BOTIMI I UET-PRESS/ Politikani më me klas i historisë shqiptare

Nga Ilir Ikonomi

Pjesë nga libri “Faik Konica: Jeta në Uashington”



Faiku ishte si i shtëpisë në Suamskot, plazhi i qetë që shtrihet nja 20 kilometra në verilindje të Bostonit, ku klima është e paqme edhe në ditët kur qytetet lindore të Amerikës përfshihen nga zhegu dhe zagushia. Gjatë gjithë kohës që ishte ministër në Uashington, ai nuk kishte lënë verë pa shkuar atje për pushime. Suamskoti, vend me famë botërore për kapjen e aragostave, tërhiqte gjithfarëlloj amerikanësh të kamur si dhe pushues nga e tërë bota. Presidenti Calvin Coolidge vinte aty herë pas here dhe rrinte në njërin prej hoteleve të mëdhenj, atë që quhej Ocean House. Ndërtesa gjigante mu përballë oqeanit në formën e një anijeje që llamburiste sa binte muzgu, ishte për Faikun si një shtëpi e dytë. Ai kishte zënë miqësi me pronarin, i cili ndonjëherë e ftonte të qëndronte falas dy javë më tepër. Hapësira e oqeanit dhe largësia nga zhurmat e Uashingtonit e ndihmonin të qetësonte mendjen dhe ishin një kurë e mirë për hipertensionin e tij. Sot, asnjëri prej atyre hoteleve nuk është më. Ata u shkatërruan nga zjarret ose nga stuhitë e fuqishme që sillte oqeani.

Pushimet në Suamskot kishin një të mirë të madhe, sepse komunitetet e shqiptarëve ishin afër. Nga plazhi mund të merrje një taksi ose autobus deri në Lynn dhe që andej trenat për në Boston ishin të shpeshtë. Kështu që Faiku nuk e kishte të vështirë të shkëputej nga plazhi për të vizituar miqtë ose për të mbajtur ndonjë ligjëratë. Vatra i bënte çdo vit kuvendet në Boston çka ishte një plus për pushuesin Faik. Ministri qëndronte në Suamskot të paktën gjashtë javë dhe zakonisht kthehej në Uashington nga fundi i shtatorit, kur vapa e kryeqytetit qe fashitur.

Ndërkaq, në Uashington e priste stina e re artistike. Kriza e madhe kishte bërë punën e saj dhe në fillim të viteve ’30 paratë për artin ishin pakësuar ndjeshëm. Mirëpo kryeqytetit nuk i kishin munguar as koncertet dhe as galeritë. Është pak të thuash që Faiku ishte një vizitor dhe shijues i artit. Me rastin e fillimit të sezonit për vitin 1932, ai ishte i ftuari i nderit në çeljen e galerive të artit Sears Roebuck në Avenynë Connecticut. “Ministri shqiptar është si në shtëpinë e tij në një galeri arti”, shkruante Washington Post-i. “Shumë nga miqtë e tij të ngushtë, sidomos gazetarët, e njohin vëzhgimin e tij të hollë dhe kujtesën e shkëlqyer që ai ka për punimet e mjeshtrave e të artistëve bashkëkohorë”.

Një ndër këta miq të ngushtë ishte zvicerani Ernest Durig, i cili pretendonte të kishte qenë nxënës i skulptorit të famshëm Auguste Rodin. Durig erdhi në Amerikë në vitin 1928 dhe nisi të ekspozojë vizatime që thoshte se ia kishte dhënë mësuesi i vet i dëgjuar. Duke përdorur një fotografi ku kishte dalë me të madhin Rodin, Durig arriti të joshë për të pozuar disa prej njerëzve më të njohur të kohës, si Musolini, von Hindenburgu i Gjermanisë, papa Piu XI, Presidenti amerikan Hoover, dhe Mbreti i Etiopisë, Haile Selasie, të cilëve u bëri buste. Praktikisht Durig përpiqej të kapte çdo njeri të famshëm për t’i bërë kokën në mermer ose në bronz. Aty nga fundi i vitit 1932 për skulptorin pozoi edhe Faiku. Duket se Durig i dëgjonte këshillat e ministrit shqiptar, sepse galerisë së tij iu shtuan më vonë edhe bustet e tre miqve të Faikut, gjeneralit William Horton, heroit amerikan Floyd Gibbons dhe latinistit Joseph Christopher.

