Të gjithë e kanë të qartë një deklaratë të kryeministrit Rama se, me të ardhur në pushtet do të zbardheshin të gjitha borxhet e padeklaruara të qeverisë ‘Berisha’. Puna e parë me këtë nisi. Me të shpejtë u kontraktua kompania “Deloitte”, e cila për një muaj kontrolloi thesarin e financave. Që në fund të nëntorit gjithçka është zbardhur, por publikut ende nuk i është servirë shifra reale dhe tani kemi një kaos me numra që ndryshojnë përditë. E ndërsa niveli real i borxhit të fshehur mbetet ende i “fshehur”, qeveria e re ka zgjeruar ndjeshëm borxhin e ri pikërisht për shlyerjen e detyrimeve që nuk njiheshin më parë.
Shifrat paradoksale
Të fundit e dha të enjten kryeministri Rama në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, kur tha se borxhet e fshehura janë plot 725 milionë dollarë, një shifër kjo që argumenton të gjithë rritjen e borxhit që ka ndodhur pas shtatorit. Por në relacionin e buxhetit 2014 dhe në tabelat fiskale të tij ka shifra krejt të tjera. Dhe krejt të tjera shifra ka dhënë ministri Cani gjatë konkludimit të auditimit nga “Deloitte”. Në relacionin e buxhetit ministri Cani raporton 47,4 miliardë lekë borxhe të padeklaruara. Me shifrën që dha parmbrëmë Kryeministri, shihet një diferencë prej më shumë se 25 miliardë lekësh. Ministria e Financave ka parashikuar për shlyerje 35 miliardë në buxhetin e këtij viti dhe pjesa tjetër gjatë vitit që vjen. “Kemi një raport të plotë të kompanisë ‘Deloitte’ për detyrimet e prapambetura të buxhetit të shtetit ndaj biznesit privat vendas dhe të huaj për punime e shërbime publike, shumë e cila kap vlerën 24.6 miliardë lekë”, thuhet në relacionin e Financave për buxhetin 2014. Por kësaj shifre ministri Cani i ka shtuar edhe një borxh që nuk ka qenë në fokusin e auditimit, ato para që Tatimet nuk kanë disbursuar në drejtim të biznesit në formën e TVSH-së. Ky lloj borxhi e komplikon situatën dhe e bën shifrën të ndryshueshme, për vetën natyrën e menaxhimit të këtyre detyrimeve. E mira është që autoritetet të konkludojnë me një shifër mbi detyrimet në fjalë, në mënyrë që edhe publiku dhe agjentët e ekonomisë të kenë të qartë se sa në të vërtetë ishte vlera e fshehur.
Manovra
Shumë prej ekspertëve të ekonomisë e kanë cilësuar absurde përfshirjen në borxhin e fshehtë të detyrimeve që duhet të rakordohen në administratën tatimore, të cilat nuk mund të raportohen si borxh shtetëror dhe për më tepër të përfshihen si një zë i veçantë në buxhet për t’u shlyer. Pasi administrata tatimore gjatë ushtrimit të funksioneve të saj ka detyrime ndaj biznesit dhe biznesi ka detyrime ndaj administratës tatimore. Rakordimet bëhen brenda Tatimeve dhe në buxhet raportohet vetëm bilanci neto. Aktualisht administrata tatimore mësohet se është në borxh ndaj biznesit me 20 miliardë lekë, kurse biznesi ka një borxh ndaj administratës tatimore më shumë se 71 miliardë lekë. Në këtë situatë ndërhyn qeveria me Ministrinë e Financave për të shlyer borxhet që Tatimet kanë ndaj biznesit, por pa një plan se si do të vilen 700 milionë dollarët që biznesi i ka qeverisë. Ekspertët vlerësojnë se është rast unik kur një qeveri do të shlyejë detyrimet ndaj biznesit, pa shtrirë dorën tjetër për marrjen e detyrimeve të veta.
Rreziku
Po të marrin si të mirëqenë shifrën 47 miliardë lekë borxh i fshehur, e paraqitur nga Ministria e Financave, përsëri nuk justifikohet rritja e borxhit me 12 për qind të PBB-së në vetëm tre muaj. Janë marrë hua të reja dhe janë programuar deri në fund të vitit 120 miliardë lekë të reja për shlyerjen e 35 miliardëve. Shifrat tregojnë se shuma që vetë qeveria ka zbuluar borxh ndaj biznesit është disa herë më e vogël se borxhi që qeveria ka marrë për shlyerjen e biznesit. Kështu, nga 63.5 për qind që ishte borxhi në fund të gushtit 2013, pritet që të arrijë në 75 për qind në fund të vitit. Rritja është më shumë se 12 për qind e PBB, por kjo nuk justifikon shlyerjen e borxhit të fshehur. Në total borxhi i shtetit në fund të vitit pritet të arrijë në 1 trilion lekë, shifër me 12 zero. Aftësia paguese e buxhetit të shtetit pritet të rëndohet ndjeshëm për shlyerjen e interesave të këtij detyrimi që arrijnë në mbi 500 milionë dollarë në vit. Shpenzimet për shlyerjen e borxhit nuk do të lënë vend për rritje rrogash dhe investimesh publike dhe veç të tjerash, një borxh në këto nivele do të jetë një darë e fortë për rritjen ekonomike në vitet në vijim.
720 Milionë dollarë borxh të paditur deklaroi kryeministri Rama dy ditë më parë
240 Milionë dollarë janë raportuar pas auditit nga “Deloitte”
470 Milionë dollarë raporton ministri Cani se duhen shlyer
350 Milionë dollarë janë programuar të shlyer këtë vit
1 Trilion lekë ose mbi 10 miliardë dollarë pritet të arrijë borxhi i Shqipërisë në fund të vitit 2014