Aktualitet

“Bondi Korona”/ 12 personalitete gjermane apelojnë: Po rrezikojmë Europën!








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 22:20 - 05/04/20 |
mapo.al

“Ne i bëjmë thirrje Brukselit të krijojë një “fond korona”. Ky është mesazhi i apelit të lëshuar nga 12 personalitete gjermane, të botuar në “Die Zeit” dhe “Le Monde”. Figurat publike gjermane, mes të cilëve politikani Joschka Fischer dhe filozofi Jürgen Habermas, i kërkojnë Brukselit, por edhe politikës gjermane krijimin e një fondi të përbashkët europian për të ndihmuar vendet më të prekura të BE.


“Ditët e fundit, vetëm Italia dhe Spanja kanë disa mijëra të vdekur. Vetëm në një ditë, më 31 mars, viktimat ishin mbi 800 në secilin nga këto dy vende. Ky lajm nuk vjen nga një planet tjetër ose nga një kontinent i largët. Vjen nga vendet tona fqinje, me të cilat jemi të lidhur. Ne, nënshkruesit e këtij teksti, jemi ndër ata që e duam kulturën mesdhetare. Por nuk ka nevojë ta duash atë, duke vështruar duarkryq shkatërrimin e tmerrshëm që koronavirusi tashmë ka shkaktuar në këto vende.


Pandemia ka zgjuar shprehje mbresëlënëse të ndihmës dhe solidaritetit të ndërsjellë në të gjithë Evropën. Mijëra të rinj vullnetarë u dërgojnë ushqim të moshuarve që jetojnë vetëm në apartamentet e tyre; Saksonia po merr pacientë italianë të prekur rëndë nga virusi, Saar po ofron ndihmë për pacientët francezë, landet e tjerë janë gjithashtu të angazhuar, siç është edhe shteti federal. Një klimë e re po zë vend: të gjithë përpiqen të japin ndihmë, empati dhe shpresë për të tjerët.



Por ka një pyetje vendimtare: A janë të gatshëm të gjithë në vendet e Veriut të ndihmojnë vëllezërit dhe motrat e tyre të Jugut. Ka nga ata që e kundërshtojnë në mënyrë kategorike idenë e krijimit të një fondi të garantuar nga të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian, i cili do të bëjë të mundur që të marrim së bashku barrën financiare shkatërruese të krizës.


Një masë e tillë do të parandalonte një tronditje, e cila do të prekë thelbësisht të gjitha shtetet anëtare, por duke qenë fatale për disa prej tyre, të cilat edhe para krizës po luftonin me borxhe të rënda publike. Kjo është arsyeja pse ne i bëjmë thirrje Komisionit Evropian të krijojë një “bond korona”, i cili do të jetë në gjendje të huazojë nga tregjet financiare ndërkombëtare e t’i transferojë këto burime në vendet anëtare. Kjo ndërhyrje do t’I ndihmonte shtetet të mos e thellojnë më tej borxhin e tyre. Fondi do të siguronte para, të marra nga buxheti i BE, për të paguar interesin e këtyre kredive.


“Koronabondi” për të cilin po flasim nuk duhet të mendohet si modeli i “eurobonove”, krijimi i të cilave u propozua në përgjigje e krizës së euros në 2010-2012. Atëherë problemi ishte krijimi i një garancie për të pastruar një pjesë të madhe të borxheve publike të akumuluara në të kaluarën. “Koronabondi”, do të shërbente për të marrë përsipër borxhet që shtetet po marrin aktualisht, ose që ata do të kontraktojnë në muajt e ardhshëm. Prandaj është një masë që nuk pret gjatë.

Me të Italia dhe vendeve të tjera, të kërcënuara në vetë ekzistencën e tyre, do të mbijetojnë politikisht dhe ekonomikisht nga kriza e tanishme dhe pasojat e saj në të ardhmen. Të mos bësh asgjë, në këtë rast, të bën fajtor për mungesën e mbështetjes së dikujt që është në rrezik.

Ne nuk i kuptojmë arsyet pse Kancelarja dhe Nënkancelari i Republikës Federale tregojnë ngurrim ndaj kësaj nisme, e cila është e nevojshme për solidaritetin dhe stabilitetin evropian. Ky solidaritet nënkupton gjithashtu një vetëdije të përbashkët për krizën. Sfida tani është të gjejmë mënyra për të treguar se ne jemi të bashkuar dhe “të detyruar nga një magji”, siç e thotë himni ynë.

Cili është roli i Bashkimit Evropian, nëse nuk tregon në këto kohë të koronavirusit se evropianët po shtrëngojnë radhët dhe po luftojnë së bashku për një të ardhme të përbashkët? Është çështje solidariteti aq sa është edhe në interesin tonë. Në këtë krizë, ne evropianët jemi të gjithë në të njëjtën anije. Nëse Veriu nuk e ndihmon Jugun, jo vetëm që humbet veten, por edhe humbet Evropën”. /Le Monde

Nënshkruar nga:

Peter Bofinger, profesor i ekonomisë në Universitetin e Würzburgut;

Daniel Cohn-Bendit, ish-eurodeputet;

Joschka Fischer, ish Ministër për Punë të Jashtme;

Rainer Forst, filozof;

Marcel Fratzscher, ekonomist, president i Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike;

Jürgen Habermas, filozof;

Axel Honneth, filozof dhe sociolog;

Julian Nida-Rümelin, filozof;

Volker Schlöndorff, regjisor;

Peter Schneider, shkrimtar;

Simon Strauss, shkrimtar;

Margarethe von Trotta, regjisore.

/Përktheu: Mapo.al/

 


Etiketa: , , ,

Pas