Gazetari i Diellit, Nelo Drizari i bën këtë përshkrim entuziast bustit prej mermeri të Faikut të ekspozuar në njërën prej galerive të kryeqytetit: “Kur ministri i Shqipërisë në Uashington mendohet, sikur ndodhet për shembull në nonjë botë të letrave ose të muzikës, ay paraqit një fytyrë fillosofike. Ata q’e njohin mirë dhe e kanë vënë re këtë qëndrim mendor të Zotit Faik Konica, munt t’a përfytyrojnë lehtazi kryen e tij në mermer që ka realizuar Profesori Durig. Artisti e ka goditur fytyrën e ministrit aq sa njeriu kur e vështron sheh thellësi shpirti në vijat e skalitura në mermer”.289 Drizari tregon se ishte Faiku ai që i kishte dhënë mikut të tij Durig idenë e një vepre skulpturore komplekse të ekspozuar në galeri, e cila simbolizonte fitoren e jetës mbi vdekjen.

Por Faiku nuk rrojti për të mësuar se, vizatimet që Durig i ekspozonte dhe i shiste si vepra të mësuesit të tij, kishin qenë false. Skandali plasi disa dekada më vonë, kur ekspertët e artit zbuluan se Durig kishte qenë një mjeshtër i mashtrimit. Ai vdiq në vetmi dhe në varfëri të plotë në Uashington në vitin 1962.

Faiku ishte ndër ata që i kishin bërë me kohë rezervimet kur në Uashington çelej çdo tetor seriali i koncerteve simfonike. Shoqëria e lartë e kryeqytetit mbushte sallën elegante Constitutional Hall pranë Shtëpisë së Bardhë për të ndjekur Orkestrën Sinfonike Kombëtare që dirigjohej nga themeluesi i saj, holandezi Hans Kindler. Seriali i Kindlerit ishte kthyer në një ritual të jetës muzikore të Uashingtonit që pasurohej pastaj me Traviatën, Rigoleton, Aidën dhe opera të tjera klasike. Faiku merrte shpesh me vete mysafirë dhe ulej në vendet pranë orkestrës ku biletat ishin më të shtrenjtat.

Dashuria e tij për muzikën ishte e njohur. “Për ata që e kuptojnë dhe e duan me thellësi, muzika nuk është një qejf, është një fe”, pat shkruar Faiku vite më parë. Në apartamentin tërheqës mbante një koleksion të zgjedhur pllakash gramafoni, ku shquanin Moxarti, Bethoveni, Bahu dhe Vagneri, kompozitorët e tij të zemrës. Kur ishte i ri, linte kokën pas Vagnerit dhe disqet i kishte ende aty, por më pas veprat e muzikantit të madh kishin filluar t’i dukeshin tepër të ngarkuara me ngjyrime ndërsa shija e ndryshuar e Faikut dëshironte diçka më të qetë. Pak nga pak i ishte kthyer Moxartit, muzika e të cilit, siç thoshte, “ka një hollësi të veçantë, një njomësi qellore, një hirë femënore të pashoqe, që e qasin më tepër afër zemrës së njeriut”.

