fbpx

Dikur

BOTIMI I UET-PRESS/ ‘Italia, Greqia dhe propaganda’





               Publikuar në : 09:31 - 13/12/18 |
mapo.al

Nga Ilir Ikonomi


Pjesë nga libri ‘Faik Konica: Jeta në Uashington’



Më 15 tetor 1940 paradite, në zyrën e Duçes në Palazzo Venezia u bë mbledhja historike, në të cilën zyrtarët më të lartë fashistë diskutuan planin përfundimtar të sulmit kundër Greqisë. Mbledhja u hap me një fjalim deklamativ të Musolinit, i cili pastaj pyeti Jacomonin se çfarë mendonte.


FRANCESCO JACOMONI: Në Shqipëri po presin me padurim që ne të fillojmë aksionin. Vendi është mjaft entuziast aq sa ka një ndjenjë thuajse zhgënjimi për vonesën tonë. Kemi marrë masa të plota për të garantuar furnizimet e mjaftueshme. Natyrisht nëse bombardohet porti i Durrësit mund të kemi vështirësi për t’i zëvendësuar ato. Rrugët janë përmirësuar mjaft megjithëse nuk janë ende në gjendje plotësisht të kënaqshme.

BENITO MUSSOLINI: Ç’mendojnë shqiptarët për gjendjen në Greqi?

FRANCESCO JACOMONI: Nuk është e lehtë ta thuash. Opinioni publik duket indiferent. Ne botuam lajmin se mbesa e një patrioti shqiptar të martirizuar ishte vrarë nga grekët por ata e mohuan. Informatorët tanë na thonë se ndërsa para dy muajsh grekët nuk dukeshin të gatshëm për të luftuar, tani ata duken të vendosur të na rezistojnë… Pastaj, duhet të kemi parasysh ndihmën që grekët mund të marrin nga deti nga britanikët.

BENITO MUSSOLINI: Jam absolutisht i sigurt që ata nuk do të dërgojnë trupa.

FRANCESCO JACOMONI: E vetmja gjë e rrezikshme do të ishte të përpiqeshim për një pushtim të pjesshëm dhe jo të plotë. Në këtë rast, nëse britanikët kanë një numër të mjaftueshëm avionësh, ata mund të sulmojnë Italinë e jugut dhe Shqipërinë nga aeroportet në jug të Greqisë. Vetë grekët kanë një forcë ajrore prej vetëm 144 avionësh, gjë që nuk është fare për t’u merakosur…

Në mbledhje ishte edhe Ciano si dhe gjeneralët Soddu, Visconti Prasca dhe Badoglio, të cilët u pyetën një nga një nga Musolini nëse pushtimi ishte i mundur. Duçja u bind se suksesi ishte i garantuar. Zari ishte hedhur dhe operacioni filloi pas 13 ditësh, më 28 tetor, nën një shi të rrëmbyer dhe në një front mjaft të gjerë. Trupat italiane ishin të stërvitura dhe të furnizuara keq dhe, ashtu si në rastin e zbarkimit në Shqipëri, komandimi ishte i dobët. Shumë shpejt, operacioni hasi në probleme. Tanket italiane nuk lëviznin dot në terrenin e vështirë, aeroplanët u bllokuan nga moti i keq, morali i trupave ishte i ulët. Nga mesi i nëntorit, grekët nisën kundërmësymjen dhe jo vetëm që i nxorën ushtarët italianë nga Greqia, por pushtuan një nga një disa prej qyteteve të jugut të Shqipërisë. Në fillim ra Korça, pastaj me radhë Gjirokastra, Pogradeci dhe Saranda. “Forcat italiane po ia mbathin me aq shpejtësi, sa që grekët nuk arrijnë dot të mbledhin armatimet e shumta që ata lënë pas”, shkruante gazeta New York Times. Dhe shtonte: “Opinioni ushtarak tani është se, më e mira që mund të bëjnë italianët është të tërhiqen drejt veriut, të rregullojnë formacionet dhe të gjejnë mbulim në malet prapa lumit Shkumbin i cili e ndan Shqipërinë për gjysmë”. Gjendja ishte aq serioze, sa që Duçja e pranoi përpara gjeneralëve se ajo mund të bëhej edhe tragjike.

