Nga Bashkim Zeneli
Pjesë nga libri ‘Miqësi e trazuar: Greqia në kujtimet e ambasadorit’
Me ish-ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Hans Dietrich Genscher (23 vjet ministër në qeveri të majta e të djathta dhe nga këto 18 vjet ministër i Punëve të Jashtme) në Gjermani jam takuar disa herë dhe, në një rast, së bashku me disa miq të tij, kam qenë i ftuar edhe në shtëpinë e tij. Prej tij do të ruaj si një kujtim shumë të çmuar librin me kujtime që më dhuroi e që ishte botuar në vitin 1995 “Erinneringen” (kujtime) të botuar nga Siedler Verlag …
Në librin tim “Për Gjermaninë – histori diplomatike dhe kujtime” kam folur shumë për këtë figurë të madhe politike e diplomatike europiane, me kontribute të jashtëzakonshme jo vetëm për vendin e tij, por për të ardhmen e Europës dhe paqes e lirisë në botë. Por jam takuar edhe në Athinë me z. Genscher, në dy raste, në Konferencën e Europës Juglindore të Forumit Ekonomik Botëror, në vitin 2003, dhe në një konferencë tjetër të organizuar në vitin 2004 nga “The Economist”.
Dhe në këto radhë kujtimesh, do të ndalem në bisedën me ish-ministrin Genscher për raportet Shqipëri-Greqi, për nevojën e fqinjësisë së mirë, por edhe për traditat e përbashkëta e fisnike të dy popujve tanë miq. Mësova shumë nga çfarë më tha, por edhe mësoi nga unë për praninë e madhe të emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe rolin e tyre të spikatur në shoqërinë greke, për forcimin e miqësisë midis popujve tanë.
Nuk do të harroj kurrë atë modesti të atij burri të shquar gjerman. I qetë, i qeshur, i vëmendshëm, i veshur si gjatë gjithë jetës, me pulovër të verdhë, me syzet e mëdha që i fshinte vazhdimisht, me vëmendjen e përhershme ndaj njerëzve që e përshëndesnin në tavolinën ku ishim ulur, ai burrë të impononte një respekt të pafund. Përdorte vazhdimisht shprehjet: “aber ja” (sigurisht); “natürlich” (natyrisht); “das wuste ich nicht” (këtë nuk e dija) etj., etj
Pra asgjë nuk është e lehtë për vendet e rajonit. Unë i vlerësoj miqtë e mi grekë për punën që po bëjnë për të kurorëzuar me sukses presidencën e BE-së. Jam i sigurt se edhe Shqipëria do të dijë ta shfrytëzojë këtë. Nuk ka asnjë rrugë tjetër jashtë të ardhmes europiane. Europa është e duhet të jetë shtëpia jonë e përbashkët.” I fola se ne u kushtojmë shumë rëndësi marrëdhënieve me Greqinë, jo vetëm si vende fqinje, por edhe për rolin që luan si vend anëtar i NATO-s dhe BE-së në proceset tona integruese. I tregova ministrit Genscher se ne kemi këmbëngulur dhe kemi gjetur mirëkuptimin e plotë të palës greke, por edhe të Brukselit, që në Samitin e Selanikut të jetë e përfaqësuar edhe Kosova.
“Po, kam mësuar për këtë”, do të ndërhynte z. Genscher, “ky është vërtet një lajm shumë i mirë. Kosova kurrsesi nuk mund të lihet jashtë proceseve integruese. Duhet shumë kujdes në këtë drejtim. Kosova ka tani rrugën e saj të lirisë dhe të paqes dhe unë gjykoj që Kosova, jo shumë larg, do të jetë një shtet i pavarur. Unë po them një të vërtetë. Unë kështu mendoj. Kthim mbrapa nuk ka më, por edhe nën Serbinë jam i bindur që nuk mund të qëndrojë më. Është një histori që do të thosha se ka marrë fund.”
Tani në Kosovë ka një rëndësi shumë të madhe fillimi i një procesi të pajtimit midis shqiptarëve dhe serbëve. Tani, që nga mbarimi i luftës me ndërhyrjen e NATO-s, kanë kaluar gati 5 vite dhe ata duhet të mësohen të jetojnë në paqe, në harmoni dhe në mirëkuptim me njëri-tjetrin. Nuk ka rrugë tjetër. Nuk do lejuar në asnjë mënyrë që të ringjallen armiqësitë e vjetra. Prandaj më vjen shumë mirë që Kosova do të jetë në Selanik. Do të ishte gabim shumë i madh të gjykohej ndryshe. Unë e njoh mirë kryeministrin e Greqisë, z. Simitis. Ai është një udhëheqës europian i spikatur… po është edhe një gjermanishtfolës i shkëlqyer.