Adhuronte dirigjentin me famë botërore, Arturo Toscanini dhe asnjë premierë e tij nuk mund të mbetej pa u parë nga Faiku. Në një pritje në ambasadën italiane në Uashington, një vit para se muzikanti të arratisej në Amerikë për shkak të urrejtjes për Musolinin, Faiku kishte kuvenduar me të për afro një orë dhe kishte mbetur i mahnitur nga thellësia dhe fisnikëria e muzikantit të madh. Më vonë kur dirigjenti u vendos në Nju Jork, Faiku hyri në rrethin e miqve të Toscaninit. Ashtu si shumë të tjerë, edhe Faiku dhuronte para që muzikanti me famë të mund të jepte koncertet e tij të përjavshme me orkestrën e radios NBC në sallën që sot përdoret për spektaklin Saturday Night Live.

Miqtë e dinin pasionin e ministrit – të luante një arie ose muzikë dhome të Moxartit, ndërsa i qeraste me shampanjën e shkëlqyer, e cila nuk i mungonte kurrë. Dikur i pëlqente të pinte skoç por më vonë kishte filluar të preferonte uiskin kentaki, mundësisht të fermentuar para periudhës së ndalimit të alkoolit. “Ministri njeh mirë jo vetëm verërat dhe likeret por edhe arsyen e ekzistencës së tyre”, shkruante Washington Post. I pëlqente të rrëfente historinë e shpikjes aksidentale të shampanjës nga murgu frëng Dom Perignon në vitet 1600, të cilën e kishte lexuar në njërin nga librat e vjetër të koleksionit të tij. Historia e treguar nga Faiku përmendej rëndom mes diplomatëve. Gazetarët, disa prej të cilëve i kishte miq, e dinin se Faiku e mbante depozitën e tij sekrete të verërave të mira në banjën e apartamentit. Ata dinin madje se cilat verëra kishte ai më për zemër: chablis, burgundy, sherry dhe shampanjë, të cilat i shoqëronte me djathin e tij të preferuar roquefort ose me kaviar.

Por si natyrë e përkorë që ishte, ai rrallë pinte përpara se të binte mbrëmja sepse nuk i pëlqente ta ndërpriste pijen për t’iu përgjigjur një telefonate ose për të nënshkruar një letër. Në disa qarqe të Uashingtonit ekzistonte shprehja kokteji Konica, që premtonte të bëhej popullor mes diplomatëve. Kjo shpikje e Faikut kishte si bazë martinin dhe vermutin italian, të cilëve ai u shtonte një grusht bajamesh të shtypura e të përziera qysh më parë me konjak dhe me pak pije të hidhur.

Në vitin 1935, kur poeti i famshëm irlandez, George William Russell, i shkoi si mysafir në legatë, dy burrat u rrëmbyen aq shumë nga biseda, saqë vizita, që duhet të ishte fare e shkurtër, zgjati mbi dy orë. Russell kishte qenë kryeredaktor i së përditshmes The Irish Statesman dhe, kur Faiku ia përmendi gazetën, poeti pyeti me habi se si kishte mundësi që mikpritësi, i cili vinte nga skaji tjetër i Evropës, të ishte në dijeni. “Kureshtja, – i tha Faiku, – kureshtja për të parë se si i kanë zgjidhur popujt e tjerë problemet e tyre”. Pastaj e pyeti nëse dëshironte të pinte një gotë sherry. Russell i tha se donte një gotë me “pijen kombëtare të Amerikës” dhe Faiku nisi t’i përgatisë një koktej. Poeti e ndali duke buzëqeshur. “Pija kombëtare e Amerikës është uji me akull”, i tha. “Kokteji i përket një shtrese të kufizuar njerëzish, ndërsa uji me akull përdoret nga të gjitha klasat dhe në çdo skaj të vendit”.

Faiku njihte mirë jo vetëm artin e të shijuarit por edhe atë të gatimit, që ishte një pasion i tij. “Konica e përgatit një gjellë ashtu sikurse një poet i madh i jep formë poezisë”, thuhej në njërën nga rubrikat me grimca nga jeta në Uashington që servirnin gazetat e kohës. Për ta përforcuar këtë, autori shtonte se Faiku “shkon në fshat për ta zgjedhur vetë qengjin”. Ai nuk pranonte të hante ushqime të mbajtura për një kohë të gjatë në akull, pula të therura më tepër se disa orë para se të servireshin ose ushqime deti që nuk vinin direkt nga uji.

