Nga Ilir Ikonomi
Pjesë nga libri “Pushtimi: Ministri amerikan në Tiranë, Hugh Grant, rrëfen 7 prillin shqiptar”
Erdhi e premtja, 7 prilli, dita e kryqëzimit të Shqipërisë! Aty nga ora një e mëngjesit, ministri britanik më thirri në telefon nga Durrësi dhe më njoftoi se të gjitha luftanijet italiane, që kishin arritur në Gji një ditë më parë, ishin zhdukur. Sër Andrew dukej optimist dhe tha se po shkonte të flinte. Mirëpo, katër orë më vonë, në 5:30, kur isha duke u veshur, telefoni im ra përsëri. Ishte zonja Ryan, gruaja e ministrit britanik, e cila më tha se luftanijet ishin dukur përsëri në Gji dhe, sipas saj, ishin pesë kryqëzorë, dy anije transporti dhe një aeroplanmbajtëse. Më tha se, me sa dukej, italianët po përpiqeshin të zbarkonin trupa e se nga bregdeti dhe nga anijet kishin filluar të shtëna me armë.
“Kudo rreth nesh po bien plumba”, – tha zonja Ryan, por pastaj lidhja u ndërpre.
Kjo ishte fjala e fundit që ndonjë pjesëtar i trupit diplomatik dëgjonte nga legata britanike ose nga Durrësi, deri sa unë shkova atje vetë me automobil të dielën pasdite. Ndërkohë, atë të premte, i dërgova një telegram ambasadorit amerikan në Londër, Kennedy të cilit i kërkova të informonte ministrinë e Jashtme britanike për rrezikun në të cilin ndodhej legata e Britanisë, siç kuptohej edhe nga biseda ime me zonjën Ryan. Pas asaj bisede, unë komunikova me disa nga kolegët e mi, të cilëve u përcolla lajmin e luftimeve në Durrës. U dërgova gjithashtu mesazhe shtetasve amerikanë dhe britanikë në Tiranë, mes tyre stafit të Institutit Rockefeller, dy korrespondentëve të gazetave amerikane dhe disa turistëve amerikanë, të cilët i ftova të vinin në legatë për mbrojtje. Pak pas orës 7:00, shumë bombardues italianë filluan të qarkullojnë në qiellin e Tiranës. Kisha ngritur flamurin amerikan në legatë dhe kisha vendosur flamuj në të gjitha ndërtesat kryesore të saj. Disa nga këta aeroplanë hodhën miliona fletushka, të shtypura në letër të kuqe, çka i bënte të dukeshin si një shfaqje fishekzjarrësh. Fletushkat kishin këtë përmbajtje:
Shqiptarë! Ushtarët italianë që po zbarkojnë sot në territorin tuaj janë ushtarë të një populli, i cili ka qenë miku juaj në shekuj dhe ju ka dhënë prova për këtë miqësi. Mos bëni rezistencë të kotë, e cila do të shtypet. Mos dëgjoni njerëzit e qeverisë suaj, të cilët ju kanë varfëruar dhe duan që tani ju të derdhni kot gjakun tuaj. Trupat e Madhërisë së Tij, Mbretit të Italisë dhe Perandorit po vijnë dhe do të qëndrojnë aq sa është nevoja për të rivendosur rregullin, drejtësinë dhe paqen.
Pothuajse menjëherë, në legatë u dukën dhjetra njerëz të frikësuar, mes tyre zyrtarë dhe ish zyrtarë të qeverisë shqiptare. Në orën 8:00 i bëra një vizitë kolegut dhe fqinjit tim, ministrit gjerman, i cili shprehu habi kur i thashë se në Durrës po bëheshin luftime. Duhet kujtuar me këtë rast se ministri italian, Jacomoni, e kishte siguruar të hënën partnerin e tij të Boshtit, von Pannwitz, se nuk kishte kurrfarë kërcënimi për një ndërhyrje ushtarake italiane, madje as ndonjë ultimatum. Kur po bëhesha gati të largohesha nga legata gjermane dhe isha ende në tarracë me ministrin, aeroplanët bombardues fluturuan ulët mbi kokat tona. Numri i aeroplanëve dukej se po shtohej dhe, siç u njoftua më vonë, në njërin prej tyre ishte vetë Konti Ciano.
