Një shqiptar dhe një italian janë arrestuar nga policia në Leçe pasi akuzohen për trafik droge. Mediat italiane raportojne se në pranga përfundoi Liridon Bosi, 25 vjeç nga Shqipëria dhe italiani, Stefano Castrignanò, 32 vjeç, lindur në Leçe.
Pas një aktiviteti të gjatë të vëzhgimit dhe hetimi, policia ndërhyri dje në mesditë në një ndërtesë në rrugën “Leuca”, ku kishin vënë re ardhjen e njerëzve të shumtë. Policia ndaloi fillimisht një nga dy të arrestuarit, me çelësa të shumtë me vete.
Më pas, u ushtrua kontroll i imtësishëm në banesë ku brenda saj ishte Bosi. Atje u gjetën 1 kg kokainë dhe të gjitha materialet e nevojshme për paketimin e dozave përfshirë edhe një peshore elektronike si dhe ngjitës. Të dy u arrestuan dhe pas përfundimit të formaliteteve, përfunduan në burgun “Borgo San Nicola” në Leçe.