Nga Bashkim Zeneli
Pjesë nga libri i diplomatit dhe Mjeshtrit të Madh me titull: “Miqësi e trazuar, Greqia në kujtimet e ambasadorit”
Me Artistin e madh të Popullit, Kadri Roshi, jam njohur në mesin e viteve ’80. Hysen Pelinku, këngëtari i shquar, mik i familjes sonë, kishte shumë miqësi me Kadri Roshin. Të dy ishin të njohur për pasionin e madh në gjuetinë e peshkut. Punoja në Televizion dhe makinat e redaksisë së informacionit, çdo të shtunë apo të diel shkonin në qytetet kryesore për të regjistruar ndeshjet e futbollit. Dhe Hysen Pelinku dhe Kadri Roshi, do të udhëtonin me to, sidomos në Lezhë.
Mbas viteve ’90, kur isha deputet i PS, Kadri Roshi, së bashku me artistët e tjerë të mëdhenj të skenës dhe ekranit Reshat Arbana, Violeta Manushi, Lazër Filipi Luftar Paja etj., do të ishin ndër të paktët që hapur do të mbështesnin PS. Kadri Roshit, edhe kur shkova në Gjermani e vija me shërbim në Tiranë, do t’i shkoja në shtëpi, mbas kafe Florës së dikurshme… Gëzohej dhe donte të dinte për politikën: Pa hë, më thuaj një herë, këta gjermanët e kanë me tërë mend, do na mbështesin? Se, ndigjo Bashkim, nuk ka si Gjermania sot në Europë… Po për Kosovën, ç’thonë, si do i vejë halli?… O sa më gëzove që erdhe… po rrofsh o Bashkim, po ç’është ky uiski? Po të faleminderit shumë… e pi ngahera një gotë… po ç’të bëj?… Drita, bashkëshortja, artiste e Teatrit të Operës dhe Baletit, një grua shumë fisnike dhe e qetë, do të kërkonte të më gostiste me çfarë të mundët. Kishte një merak të madh për djalin, Klitin, që ishte larguar për të punuar e jetuar në Greqi.
Prof. Kadriu do të vinte shpesh në Greqi për të qëndruar disa ditë. Kliti do të më vinte në dijeni dhe do të shkoja ta merrja në shtëpi, në Nikla, për të dalë diku, për të pirë kafe apo për të pirë verë. Gëzohej shumë.
Në më të shumtën e herëve, kur ishim për kafe, shkonim në “Grand Bretagne”. Në një rast do të vinte të na takonte drejtori i Hotelit, Tem Amaniadis, një burrë shumë miqësor dhe i ditur. I fola për Kadri Roshin, i thosha se është ndër artistët më të mëdhenj e me të dashur të Shqipërisë… Më vjen shumë mirë, z. ambasador që keni ardhur këtu – do të më thoshte drejtori. – Nëse nuk keni ndonjë program për më vonë, do t’ju ftoj të hamë drekën bashkë këtu… Kam vërtet kënaqësi… Dhe ndenjëm sëbashku në një solet të restorantit. M’u desh të përktheja, por me shumë kënaqësi, kur Kadri Roshi filloi të flasë për letërsinë, dramaturgjinë dhe tragjeditë greke, për figura të shquara të antikitetit, për teatrin e famshëm antik etj., etj. Zoti Tem Amaniadis do të mbetej i befasuar…
Do të uleshim edhe për ndonjë drekë apo darkë në restorantet në bregdet. Në Vuliagmeni, në fund të rrugës ishte një restorant ku punonin disa shqiptarë… Ata do të gëzoheshin që do të takonin Kadri Roshin, do të bënin fotografi me të e nuk do të më linin të paguaj. Artisti i madh pinte më shumë uzo. E shihte gotën dhe më drejtohej: e kanë të mirë këtë të bekuar dhe e pinte me kënaqësi, duke fshirë me dorë buzët. Edhe verën e kanë të mirë… Ndigjo! Janë të mirë grekët, janë popull me tradita, me histori… Po më thuaj kush kishte teatër 3000 vjet më parë si grekët, ë…? Po… ndigjo, tragjeditë e Eskilit, Sofokliut e të tjerëve u vunë në skenë, kur në vende të tjera të mëdha nuk dinin akoma të shkruanin… Apo jam gabim? Po kulturën e tyre të lashtë nuk e ka njeri,…mbase flas një çikë më shumë se i dua, por nuk jam gabim… Po këta pse organizuan Lojëra Olimpike 2600 vjet, apo jam gabim, më parë? Mbi 2800 vjet më parë- ja saktësova. Kështu pra… ne i kemi dashur gjithmonë