Gjatë paradites shkova me automobil në qendër të qytetit, që nuk ishte larg nga legata amerikane. Në shesh kishte turma burrash dhe djemsh mjaft të zemëruar. Një zyrtar shqiptar më tha se grupi përballë ministrisë së Jashtme ku kisha ndaluar, po kërkonte armë për të zprapsur pushtuesit. Nuk vura re ndonjë shenjë turbullie. Ndërkohë, luftimet, sipas njoftimeve të shpërndara nga zyra shqiptare e shtypit, po vazhdonin në katër porte të vendit, Durrës, Vlorë, Sarandë dhe Port Uillson (Shëngjin). Pushtuesit italianë, thuhej në to, po sprapseshin. Mbi kryeqytet vërtiteshin gjithnjë e më shumë aeroplanë. U ktheva në legatë dhe pak para mesditës mora pjesë në një mbledhje me shefat e misioneve diplomatike, të thirrur nga ministri grek, dekani i trupit diplomatik, i cili shpërndau kopje të një komunikate në frengjisht, që i ishte dorëzuar mbrëmjen e kaluar nga ministri i Jashtëm shqiptar. Ky memorandum përmbante një përshkrim të shkurtër të negociatave mes qeverive italiane dhe shqiptare. Në përgjithësi, ai ishte i ngjashëm me përshkrimin që më kishte bërë gojarisht Mbreti Zog një ditë më parë. Në mbledhje ishin të gjithë shefat e misioneve, përveç ministrit italian. Mes diplomatëve mund të vije re shenja të një farë kënaqësie të përmbajtur për lajmet e fundit nga fronti i luftës, të cilat tregonin se pushtuesit italianë po hasnin në rezistencë të vendosur. Nga lajmet e mëvonshme doli se pushtimi ishte sprapsur vetëm përkohësisht, kryesisht në Durrës. Njoftimet për luftimet, që jepeshin nga zyra shqiptare e shtypit deri pasditen vonë të ditës së premte, doli se ishin tejet të zmadhuara.
Në orën 14:30 (e premte), kur në territorin e legatës ishte mbledhur një turmë e madhe njerëzish, më vizitoi një zyrtar i ri shqiptar i Kryqit të Kuq, i cili tha se ishte ngarkuar nga autoritetet ushtarake shqiptare për të informuar legatat se në orën 17:00 qyteti do të bombardohej nga ajri. Ndërkohë radiostacioni i Tiranës vazhdonte të transmetonte pa pushim lajme nga luftimet në bregdet si dhe proklamata e fjalime. U transmetua një deklaratë e Mbretit Zog drejtuar popullit shqiptar dhe një komunikatë e qeverisë. Ish-Kryeministri Mehdi bej Frashëri, të cilin e kam përmendur edhe më sipër, i bëri thirrje botës në emër të Shqipërisë si dhe i dërgoi një telegram Musolinit, që gjithashtu u transmetua. Një profesor francez i gjimnazit të Tiranës transmetoi një thirrje në gjuhën frënge.
Mbreti Zog u bëri thirrje bashkatdhetarëve t’i qëndronin agresorit me të gjithë forcën. Ai tha se vetë ai, qeveria dhe populli kishin vendosur “t’i përgjigjeshin forcës me forcë dhe të luftonin me pushtuesin për çdo pëllëmbë tokë të vendit tonë të dashur deri në frymën tonë të fundit e në pikën e fundit të gjakut”.
Në telegramin për Musolinin, Mehdi Frashëri deklaronte se “shpirti i Gjergj Kastrioti Skënderbeut na thërret për sakrificën supreme. Ne parapëlqejmë të vdesim sesa të humbasim nderin tonë… Para pesë shekujsh, duart e gjakosura kundër nesh ishin ato të barbarëve aziatikë. A duhet atëherë që pas pesë shekujsh, në emër të kombit italian, ju të jeni barbarët e Perëndimit? Unë nuk do ta besoja…”
Tri orë pas transmetimit të këtyre fjalimeve, Mbreti Zog dhe anëtarë të qeverisë së tij ishin duke ikur drejt kufirit grek, ndërsa Mehdi Frashëri ishte vënë nën mbrojtjen e legatës turke, ku ai qëndroi më shumë se një javë, deri sa autoritetet italiane ranë dakord ta lejonin të kthehej në shtëpi.