Në Uashington, Faiku refuzonte ta pranonte humbjen italiane. I pyetur nga Washington Post-i nëse sukseset ushtarake greke, që arritën kulmin me rënien e Korçës, ishin parathënie e disfatës së Italisë fashiste, ai u përgjigj me buzëqeshje: “Në gjithë historinë e gjatë të botës, asnjë luftë nuk do të ishte fituar nëse fjala ‘tërheqje’ do të ishte sinonim i disfatës, nëse nuk do të kishte qenë e mundur që një gjeneral fitimtar të tërhiqej”. Ushtria italiane, tha Faiku, do të reformohet nën Gjeneralin Ubaldo Soddu në një front të ri dhe grekët nuk kanë as ushtarë e as burime të mjaftueshme. Edhe britanikët nuk janë në gjendje të japin ndihmën e nevojshme për të shmangur fitoren përfundimtare fashiste.

Por Italia nuk e mori dot veten. Musolinin e shpëtoi nga poshtërimi i plotë ndërhyrja e Gjermanisë në prill 1941. Brenda një muaji, një luftë rrufe e vuri Greqinë nën pushtimin e tre fuqive të Boshtit, Gjermanisë, Italisë dhe Bullgarisë. Shteti i Musolinit mund të përshkruhej fare saktë si një shtet i propagandës. Një makinë e stërmadhe në Romë prodhonte fjalë pa fund që glorifikonin të kaluarën duke e lidhur atë me historinë fashiste “që ishte duke u shkruar”. Propaganda synonte ta paraqiste Italinë e Musolinit si një vend të pasur, të begatë, të respektuar dhe që imponon frikë. Herë-herë ajo bëhej shurdhuese, dukej fare e trashë dhe të habiste me idiotësinë e vetëlavdërimeve. Por në këtë vorbull gënjeshtrash heroike përzihej edhe një grusht të vërtetash të padiskutueshme që kishin lidhje, për shembull, me artin e pavdekshëm të Rilindjes italiane dhe si rrjedhojë, konsumatorit të propagandës, qoftë brenda apo jashtë Italisë, nuk mund të mos i krijohej një ndjenjë adhurimi. Gjithçka në këtë mjegull ishte një mashtrim i paskrupullt, sepse fashizmi e kishte tradhtuar prej kohësh Rinascimenton.

Me ndjenjat e atdheut imperial i përkundte propaganda e Musolinit edhe ata katër milionë e gjysmë italianë që jetonin në Amerikë dhe këtu Roma llogariste edhe shqiptaro-amerikanët, duke qenë se formalisht Shqipëria ishte pjesë e perandorisë. Ambasada italiane në Uashington, me kreun e saj Colonna dhe konsullatat e shpërndara në të gjithë Amerikën, ishin skalionet e para të kësaj mësymjeje që bëhej me anë të radios, gazetave si dhe nëpër shkolla, kisha e kinema. Librat që botoheshin në Shtetet e Bashkuara për të glorifikuar Musolinin u shpërndaheshin falas pedagogëve të universiteteve dhe faktet tregonin se propaganda fashiste kishte depërtuar edhe në shtypin e përditshëm amerikan. Konsullatat më të rëndësishme kishin nga një “agjent kulturor” i cili i merrte udhëzimet nga ambasada në Uashington. Propaganda italiane në Amerikë ishte e kujdesshme që të mos shprehte prirje antiamerikane të cilat mund të ngjallnin dyshime. Me këto mënyra italianët provuan të veprojnë edhe me Vatrën në Boston si mjet për të ndikuar te komuniteti shqiptar i Amerikës. Me ndihmën e Faikut dhe të kryeredaktorit Peter Tyko, drejtimi i Diellit ndryshoi brenda një kohe të shkurtër. Ish-ministri kujdesej që Italia dhe italianët të mos cenoheshin në shkrimet e gazetës ose të cekeshin vetëm shkarazi.