Duke biseduar më tej për marrëdhëniet me Greqinë, zoti Genscher do të niste një “leksion” për nevojën e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit me fqinjët:
“Nuk mund të ketë marrëdhënie të mira me shtetet pa qenë të mira, në radhë të parë, me fqinjët. Midis fqinjëve gjithmonë ka pasur probleme për shumë e shumë arsye, probleme të së kaluarës, çështje kufitare, historike etj. por gjithmonë duhet gjetur gjuha e dialogut, e bisedimeve, e kompromiseve. Nuk ka zgjidhje pa kompromis. Përvoja ime e gjatë si ministër i Jashtëm, edhe para, por edhe pas rënies së Murit të Berlinit, me faqen e re të historisë që iu hap ish-vendeve komuniste, më ka mësuar shumë në këtë drejtim. Ju e dini, z. ambasador, ne kemi pasur shumë probleme në të kaluarën me Francën, me Poloninë, me Holandën, me Çekosllovakinë, që pas Luftës së Dytë Botërore. Me Francën kemi pasur dekada e dekada përplasjesh e luftërash, deri në vitin 1945. Por kemi pasur shumë probleme edhe me ish-Bashkimin Sovjetik, si fuqi që humbëm luftën. Dhe shumë natyrshëm edhe me RDGj-në. Ishim një komb, një vend, një popull që u ndamë me ndëshkimin e humbësit… Po kështu ka qenë… kjo është e vërtetë. Ne kemi pasur bisedime me udhëheqësit e RDGj-së për të bashkëpunuar e për të lejuar lëvizjen e lirë të qytetarëve në një atdhe të ndarë. Kanë qenë bisedime shumë të vështira. Sigurisht, Berlini Lindor ishte më shumë se çdo vend i Lindjes nën ndikimin e Bashkimit Sovjetik dhe për çdo gjë do të pyetej Moska. Por ne punuam shumë edhe me Moskën, sidomos pas ardhjes në pushtet të Gorbaçovit. Ju e dini, zoti ambasador, se sa shumë kemi punuar edhe me Poloninë, sidomos në prag të ribashkimit gjerman. Ne dhamë garanci se nuk do të ndryshonin kufijtë Oder-Najse … Nuk ishte e lehtë dhe morëm vendime të guximshme. Sot ne kemi marrëdhënie shumë të mira me ato vende fqinje që kemi pasur probleme. Dhe i kemi zgjidhur problemet vetëm me dialog, me mirëkuptim dhe me kompromis”.
(E kam njohur mirë këtë histori të marrëdhënieve të Gjermanisë me fqinjët dhe përpjekjet e pafundme politike dhe diplomatike për zgjidhjen e problemeve të së kaluarës. Por, në këtë fushë, kam lexuar edhe një libër jashtëzakonisht interesant të ish-kancelarit Helmut Schmidt: “Die Deutschen und ihre Nachbarn” [Gjermanët dhe fqinjët e tyre], botuar në vitin 1990 nga shtëpia botuese “Goldmann”. Ka rreth 700 faqe dhe e kam lexuar para një viti. Helmut Schmidt e ka shkruar atë pak muaj para ribashkimit gjerman. Sa mrekullisht ka shkruar ky burrë i madh shteti për marrëdhëniet me fqinjët. “Gjermanët kanë më shumë fqinj sesa kombet e tjera të Europës… Dhe për shumë arsye na e ka bërë të vështirë që të jetojmë në paqe me fqinjët, në krahasim me shumicën e vendeve të tjera të kontinentit. Por ka qenë detyra jonë që të punojmë për të përmbushur me vullnet të mirë çdo hap për të kapërcyer urrejtjen e për të bashkëjetuar në paqe e harmoni. Interesat e fqinjëve nuk duhen nënvlerësuar kurrë, si partnere për paqe. Ne kemi qenë e jemi përherë të gatshëm për kompromis me fqinjët. Ka qenë dhe mbetet detyrë e rëndësishme e jona që me të gjithë fqinjët tanë të jetojmë në paqe dhe në fqinjësi të mirë”.)
E përmenda këtë fakt, e mund të përmendja edhe të tjera, për të shënuar pikërisht atë politikë të qartë e vizionare për të cilën po bisedonte ministri Genscher, një parimësi konsekuente, një vullnet europianist i burrave të mëdhenj të shtetit për të bërë politikë, diplomaci, për të dhënë e për të marrë me kompromis, për të njohur e respektuar secilin fqinj dhe, mbi atë bazë, për të ndërtuar marrëdhënie miqësie, bashkëpunimi dhe mirëkuptimi.
“Për ta mbyllur këtë temë, z. ambasador”, do të thoshte qetësisht ish-ministri legjendar Genscher, “doja të thosha se me fqinjët duhet punuar gjithmonë, çdo ditë, për të shkuar mirë e për të qenë fqinjë të mirë. Dhe Shqipëria ka zgjedhur drejt këtë rrugë. Kjo është një filozofi. Ju po luani e po jepni një kontribut të madh për paqen dhe stabilitetin në Rajon…”