Meqenëse bombardimi i qytetit, për të cilin flitej, nuk u bë, në orën 17:00 shkova në ministrinë e Jashtme për të sqaruar se çfarë po ndodhte, nëse do të ishte e mundur. Në zyrë gjeta një njeri, dr. Mihal Sherkon, sekretar i përgjithshëm i ministrisë dhe drejtor i zyrës së shtypit. E pata shumë të vështirë të merrja ndonjë informacion, për shkak të telefonatave të shumta që i vinin dr. Sherkos. Pasi mbajta shënim disa shifra nga rezultatet e luftimeve nëpër porte, hoqa dorë i mërzitur dhe u ndava me dr. Sherkon ndërkohë që ai fliste në telefon.
Në shesh ishte mbledhur një turmë mjaft e madhe burrash dhe djemsh të paarmatosur që vinin vërdallë. Ora ishte 18:15 dhe kishte rënë muzgu. Papritur, në rrugën e Durrësit, vetëm pak më tej, u dëgjua një breshëri shurdhuese të shtënash. Turma u zhduk si me magji, ndërsa të shtënat vazhdonin. Bashkë me njerëzit në shoqërinë time – një korrespondent i agjencisë Associated Press dhe përkthyesi i Legatës – hymë në automobil, i cili duket se ishte i vetmi që kishte mbetur në shesh dhe u larguam me shpejtësi për në legatë. Shkova në fillim në përfaqësinë greke, matanë rrugës, për të diskutuar mbi gjendjen me kolegun tim, i cili më njoftoi se para 30 minutash Mbreti dhe suita e tij kishin kaluar përpara legatës në rrugën e Elbasanit.
Ishte errur mjaft. Të shtënat vazhdonin dhe me sa duket kishin arritur qendrën e qytetit. Kishim përshtypjen se trupat pararojë të ushtrisë italiane, që thuhej se kishin përparuar deri në Rrugën e Durrësit, kishin hyrë në kryeqytet dhe po sulmoheshin nga shqiptarët.
I kisha udhëzuar qysh më parë punonjësit e legatës të kujdeseshin për njerëzit që kërkonin strehim dhe tani ne po i zbatonim këto masa, duke i sistemuar refugjatët në bodrumet e tri ndërtesave dhe në vende të tjera të mbrojtura. Gjatë gjithë natës u kujdesëm për afro 250 njerëz. I fikëm të gjitha dritat e legatës dhe u përgatitëm për bllokadë. Prisnim nga çasti në çasti të fillonin luftimet aty pranë, në Rrugën e Elbasanit, e cila të nxjerr nga qyteti. Por të shtënat vazhduan në qendër. Ato u pakësuan dalëngadalë dhe, aty pas mesnate, dëgjoheshin vetëm rrallë.
Të shtunën në mëngjes, menjëherë pas agimit, vendosa të hetoj gjendjen. Mora me vete një amerikan të strehuar tek ne si dhe kafazin e legatës dhe e ngava automobilin drejt qendrës, rreth pesë minuta larg. Ende dëgjoheshin të shtëna aty-këty. Pranë legatës italiane kishte pesë-gjashtë xhandarë, ndërsa në rrugë ishin disa ushtarë të mbetur. Të gjitha dyqanet kishin ulur qepenët. Kur arrita në sheshin kryesor, më zuri syri një grup të vogël njerëzish përpara ndërtesës së ministrisë së Brendshme dhe vendosëm të shkojmë atje. Një numër xhandarësh të tjerë po hynin në ndërtesë dhe na u duk se në duar kishin kuti me municion. Më thanë se kolonel Stamati, Shef i Shtabit të Xhandarmërisë, dhe zoti (Ndoc) Naraçi, drejtor i Komunikacionit Shqiptar ndodheshin brenda ndërtesës dhe pranuan të takoheshin me mua. Në një bisedë me tre zotërinj, mora vesh se në komandë të situatës ishte kolonel (Manlio) Gabrielli, atasheu ushtarak italian, se të shtënat gjatë natës kishin ardhur kryesisht nga të burgosurit shqiptarë të liruar pak kohë pas ikjes së Mbretit dhe suitës së tij të premten, në orët e vona të pasditës, se pallati i Mbretit Zog ishte plaçkitur dhe se trupat italiane po u afroheshin rrethinave të Tiranës nga Rruga e Durrësit.