Ishte e qartë se Faikut nuk i interesonte fare fashizmi si ideologji. Shkrimet e Diellit nuk përmbanin fjalë lavdërimi për fashizmin qoftë edhe me nënkuptime. E gjithë kjo dukej si një lojë dhe nuk kuptohej se kush ishte duke e përdorur tjetrin. Italianët përpiqeshin të përdornin autoritetin e Faikut për të ndikuar mbi shqiptaro-amerikanët, sepse një proitalianizëm në mes të diasporës mund ta ndihmonte Musolinin të qeveriste më lehtë në Shqipëri, ku italianët shiheshin si pushtues dhe irredentizmi si ndjenjë nuk ishte aq i përhapur sa pat menduar Ciano.546 Faiku ndërkaq mbështetej te italianët për të diskredituar publikisht Greqinë, e cila nuk hiqte dorë nga pretendimet ndaj Shqipërisë së jugut. Në fillim të vitit 1941, ndërsa rezultati i luftës italo-greke ishte i paqartë, Faiku shkruante se “cilido që di historinë e vendit tonë, duhet të dijë se grekët kanë ngulur këmbë gjithnjë se vendet e Toskërisë duhet të jenë nën flamurin grek. Atëherë, si mund të presim liri të Shqipërisë po të jetë se del Greqia faqebardhë në luftë”?

Pas pak muajsh, kur Greqia u pushtua nga Boshti, Faiku nuk e fshehu lehtësimin në artikullin e tij “Pas dehjes”: “Grekët, – shkruante ai, – kanë një zakon të keq, që dehen me të tepër – dehen me ëndrra dhe me fjalë. U dehnë gjashtë muaj me radhë, tani u bënë esëll dhe po mejtohen në mes të gërmadhave dhe të gjakut se ç’u ndodhi”.

Shpresat se italianët do të bënin realitet bashkimin e territoreve etnike shqiptare, papritur ishin rigjallëruar te Faiku. “Nuk dihet se si do të vejë fati i Shqipërisë në fund të kësaj lufte, por shpresojmë që të përmblidhen të gjithë shqiptarët në një shtet në bazë ethnollogjike. Vendet në Greqi dhe në Jugosllavi ku shumica e popullit flet shqip ose vjen prej gjak shqiptari duhet t’i jepen Shqipërisë”, deklaronte po atë ditë Dielli në faqe të parë.

Në nëntor 1940 në Londër, dy shqiptarë në të tridhjetat, Dervish Duma dhe Anton Logoreci, me anë të një letre, i luteshin Faikut që të mos bënte apologjinë e Italisë. I pari, nga Borshi i Sarandës, kishte qenë përkthyes i gjeneralit anglez Jocelyn Percy (Xhoslin Përsi) për riorganizmin e xhandarmërisë shqiptare, pastaj diplomat i Zogut në Londër deri në pushtimin italian dhe tani punonte për një kompani britanike të prodhimit të letrës. I dyti, një katolik nga Shkodra, ishte bërë përkthyes i gjeneralit Percy pas ikjes së Dumës, kishte mbaruar Shkollën Ekonomike të Londrës dhe tani punonte për BBC-në. Ata i kërkonin Faikut të vinte në Londër e të punonte me ta për themelimin e një organizate patriotike shqiptare, që do të ishte një qeveri në mërgim për Shqipërinë e lirë, madje të bëhej udhëheqësi i saj. Faiku u përgjigj se nuk dëshironte të merrej me politikë dhe se kishte ndërmend t’i përkushtohej historisë dhe letërsisë. “Edhe sikur të doja të përzihesha në politikë, – shkruante ai, – sigurisht që nuk do të zgjidhja çastin e tanishëm për ta bërë këtë”.

Ju jeni të dy nacionalistë të sinqertë por jeni veriorë. Ju nuk mund t’i kuptoni ndjenjat e një shqiptari jugor. Është një ndër mallkimet e Shqipërisë fakti që ndarja krahinore ka qenë gjithmonë një parim udhëheqës mes shqiptarëve. Nuk do t’ju mërzis me shëmbuj nga historia për t’ju treguar se çfarë i ka bërë Greqia Shqipërisë së Jugut. Por mund të blini për pak shilinga librin e Zonjës Durham të botuar në Londër në vitin 1920, me titull Njëzet vjet ngatërresa ballkanike, i cili do t’ju freskonte kujtesën për krimet greke të 1913-s: vrasje në masë, djegie sistematike, përdhunime të panumërta, edhe të vajzave nën 15 vjeç; këto janë bëmat e bukura të grekëve në vitin 1913… Kështu siç janë punët në Evropën Juglindore, një udhëheqës shqiptar në Londër do të detyrohej t’i falte të gjitha këto bëma të bukura… Më lejoni t’ju kujtoj se, çfarëdo që i ka bërë Italia Shqipërisë, ka qenë e një natyre politike; ajo që Greqia i ka bërë Shqipërisë ka qenë më tepër se sa diçka politike, një agresion kundër shtëpive dhe nderit të familjeve.