heronjtë e antikitetit… Po sa bukur e ka përkthyer Iliadën Gjon Shllaku ynë… Se edhe ne kemi pasur e kemi burra të zotë që e nderojnë kombin, por pak i vlerësojnë… Tani ka ardhur puna që burra të zot, të kenë qejf të quhen vetëm politikanët, vetëm se kanë një karrige e kujtojnë se me të janë më të mirët… Po ç’bëjmë ne o Bashkim, pse nuk na venë aq mirë punët, pse mbetëm duke u therur me njëri-tjetrin… Po ç’është kjo nuk flet një socialist me një demokrat a ku ta di unë… po pse xhanëm jemi katandisur kështu… Po do të bëhemi ndonjëherë, ë, kur të vdesim? E di ti o Bashkim, isha shtruar në spitalin ushtarak dhe më erdhi për të më parë presidenti Moisiu. U gëzova shumë, një burrë i madh vërtet… jo pse erdhi tek unë. Po si ore djalë nuk më pa askush as nga Teatri, as nga Ministria… Po do të thuash ti, ë, pse i shikon këto gjëra… Jo, jo duhen parë edhe këto, është respekt, mirënjohje… Atje te shtëpia e Klitit, sa herë që vij, e marrin vesh shokët e tij dhe vijnë në shtëpi të më shohin… Po faleminderit, ç’të them unë… Këtu në Athinë ka edhe shumë artistë të mirë shqiptarë. I njeh besoj… Vijnë e më marrin për të pirë një kafe. Kanë një pasion të madh për teatrin. Ndigjo… Greqisë duhet t’i themi një mijë herë faleminderit, u hapi dyert shqiptarëve, apo nuk është kështu?.. Unë shoh që grekë e shqiptarë shkojnë shumë mirë… Sa gjë e mirë është kjo… po jemi fqinj. Unë kur dal me Maksin (nipin) takoj ngado shqiptarë.
Në shtëpinë time në Athinë do të vinte disa herë, për darkë, herë me Klitin, herë me Ermirën, vajzën e herë edhe vetëm. Do të rrinim deri vonë e do ta përcillte në shtëpi Gramozi.
Vetëm pak ditë para fillimit të Lojërave Olimpike, do të më vinte Kliti tepër i dëshpëruar dhe do të më thoshe se “babai është i sëmurë, ka dhimbje të mëdha në stomak, ku di unë, aty ankohet… nuk e di ç’të bëj”. Mbeta shumë keq, se nuk dija ç’mund të bëja. Mendova të flisja me ministrin e Shëndetësisë, z. Nikita Kaklamanis, një figurë e spikatur politike, ish kryetar i parlamentit grek, një burrë i qetë, me shumë autoritet, por edhe shumë i mirëkuptueshëm. Isha i sigurt që ai do të bënte gjithçka, në një nga spitalet e Athinës. Por mendova që të përpiqesha një herë në spitalin e njohur privat Iatriko Kentro Athinon, jo shumë larg ambasadës. Me pronarin e tij, Jorgo Apostolopolous, isha njohur gjatë një ndeshjeje futbolli në tribunën VIP të stadiumit në Pire. Më ftoi të nesërmen në zyrën e tij në spital për një kafe. E dija shumë mirë që aty punonin edhe mjekë shqiptarë. Ishte prof. Rezar Deveja, një kardiolog i shquar e me emër në Athinë. Një mjek me kulturë të gjerë, i qetë, elegant dhe fjalëpakë. Gëzonte një autoritet të madh në spital dhe respektohej nga të gjithë. Grekët kërkonin me emër që t’i drejtoheshin atij për trajtim. Ishte bërë vërtet i famshëm. Do të rrinim shpesh bashkë, në një shoqëri me miq të përbashkët familjarë, në darka shumë miqësore. Në atë spital punonte edhe prof. Miri Prifti, një ortoped me emër, edhe ai. Ishte një tip i qetë, me humor të hollë dhe vishej me elegancë. Por në Athinë do të njihej shumë mirë nga shqiptarët dhe grekët, prof. Vaso Llajo, mjek nga Saranda që kishte disa vite në Athinë. Ishte bërë i famshëm në spitalin ku punonte dhe me një qendër të njohur ekzaminimesh, në qendër të Athinës. Jo vetëm duarartë e me kulturë të gjerë profesionale, por edhe me një modesti të admirueshme. Ishte vërtet një personalitet që thuajse çdo muaj do të merrte pjesë e do të referonte në konferenca të mjekësisë. Kishe një familje shembullore dhe që dinin të jetonin dhe të gëzonin.