Kolonel Stamati ishte disi i paqartë lidhur me të shtënat. Lirimi i të burgosurve dhe plaçkitja e Pallatit brenda një ore pas ikjes së Mbretit mbetej një mister. Megjithë kërkimin këmbëngulës të fakteve, ende nuk kam gjetur një shpjegim të kënaqshëm. Disa thonë se lirimi i të burgosurve ishte në përputhje me zakonin e vjetër shqiptar, që zbatohet sa herë ka turbullira. Thuhet se, sapo nisi të përhapej lajmi i ikjes së Mbretit Zog, xhandarët i lanë postet dhe të burgosurit dolën nga qelitë. Të tjerë thonë se të burgosurit u liruan nga malësorë, të cilët kishin qenë në pritje. Por, kush e nisi batarenë e papritur, që mua mu duk se ishte punë e organizuar, pasi po qëndroja në sheshin kryesor, pra jo shumë larg? Si ka mundësi që të burgosurit e liruar i gjetën kaq shpejt armët? Ndoshta njërën nga këto ditë do të zbulohet se e ashtuquajtura “natë terrori” në Tiranë dhe plaçkitja e Pallatit ka qenë pjesë e një komploti italian të planifikuar me kujdes dhe me dinakëri për të diskredituar Mbretin dhe si një pretekst për gjoja nevojën e sjelljes së trupave italiane për shtypjen e turbullirave. Me sa kuptohej, pjesa më e madhe e të shtënave ishin kuturu, pa ndonjë qëllim të caktuar. Megjithëse nuk e vizitova Pallatin, sipas informacioneve të besueshme, duket se ai nuk u plaçkit siç thuhej në lajmet e shtypit. Më thanë se nuk kishte patur dritare të thyera dhe se dëmet kryesore kishin qenë vjedhje nga njerëz të varfër të sendeve që Mbreti nuk kishte mundur t’i merrte dot me vete. Mirëpo, propagandistët e zgjuar italianë e shfrytëzuan në maksimum këtë ngjarje dhe, siç ndodh zakonisht, ajo arriti të depërtojë edhe në shtypin amerikan.
Të shtunën në mëngjes, rreth orës 9:30, zonja Grant, një punonjës i legatës dhe unë, shkuam me automobil në qendër të qytetit për të parë hyrjen e trupave italiane. Mbi qytet fluturonin qindra aeroplanë dhe ne mësuam më vonë se në aeroportin e Tiranës ishin ulur 300 aeroplanë me një detashment prej rreth njëmijë ushtarësh italianë. Mes atyre që kishin ardhur ishte edhe ministri i Jashtëm italian, Konti Ciano. Në shesh qendronte në heshtje një turmë burrash dhe djemsh prej rreth njëmijë vetësh. Vështrimet e tyre ishin të përhumbura. Pak përpara orës 10:00, pararoja e ushtrisë pushtuese, bersalierët me helmetat prej çeliku të zbukuruara me emblemën e tyre prej puplash, hynë në shesh me motoçikleta, të ndjekur nga tanket dhe nga këmbësoria. Gjenerali italian që komandonte operacionin, Alfredo Guzzoni, hyri në Bashki, ku priti personalitetet e ndryshme shqiptare, mes tyre edhe përfaqësuesit e disa besimeve fetare.
fatkeqesija ma e madhe e shqiperise me ik italia nga shqiperia me hy kriminelet vampiret komuniste