fbpx

Bota

Boris Johnson apo Donald Trump: Cili është më shumë në telashe?





               Publikuar në : 10:29 - 03/10/19 |
mapo.al

Dy prej politikanëve më të pazakontë në politikën perëndimore, presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri britanik Boris Johnson po kalojnë ditë të vështira politike. BBC pyet se cili prej tyre është më shumë në telashe.


Në një shkallë nga 0 deri në 10, ku dhjeta është apokalipsi, sa keq është situata?



Helen Catt, korrespondente e BBC në Londër: Për Boris Johnson, do të thoja se është 9.5. Gjykata Supreme ka gjetur se këshilla që ai i ka dhënë Mbretëreshës ishte e paligjshme. Kjo është shumë e papranueshme në politikën britanike. Ai nuk ka mazhorancën në parlament, veçanërisht pasi shkarkoi 21 nga deputetët e tij gjatë javës së shkuar, ai po përballet me një hetim për lidhjet e tij me një biznesmene amerikane gjatë kohës kur ishte kryebashkiak i Londrës, edhe pse ai thotë se gjithçka është bërë në mënyrë korrekte. Dhe tani ai po akuzohet se ka kapur një gazetare në kofshë gjatë një dreke këtu e 20 vjet më parë. Ai thotë se kjo nuk është e vërtetë. E gjitha kjo përpara se të shkosh tek ajo ‘çështja e vogël’ e negocimit të Brexit dhe miratimit të një marrëveshje në një parlament shumë të përçarë deri në fund të muajit.


Anthony Zurcher, korrespondent i BBC në Uashington: Për Trump, do të thoja 8.5, dhe arsyeja përse e them këtë është se Donald Trump është tani zyrtarisht nën hetim formal për shkarkim (impeachment) nga Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA. Kjo do të thotë se Demokratët, që drejtojnë këtë dhomë të Kongresit, po shohin mundësinë për të votuar, një votë shumice, për ta vendosur atë esencialisht nën gjykim para Senatit amerikan. Më pas Senati do të votojë për largimin ose jo nga posti. E gjitha kjo ka lidhje me skandalin e Ukrainës që po qarkullon vërdallë. Ai u zbulua javën e shkuar, thuajse në të njëjtën kohë kur Gjykata Supreme Britanike vendosi se Boris Johnson ka kryer shkelje me pezullimin e Parlamentit. Ajo ishte një ditë vërtet e veçantë.

A mund të humbasin postin?

Helen Catt: Ndërkohë që ka shumë njerëz që janë të zemëruar me atë që ka ndodhur së fundmi, ka shumë të tjerë që shohin se çfarë ka bërë Boris Johnson dhe mendojnë ‘e di çfarë, ai po i merr disa vendime’. Ai është i vendosur, mund të mos jetë shumë ortodoks, por e di, të paktën ai po tenton që ta kryejë këtë procesin e Brexit. Ka një ndarje, kështu që është vështirë të shohësh si do të shkojnë gjërat. Ka diskutime për shkarkimin e Boris Johnson, kjo është diçka shumë, shumë e rrallë në politikën britanike. Kështu që sa i përket faktit nëse do shkohet në zgjedhje, ti i pret zgjedhjet në nëntor të vitit 2020, por ne mund shohim mundësinë e zgjedhjeve jo më larg se në nëntor të vitit 2019. Ndoshta dhjetor, nuk e dimë se kur do vijnë dhe nëse do të vijnë.

Anthony Zurcher: Duket e arsyeshme mjaftueshëm që një shumicë e Dhomës së Përfaqësuesve, e cila kontrollohet nga Demokratët, të votojë për shkarkimin e Donald Trump në një pikë përpara se ky vit të mbyllet. Republikanët kontrollojnë Senatin dhe ata nuk do ta largojnë Trump nga detyra. Kështu që e gjithë kjo historia e shkarkimit është më shumë një manovrim për të fituar terren për fushatën që do zhvillohet vitin që vjen.


Etiketa: , , , , , , ,

Pas