Duke pirë një kafe së bashku me Andi Mahilen, në zyrën e z. Apostolopolous ai për këto dy mjekë të shquar do të fliste me respekt. Do të takoheshim bashkë edhe në raste të tjera. Por me të u bëmë shumë miq, saqë do të më ftonte në dasmën e djalit të tij, së bashku me Engjëllushen, në një lokal ndër më të mirët në Greqi, në Vuliagmeni. Dhe tani mendova t’i “trokas” në derë për Kadri Roshin. Më priti menjëherë. Shumë miqësor, elegant, energjik në çdo lëvizje, me sy që i shkreptinin, fisnik. Ishte edhe një administrator në fushën e shëndetësisë i njohur në Europë. Kishte ndërtuar disa spitale të njohura jo vetëm në Greqi, por edhe jashtë saj, me një arkitekturë tepër moderne e me infrastrukturë të lartë. Z. Apostolopolous ishte edhe një sportdashës shumë i njohur, sidomos i futbollit dhe ekipin kombëtar grek e ndiqte në shumë takime interesante, jashtë Greqisë. I fola për Kadri Roshin, si një artist i madh dhe i kërkova nëse mund të bëhej gjë për të, në spitalin e tij… Shqiptarët do t’i ishin shumë mirënjohës… Nuk më la të flas më gjatë dhe, duke qeshur më tha: z. ambasador, po ne jemi miq,… po ne për këtë jemi këtu… Thirri sekretaren dhe i dha një porosi… Të nesërmen, me Gramozin, shkuam në shtëpinë e Klitit. E përqafova Kadri Roshin, të lodhur, të dobësuar e të kërrusur dhe I thashë se do të shkojmë në spital, në spitalin më të mirë të Athinës. Nuk dinte ç’të thoshte dhe u përlot. U shtrua në spital dhe do të nisnin menjëherë ekzaminimet e duhura. I shkoja përditë, pasdite vonë në spital dhe e vizitoja. Edhe diplomatët e ambasadës, të gjithë, shkëputeshin dhe i shkonin për vizitë. Mjekët vendosën ta operonin dhe këtë do ta bënin të nesërmen.
Po atë ditë do të vinte në Athinë kryeministri Nano, për të marrë pjesë në ceremoninë e çeljes së Lojërave Olimpike. I tregova dhe pasdite do të shkonte ta vizitonte para se të operohej. Në fillim u takuam me z. Apostolopolous, që e kishim njoftuar për vizitën e kryeministrit. Pimë një kafe në zyrën e tij dhe pastaj e vizituam në dhomë Kadri Roshin. U gëzua shumë. Operacioni do të dilte me shumë sukses dhe artisti i madh do të qëndronte edhe disa ditë nën mbikëqyrjen e mjekëve. Vëmendje e tyre ishte shumë e madhe. Do të qëndronte edhe disa ditë tek i biri dhe kur shkova ta vizitoj më tha se do të ikte në Shqipëri mbas 3-4 ditësh. Do të ikte me autobus. Jo me autobus- i thashë,-nuk do të ikësh me autobus. Kemi boll makina në ambasadë. Një e kemi dhe për Kadri Roshin … Do të ikësh me makinë deri tek dera e shtëpisë. Nguli këmbë se po më vinte në pozitë të vështirë, se mos më flasin edhe mua… Ndigjo bir, ti më rrofsh, ty të paça, por më lër të shkoj me autobus E përcollëm në Tiranë me shoferin e ambasadës, Forin, që gjatë gjithë rrugës ishte treguar shumë i kujdesshëm për të ndaluar kohë mbas kohe për të pushuar. Por do të vinte mbas disa muajsh në Athinë dhe përsëri do të shkonim në “Grand Bretagne”…
“Më shpëtuan doktorët grekë- do të na thoshte me gëzim, tek pinim kafe, së bashku me 3-4 diplomatë të ambasadës.. – më mbajtën në jetë, po pse… si thoni ju?… ua harroj unë këtë? Kurrë! Më kanë shërbyer në spital si të isha ndonjë president… se kishin marrë porosi nga ai… i madhi i tyre z. Apostolopolous… mirë e thashë emrin? Kurrë nuk do ta harroj këtë burrë. I vajtëm në spital me ambasadorin dhe e falënderuam… ç’t’ju them juve, faleminderit që më keni ardhur për të më parë… Tani jam bërë si djalë i ri… po ç’tju them unë. Më doli frika tani… por mos kujtoni se nuk kisha frikë se po e lë këtë botë?…
Po sa vetë janë mjekuar këtu në spitalet greke, sa shqiptarë kanë ardhur këtu në buzë të vdekjes dhe janë kthyer shëndosh e mirë. Të dimë t’u jemi mirënjohës… Janë të mirë grekët, jo se më shpëtuan jetën mua… Jemi fqinj dhe duhet të shkojmë përherë mirë me njëri-tjetrin… Po, do të thoni ju a ka pyll pa derra? Po nuk ka! Po pse ne qenkemi më të mirët në këtë tokë? Ju e dini më mirë, por a ka vend këtu në Greqi që nuk ka shqiptarë? Po jetojnë këtu, po punojnë; me sakrifica sigurisht, po dalin me makinat e tyre, po i dërgojnë fëmijët në shkolla dhe universitete… Epo, ç’duam ne më tepër? Po në emigracion je, nuk është kurrë si në shtëpinë tënde, por ama shtëpinë e dytë, atdheun e dytë, e kanë këtu, në Greqi. Ma bëj hallall, o Bashkim, hë xhan,… fola pak si shumë unë, po thashë atë që ndjeva… ty të paça…! (Nuk do të lë pa shënuar se edhe dy vite pasi u largova nga Greqia i telefonova ministrit të Shëndetësisë, z. Avramopolous, për nevojën e një ndërhyrjeje kirurgjikale tepër të vështirë në kolonë të një djaloshi nga Durrësi. Ai u shtrua dhe u operua në Janinë nga neokirurgu me famë europiane, prof. Berias, pa asnjë shpenzim. Këtë bëri z. Avramopolous, miku që do t’i jemi përherë mirënjohës …)
Në një nga ardhjet e shpeshta në Athinë të Kadri Roshit, duke i folur për Manolis Glezos, do të më thoshte: aman bëj diçka, dua ta takoj… sa shumë kemi ndigjuar për të… Për ato ditë që do të qëndronte, nuk e kujtoj se pse, por nuk arrita që “t’i ul” bashkë…
Bisedë e rëndomtë, pa asnjë bosht. Por e keqja është kur këto mendime i shfaqin njerëz të diplomacisë dhe artit, prej të cilëve nuk pranohet cektësia në njohjen e historisë, sidomos e asaj të lashtësisë. Është e vërtetuar se Greqia e sotme nuk ka asnjë lidhje me helenët. Greqia e 1830-tës, bashkë me gjithë shkrimet e historianëve që kanë pasuar, nuk janë tjetër veçse manipulime dhe përcehtësime të kulturave të para Krishtit, si ato babillonase, egjiptiane etj. Po ashtu figurat e shquara të para Krishtit nuk përfaqësojnë Greqinë e sotme, ata ishin të kombësive të ndryshme, por manipulatorët grekë e europiane, u a kanë ndërthurur këto vlera padrejtësisht Greqisë. Më vjen habi sa pavlerë janë këto bisedime, të cilat miratohen edhe nga UE-ja që në dijenitë e mia, renditet ndër institucionet “me emër” në Shqipëri.
Komenti mirë është të botohet, pavarësisht nga qëndrimi ndryshe.
Xha Jaho