Thoshte se gjella e tij e preferuar, të cilën e shijonte me një gotë sherry, ishte mëlçi pule me oriz të egër. Washington Post-i i asaj kohe na ka lënë edhe recetën e Faikut: Përgatisim gjashtë mëlçi pule me kripë, piper të zi dhe të kuq. I kaurdisim me një lugë gjalpë duke u shtuar majdanoz të grirë imët. Ziejmë gjysmë filxhani oriz të egër për 10 minuta dhe e kullojmë. Përziejmë orizin me mëlçitë duke shtuar një lugë të vogël sherry. Përzierjen e mbështjellim me një napë, të cilën e lidhim dhe e lemë në ujë të valuar për 30 minuta.

Faiku kishte një rreth të madh admiruesish sepse asnjë nga diplomatët e Uashingtonit nuk ishte më i njohur dhe më i pëlqyer se ai. Ministri tregonte kujdes të veçantë sa herë që kishte rast t’i ftonte ata në apartament për një drekë apo një pije. Por qerasja e mikut nuk do ta kishte kurrsesi vlerën e vërtetë pa kafenë e tij të famshme. Faiku i piqte vetë kokrrat e kafesë pastaj i bluante me mulli përpara syve të habitur të mysafirit, sepse sipas tij, dyqanet e ushqimeve nuk dinin ta bënin. Pastaj e ziente dhe e servirte kafenë të freskët nga xhezvja prej bakri.

Ministri i kishte rënë kryq e tërthor kryeqytetit dhe njihte mirë disa nga restorantet e vjetër në periferitë e tij. Kur donte të qeraste ndonjë mik të zgjedhur, dërgonte dikë në restorant për të udhëzuar qysh më parë kuzhinierin se si t’i gatuante gjellët shqiptare që ato të ishin gati kur Faiku të arrinte bashkë me mysafirin.


Fatal error: Uncaught ___C_0: (E_ERROR) Trying to access array offset on value of type bool in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config:252 Stack trace: #0 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(13): ___C_5->_errorHandler(2, 'Trying to acces...', '/home/gazetamap...', 13) #1 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_demo_style() #2 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(74): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_image_size() #3 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(63): JNews\Module\Block\Block_9_View->build_column(Array, 'jeg_col_2o3') #4 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(47): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_column(Array, 'jeg_col_2o3') #5 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/BlockViewAbstract.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_output(Array, 'jeg_col_2o3') #6 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/ModuleViewAbstract.php(165): JNews\Module\Block\BlockViewAbstract->render_module(Array, 'jeg_col_2o3') #7 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(1265): JNews\Module\ModuleViewAbstract->build_module(Array) #8 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(205): JNews\Single\SinglePost->related_post(false) #9 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(307): JNews\Single\SinglePost->related_post_hook('') #10 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(331): WP_Hook->apply_filters(NULL, Array) #11 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/plugin.php(474): WP_Hook->do_action(Array) #12 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/fragment/post/single-post-1.php(66): do_action('jnews_single_po...') #13 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(772): require('/home/gazetamap...') #14 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(716): load_template('/home/gazetamap...', false, Array) #15 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/general-template.php(204): locate_template(Array, true, false, Array) #16 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/single.php(16): get_template_part('fragment/post/s...') #17 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template-loader.php(106): include('/home/gazetamap...') #18 /home/gazetamapo/public_html/wp-blog-header.php(19): require_once('/home/gazetamap...') #19 /home/gazetamapo/public_html/index.php(17): require('/home/gazetamap...') #20 {main} thrown in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config on line 252