Në Nju Jork, në stafin prej pesë vetash të konsullatës italiane kishte edhe një sekretar shqiptar. Ai ishte Hito Sadik, një 40-vjeçar me flokë të zeza e të dendura dhe me fytyrë si të skalitur. Kishte ardhur në Amerikë për të dytën herë më 1920 dhe ishte bërë mjaft aktiv brenda Vatrës. Ishte tip i ditur, nga ata të cilëve u lexohet prej së largu një farë delli prej poeti. Hitoja kishte qenë sekretar i Faikut në legatën shqiptare të Uashingtonit mes viteve 1927 dhe 1929, pastaj ishte transferuar në konsullatën e Bostonit dhe më 1937 në atë të Nju Jorkut, ku konsull ishte de Montale. Shtatë prilli i 1939-s përmbysi gjithçka dhe Hitoja u gjend në rrugë të madhe. Por në dhjetor 1940 filloi të punojë për italianët, të cilët kishin nevojë për shqipfolës. Faiku shihte tek Hitoja një mik besnik me të cilin merrej vesh më së miri. Në fillimin e vitit 1941, Hitoja botoi me fonde italiane një broshurë në anglisht që titullohej An Albanian Letter (Një letër shqiptare). Libri, i shtypur në mënyrë luksoze nga një shtëpi botuese italiane e Nju Jorkut, mund të përshkruhej si një orvatje për të diskredituar pretendimet greke ndaj jugut të Shqipërisë. Ai dilte pikërisht në kohën kur lufta italo-greke kishte hyrë në një fazë ngrirjeje: grekët kishin gozhduar mijëra trupa italiane dhe kishin pushtuar thuajse çerekun e Shqipërisë duke i vënë italianët në pozitë të vështirë. Justifikimi që jepte autori për botimin e broshurës tamam në këtë kohë ishte nevoja për të korrigjuar disa “koncepte të gabuara që përhapen mbi Shqipërinë nga njerëz të cilët e njohin pak atë”.

Në libër, Hitoja përpiqej të përligjte se përse Shqipëria u lidh aq shumë me Italinë në vitet ’30, duke dhënë dy arsye: nevojën për ndihmë ekonomike që kishte vendi dhe domosdoshmërinë për mbrojtje ushtarake ndaj një agresioni serb dhe grek. Më tej deklaronte se bashkimi me Italinë do të ishte jashtëzakonisht me leverdi për kombin shqiptar. Hitoja dukej i sinqertë në patriotizmin e tij dhe lavdërimet për italianët i kishte të kursyera. Por është e kuptueshme se shkrime të tilla botoheshin nën kontrollin e rreptë të autoriteteve fashiste, si pjesë e propagandës së tyre. Për nga mënyra e analizës, Një letër shqiptare dukej si një vazhdim i broshurës së Faikut, Sfondi i konfliktit italo-grek. Libri prej 61 faqesh trajtonte propagandën që, siç shkruante autori, kanë bërë grekët përmes fesë dhe përpjekjen për ta konsideruar si grek çdo shqiptar të krishterë. Ai pohonte se serbët kishin ndjekur të njëjtën politikë, duke u përpjekur të merrnin Shqipërinë e veriut. Faiku citohej katër herë në libër, por Hitoja nxitonte të përmendte se autori i broshurës Sfondi i konfliktit italo-grek “në asnjë rrethanë nuk mund të akuzohej si proitalian”. Kapitulli ku autori përshkruante të kaluarën e shqiptarëve si komb, duke përmendur pasazhe nga Bajroni dhe Hobhouse, të kujtonte esetë për historinë e Shqipërisë që pat shkruar Faiku vite më parë. Megjithëse nuk ka ndonjë të dhënë konkrete, Faiku mund të ketë patur dorë në shkrimin e broshurës së Hitos. Një raport i Departamentit amerikan të Drejtësisë, i deklasifikuar me kërkesën time në qershor 2010, zbulon se FBI-ja kishte dijeni për disa takime që Faiku dhe Hitoja kishin patur mes 24 dhjetorit 1940 dhe 3 janarit 1941 në Nju Jork, periudhë që përkon me botimin e librit An Albanian Letter.


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas