të gjenden të larta edhe nëse nuk jemi intolerant ndaj këtij ushqimi. Përqindja që nivelet e këtyre antikorpeve të tregojnë intolerancë false është 50-60%, duke e bërë krejtësisht të pavlefshëm këtë test.

Alergjitë dhe mania e higjienës

Alergjitë janë shumë më të përhapura në vendet e zhvilluara dhe të industrializuara, me higjienë më të lartë. Fëmijët që shkojnë në kopsht, që luajnë në natyrë dhe që kanë motra apo vëllezër më të rritur janë më pak të prekur nga alergjia ushqimore.

Alergjia ushqimore e nxitur nga aktiviteti fizik

Në këtë rast, vetëm konsumi i disa ushqimeve alergjike përpara një ushtrimi fizik, si: qumështi, kikirikët, veza dhe soja, nxit reaksion alergjik. Zakonisht aktiviteti i tipit vrap, aerobi, tenis, çiklizëm mund të lidhet me këtë situatë. Njerëzit që kanë pësuar një shok alergjik të tillë, duhet të evitojnë aktivitetin fizik pa kaluar disa orë nga marrja e ushqimit.

Intolerancat më të njohura dhe sensitiviteti ndaj ushqimeve

Qumështi, intoleranca më klasike

Qumështi është i vetmi ushqim që përmban laktozë – një lloj sheqeri. Ky sheqer shpërbëhet nga një enzimë e cila prodhohet në aparatin tonë tretës. Në disa njerëz, kjo enzimë nuk prodhohet fare ose prodhohet me pakicë. Kjo bën që laktoza të arrijë e papërpunuar në zorrën e trashë dhe aty të fermentohet nga bakteret që bashkëjetojnë me ne, me pasojë ndjesinë e fryrjes, gazrave, spazmave dhe diarresë. Individët që e prodhojnë këtë enzimë me sasi të vogla mund të tolerojnë një sasi të vogël të qumështit dhe në përgjithësi nuk kanë problem me kosin dhe djathin. Gjithashtu, kur qumështi është pjesë e gatimeve tolerohet më mirë.

Ushqimet strumogjene

Në këtë kategori hyjnë brokoli, lakra, lulelakra, soja, pjeshkët, rrepat, luleshtrydhet, kikirikët. Ushqimet strumogjene ndërhyjnë në procesin e prodhimit të hormonit të tiroides duke bllokuar jodin ose enzimën që prodhon këtë hormone nga qelizat e gjëndrës tiroide. Kjo shkakton edhe fenomenin e “strums” që është rritja e gjëndrës tiroide, e dallueshme me sy të lirë. Gjithsesi, personat që nuk kanë problem me tiroiden mund t’i konsumojnë pa problem këto ushqime. Ndërsa, në rastet e hipotirozës, këto ushqime duhet të merren gjithmonë të gatuara dhe jo me shumicë. 3 herë në javë nga 150 gr është një sasi e sigurt.

Familja solanore dhe sistemi nervor

Në familjen solanore hyjnë domatja, patëllxhani, patatet dhe specat. Këto ushqime përmbajnë alkaloide, të cilat mund të pengojnë enzima që lidhen me funksionin e nervave. Në doza të mëdha mund të çojë në bllokim të kontrollit të muskujve, dridhje dhe paralizë të frymëmarrjes. Këto alkaloide gjenden me shumicë te pjesët jeshile të patateve. Një ndër faktet më interesante lidhur me këto ushqime është ndikimi që ato mund të kenë në sëmundjet inflamatore si artriti. Disa studime tregojnë se eliminimi i këtyre ushqimeve nga dieta përmirëson ndjeshëm dhimbjet e kyçeve. Gatimi redukton një pjesë të alkaloideve gjithsesi.

Kafja dhe aritmia

Njerëzit reagojnë në mënyra shumë të ndryshme ndaj kafeinës e cila gjendet në shumë pije dhe ushqime përveç kafes, si kola, çaji jeshil, kakao, çokollata. Disa njerëz madje nuk mund të tolerojnë as 1 gllënjkë kafe. Simptoma më klasike është pagjumësia dhe nervozizmi, por disa njerëz shfaqin edhe pasoja të rrezikshme, si: aritmia, hipertensioni dhe takikardia. Simptoma të tjera të vërejtura me kafen janë: përzierje e stomakut, shtrëngim i frymëmarrjes, ankth, depresion, dridhje, lodhje dhe dhimbje koke.

Sensitiviteti ndaj kafeinës vjen si pasojë e një shprehje të një gjeni të caktuar, që nuk e përpunon në kohë kafeinën dhe e lë atë në nivele të larta për një kohë të gjatë në organizëm. Por një dyshim qëndron edhe mbi faktin se kafet mund të jenë të infektuara me mykotiksina dhe në fakt të jenë pikërisht këto që shfaqin sensitivitet dhe simptoma.

Vera e kuqe dhe migrena

Ndër të tjera, vera e kuqe përmban sulfite, të cilat lidhen me dhimbje koke dhe problem të stomakut. Vera e kuqe përmban sulfite më pak se vera e bardhë. Të tjera ushqime që përmbajnë sulfite janë frutat e thara, ku shërbejnë për ruajtjen e tyre afatgjatë.

Dieta e eliminimit – i vetmi test i besueshëm i intolerancës dhe sensitivitetit ndaj ushqimit

Dieta e eliminimit presupozon marrjen e ushqimeve të cilat nuk janë lidhur me intolerancë apo sensitivitet, për të paktën 2 javë, në mënyrë që trupi të eliminojë çdo substancë ndaj së cilës mund të ketë reaksion intolerancë. Pas dy javësh, rivendosen ushqimet sipas preferencës por vetëm një nga një, duke lënë tre dite distancë nga njëri te tjetri. Në këtë mënyrë, ne mund të bëjmë lidhjen midis simptomave të caktuara që na shqetësojnë dhe ushqimit të ri që kemi konsumuar, duke e dalluar atë si fajtor apo jo për ndjesitë tona. Kjo është e vetmja mënyrë që shkenca aprovon për të konstatuar intoleranca ndaj ushqimeve të ndryshme. Asnjë test tjetër intolerance (përjashtuar këtu testin e intolerancës ndaj laktozës i cili bëhet nëpërmjet matjes së hidrogjenit në frymëmarrje), nuk njihet si i besueshëm shkencërisht.

 

Dieta e këshilluar

Mëngjes

1 çaj mali me limon

1 mollë

1 kupë oriz basmati

Drekë

2 kupa sallate me lakër të bardhë dhe karotë, vaj ulliri dhe fara susami

150-200gr mish qengji

1 kupë thjerrëza ose qiqra

Darkë

1 çaj mali me limon

1 sallatë jeshile të bollshme me vaj ulliri dhe limon

1 -2 kupa oriz

1 dardhë

Midis vakteve

Çaj mali, dardhë, mollë


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas