Nga Ilir Ikonomi
Pjesë nga libri ‘Faik Konica: Jeta në Uashington’
Jeta e Faikut në Uashington ishte modeste. Paguante qiranë e apartamentit, rreth 80 dollarë në muaj, pastaj stenografen dhe sekretaren Charlotte Graham (Sharlot Graham), e cila punonte për të prej 12 vitesh, si dhe shërbyesit, Hattie Williams (Hati Uilliams) me burrin e saj. Kohët e fundit kishte marrë para borxh nga disa miq, diçka më pak se një mijë dollarë. Jetonte si një aristokrat i rënë nga vakti, sepse, ndërsa merrte hua për të shtyrë pagesën e qirasë, në gardërobën e tij kishte ndonja dhjetë kostume shik, një numër palltosh, plot kapele e këpucë si dhe një koleksion të bukur veshjesh zyrtare.
Ishte e hënë, ora 5 pasdite e datës 14 dhjetor, kur Faiku pësoi papritur hemorragji cerebrale. Hattie, që i kishte shërbyer prej vitesh, e gjeti të rrëzuar në hapësirën e ngushtë të banjës dhe e ndihmoi të shkonte në shtrat. Faiku kërkoi të telefonohej sekretarja dhe ajo arriti pas 30 minutash. Charlotte ishte një grua e përpiktë dhe e sjellshme dhe Faiku i besonte ashtu si vetes së tij. I tha se kishte një dhimbje të fortë në sy dhe Charlotte propozoi të thërrisnin mjekun, Robert Oden.
Me gjithë kundërshtimet e Faikut, mjeku u thirr. Dr. Oden, ndër më të njohurit e Uashingtonit dhe mik i vjetër i Faikut, e kuronte nga hipertensioni kronik prej 14 vjetësh. Dr. Oden i mati tensionin. Aparati tregonte 250/140 dhe mjeku tha se Faiku ishte në rrezik prandaj duhet të merrej një infermiere ose të dërgohej në spital. Në atë kohë hipertensioni nuk njihej mirë si sëmundje, por as Faiku nuk i dëgjonte këshillat e mjekut dhe nuk mbante dietë. Veç kësaj, pinte deri në tre paketa cigare në ditë.
Charlotte vendosi ta kalonte natën në apartament. Vonë në mbrëmje Faiku e thirri nja dy herë, pastaj kërkoi ujë. Para mesnate, kur Charlotte kishte filluar t’i shkruante një letër të shoqit, i cili shërbente në Forcën Ajrore, vuri re se Faiku kishte vështirësi në frymëmarrje por nuk dukej dhe aq keq. Fliste përçart, “there is no answer”, thoshte në anglisht, “përgjigja nuk po vjen”.
Sekretarja shkoi të marrë një sy gjumë në divanin e dhomës së ndënjes dhe u zgjua në 5 të mëngjesit. Ai dukej se flinte i pabezdisur, i shtrirë në kurriz me krahun e majtë nën kokë. Nga ora 8, Charlotte shkoi ta shohë përsëri. Ai nuk kishte lëvizur fare dhe sytë i kishte paksa të hapur dhe të përhumbur. I telefonoi dr. Odenit, i cili e udhëzoi t’i prekte dorën. Ajo ishte e ftohtë dhe e sertë. E kuptoi se Faiku ishte shuar. Dr. Oden i tha se do të vinte sapo të mbaronte një operacion.
Ishte data 15 dhjetor 1942, një ditë jo shumë e ftohtë. Në mbrëmje në Uashington pritej shi ose dëborë. Kërshëndellat nuk ishin larg dhe blerjet e festës në kryeqytet kishin hyrë në dhjetëditëshin e etheve. Radiot dhe gazetat u bënin thirrje njerëzve të mos harronin që krahas dhuratave të blinin bono thesari për të ndihmuar luftën.
U vendos që trupi të dërgohej në shtëpinë e funeraleve Hysong aty pranë. Gjërat kishin ndodhur shpejt dhe Charlotte ishte e hutuar. Dr. Oden pyeti për familjen e të ndjerit, nëse sekretarja e dinte se ku ndodheshin njerëzit e tij. Pyeti për gjendjen financiare të Faikut, pasi duhej një garanci për shërbimin funeral. Charlotte i tha se Faiku kishte 15 dollarë e 54 cent në apartament, por priste një pagesë prej 2,100 dollarësh, që ministri i Oborrit, Martini, kishte nisur me kabllogram nga Londra. Oden tha se do të bëhej vetë garant.
Sekretarja i telefonoi Departamentit të Shtetit dhe kërkoi të fliste me dikë që merrej me punët e Shqipërisë. Zëri i dridhej. I thanë se dikush do ta merrte pak më vonë. Pasdite, në telefon u paraqit Wesley Jones, zyrtar i sektorit të çështjeve evropiane, të cilit Charlotte i tregoi me hollësi se ç’kishte ndodhur. Folën për arkivat e legatës shqiptare dhe ajo i tregoi se ato, bashkë me vulat, i ishin dorëzuar me kohë ambasadës italiane. Në apartament, i tha, nuk ka asnjë objekt zyrtar të qeverisë shqiptare dhe të gjitha dokumentet e sendet e tjera janë pronë e tij personale. Jones e këshilloi të kishte kujdes që sendet e të ndjerit të ruheshin, deri sa të caktohej një përmbarues. I tha gjithashtu të binte në kontakt me legatën zvicerane, e cila merrej me interesat shqiptare në Amerikë.
Charlotte i telefonoi pastaj Fan Nolit, për të cilin ajo nuk kishte ndonjë simpati. Në bisedën me peshkopin, i shpjegoi me hollësi se si kishte mbaruar Faiku.
Rreth orës 5 pasdite, dikush nga një zyrë e qeverisë amerikane ia përcolli lajmin Çekrezit dhe reagimi i tij i parë ishte habia, sepse Faiku njihej si njeri që gëzonte shëndet të mirë. Çekrezi u lidh me zyrtarët e Departamentit të Shtetit, të cilët i treguan aq sa dinin dhe i dhanë numrin e sekretares së Faikut.
“Zonja Graham, – i tha asaj Çekrezi në telefon, – jam kryetari i Shqipërisë së Lirë dhe dëshiroj t’ju shpreh hidhërimin për vdekjen e zotit Konica, me të cilin, siç mund ta dini, nuk ishim aspak miq. Por, për ne shqiptarët, kur vdes një njeri, gjithë armiqësitë marrin fund. A mund të më jepni ndonjë hollësi për vdekjen e tij dhe a mund t’ju ndihmoj në ndonjë mënyrë”?
Charlotte nuk kishte dëshirë të fliste me të.
“Meqenëse nuk keni qenë mik i zotit Konica, – iu përgjigj, – nuk mund të pranoj asnjë ndihmë nga ju dhe nuk mund t’ju jap hollësi për vdekjen e tij”.
Çekrezi mori në telefon FBI-në dhe i kërkoi që agjentët e saj të ndërhynin për të marrë në pronësi dokumentet që Faiku mbante në apartament. Një burrë me mbiemrin Ladd iu përgjigj se kjo çështje nuk ishte kompetencë e FBI-së. Çekrezi nuk hoqi dorë dhe i telefonoi Departamentit të Shtetit. La të kuptohej se nga apartamenti po merreshin dokumente nga njerëz që mund të mos ishin të autorizuar. U tha zyrtarëve se, megjithëse me Faikun ishin rivalë politikë, Departamenti i Shtetit duhet të bënte diçka që dokumentet të mos prekeshin. Përgjigja ishte e njëjtë: kjo nuk ishte në kompetencën e tyre.
Certifikatën e vdekjes së Faikut me logon District of Columbia e firmosi dr. Oden. Pasi shënoi vendlindjen e të ndjerit, Konitza, Albania, shkroi qartë, me shkrimin e tij të madh e të pjerrët datën e lindjes, 15 prill 1876 dhe të vdekjes, 15 dhjetor 1942. Hapësira e bardhë mes dy datave ishte fare e vogël, por në mes dukej sikur kishte një oqean të tërë. Ishin 66 vitet e jetës së një njeriu i cili u përpoq të bënte shtet.
Disa nga gazetat e mëdha të Amerikës i kushtuan vdekjes së Faikut nga një kolonë modeste. Meqenëse ai kishte tre vjet e ca që ishte shkëputur nga qarqet diplomatike, harresa kishte bërë punën e saj prandaj një pjesë e mirë e fakteve rreth të ndjerit ishin të pasakta. Një gazetë lokale e ngatërronte me të vëllanë, Mehmetin. Në New York Times ai përmendej më tepër si dramaturg dhe pastaj flitej për atë historinë e tij të çuditëshme me Ann Corio-n. Megjithatë, disa nga të vërtetat e njohura thuheshin. Washington Post-i përmendte, për shembull, “aftësinë e tij të shkëlqyer të të shprehurit” dhe “sensin e mrekullueshëm të humorit”.
U vendos që trupi i Faikut t’i përcillej shtëpisë së funeraleve Waterman & Sons, Inc. në Boston. Trupi arriti nga Uashingtoni të shtunën në mëngjes, ndërsa ceremonia mortore u mbajt të dielën, më 20 dhjetor, në një sallë të ndërtesës New England Mutual në qendër të qytetit. Jashtë bënte një acar i tmerrshëm. Të ftohtët kishte thyer çdo rekord dhe temperaturat arrinin në minus 20 gradë Celsius. Megjithatë, në Boston kishin ardhur dërgata të degëve të Vatrës nga disa shtete, ndërsa të tjerë e patën të pamundur. Ahmet Zogu e ndjeu thellë humbjen e Faikut. Ai kishte porositur nga Londra një kurorë të madhe, madje kishte kërkuar që t’i paguante vetë shpenzimet e varrimit, por Vatra nuk pranoi.
Homazhet nisën në orën 11 paradite dhe nuk pati ndonjë ceremoni fetare. Arkivoli ishte mbuluar me flamurin shqiptar dhe organisti luante pjesë të përzgjedhura nga Noli, të cilat Faiku i kishte patur për zemër. Mes tyre shquante muzika e Vagnerit, sidomos dy pjesët më të pëlqyera nga i ndjeri, Marshi i Madh nga opera Tannhäuser dhe Marshi Funeral i Zigfridit nga Götterdämmerung, i cili ngjan si himn për lindjen e një kombi. Në orën 3 pasdite muzika pushoi dhe Noli eci me hapa të ngadaltë drejt podiumit. Meqenëse në mort kishte edhe të huaj, Noli foli në fillim anglisht. Ligjërata e tij qe e gjatë por disa fjalë do të mbahen mend. “Faik Konica, – tha ai, – ishte një nga mbrojtësit më të mëdhenj të pavarësisë së Shqipërisë. Ishte sigurisht mjeshtri më i madh i prozës shqipe. Për më tepër ishte njeriu që rizbuloi flamurin e vjetër shqiptar të Skënderbeut.” “Këta janë tre tituj që edhe kundërshtarët e tij më të hidhur nuk do të ëndërronin t’ia mohonin”, tha Noli, i cili dikur kishte qenë vetë ndër ata kundërshtarë.
Pastaj foli shqip. Nisi të tregojë historinë e kafesë së fundit që kishte pirë me Faikun kur ishte në Uashington, por e mbytën lotët. “Pasi mbaruam nga puna, – tha Noli me zërin që i dridhej nga mallëngjimi, – Faiku deshi të më gostiste me një kafe taze allaturka në apartamentin e tij. E vuri tiganin në zjarr, hodhi ca kafe të gjelbër brenda dhe e la të piqej. Në bisedim e sipër, kafeja na u dogj dhe nga tymi na u mbushnë sytë me lotë. U lebetitmë së qari të dy, sikur kishim një parandjenjë se ajo kafe e djegur dhe e hidhur ishte e fundmja që do pinim tok”.
Ai tha se “me mjeshtërinë e muhabetit, me diturinë e pakufishme, me sjelljet fisnike, Faiku ishte reklama më e bukur për Shqipërinë kudo që ndodhej”. “Nuk ka qenë ëngjëll, – vijoi Noli, – se shpesh e ngjyente pendën me vrer e me vitriol pas mënyrës frënge, por, sipas Ungjillit, ai që është i pamëkatshëm le t’a hedhë gurin i pari, dhe kështu është më mirë të thomi sipas fjalës popullore: Të shkuara të harruara”.