Dihej që ajo foto do krijonte shumë probleme për kombëtaren që pretendon të mbrojë titullin e kampiones së botës.
Ilkay Gundogan dhe Mesut Ozil, dy nga lojtarët më të mirë të kombëtares gjermane, pozuan para disa javësh me kreun e shtetit turk, Recep Tayyip Erdogan.
Fotoja u komentua gjerësisht si mbështetje për presidentin turk dhe la shije të hidhur në Gjermani.
Sikur të mos mjaftonin fishkëllimat ndaj tyre, mediat dhe lojtarët e rëndësishëm të Gjermanisë kanë nisur të bëjnë thirrje për përjashtimin e tyre.
“Nëse DBF udhëhiqet nga vlerat, siç gjithmonë përpiqet të transmetojë, vendimi i vetëm që përshtatet në këtë rast është kombëtarja pa këta dy lojtarë. Me mua, apo me Uli Stein nuk ka reaguar njësoj. Unë nuk shoh një vijë të caktuar”, tha Stefan Effenberg në një intervistë për “T-Online”.
Effe u përjashtua për një vit nga kombëtarja, pasi u tregoi gishtin e mesit tifozëve gjermanë në Botërorin e vitit 1994.