Kryesore

Botimi i UET-PRESS, rrëfimi tronditës i Kurt Kolës: Torturat ndaj Eqerem Çabejt





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 10:22 - 26/07/18 |
mapo.al

Pjesë nga libri “Në Shqipërinë burg” të Kurt Kolës, publikim i UET-PRESS


Në ditët e para në kampin e Vloçishtit, më tronditi sjellja harbute e komandantit të burgut Tasi Marko, ndaj intelektualëve të njohur. As sot nuk e di se pse Eqerem Çabej dhe Et`hem Haxhiademi ishin futur në burg. Unë arrita t`i njoh në kampin e Vloçishtit, sidomos Çabejn, intelektual me zë që në vitet `20, i cili, nuk kishte provuar kurrë një punë të tillë.



Hej, ju të dy borgjezët, si dukeni me normën sot? – iu drejtua atyre Tasi Marko.


S`mundemi ta realizojmë, zotëri, – iu përgjigj profesor Çabej. – Ka mbi një metër ujë.

Po pse, ku dashke të punosh zotërote, në qilim a? – dhe iu kthye rreshterit të punës Hito Hitaj: – Dëgjoni, në qoftë se nuk realizojnë normën, merrni masa të rrepta kundër këtyre.

Sapo u largua Tasi Marko, dy kapterët i urdhëruan Çabejn e Haxhiademin të afrohen pranë skarpatës. Ata zbatuan urdhrin. Nënoficerët e veshur me çizme të gjata, hynë në kanal, i zhveshën dy të burgosurit thuajse lakuriq, vetëm me të mbathura, u lidhën duart pas dhe i futën në ujë deri në fyt. I lanë atje për tre orë, deri në pesë, kur u la puna. Kur i urdhëruan të dilnin jashtë ujit, u llahtarisa nga trupi i tyre i mbushur me ushunjëza të tej fryra me gjak, që ngjanin si kokrra fiku të zinj. Viktimat nuk kishin më pikën e fuqisë të qëndronin në këmbë dhe u lëshuan përtokë sapo dolën nga uji. Kapterët i zvarritën për krahësh, deri sa i nxorën në argjinaturë. Ra një bilbil i ashpër që lajmëronte nisjen për në kamp. Një grup të burgosurish u afruan pranë dy intelektualëve të sëmurë dhe i mbajtën në krah. I mori në dorëzim mjeku Isuf Hysenbegasi. Gjendja e tyre ishte shumë e rëndë. U detyrua t`u jepte një javë pushim. Të tjerët që nuk kishin realizuar normën, komandanti i futi në birucë.

Mirëpo, të gjitha këto ishin masa të përditshme, e në çdo rast mbetej vdekja, që në atë kamp mizor merrte trajta nga më të çuditshmet. Jo vetëm sëmundjesh, punësh të rëndë, pleqërie, trajtimi çnjerëzor, por mbi të gjitha, “trajta” plumbash. Po, po! Kurrë nuk do ta harroj atë ditë tmerri.

Pranë skarpatit të madh të kanalit qendror, befas, ndodhi diçka e çuditshme. Një depozitë mijëravjeçare uji nëntokësor shpërtheu! Uji ishte i kthjellët dhe bënte kontrast me ujin e kanalit, i cili, ishte i turbullt nga puna. Të burgosurit, të stepur nga fenomeni natyror, u gëzuan si fëmijë kur panë, se në qerthullin e burimit të madh filluan të dalin në sipërfaqe mijëra ngjala! Në pak sekonda u mbush kanali! Të burgosurit të lodhur e të uritur, u sulën kush e kush të kapte më shumë. Një lloj çapkënllëku e kapi gjithë turmën. Lanë veglat e punës e u sulën të gjithë të zinin ngjala. Së largu të krijohej përshtypja e një pështjellimi revolte. Këtu morën shkas oficerët e punës të bërtisnin për t’iu kthyer punës. Kur një pjesë nuk po ua varte, urdhëruan të shtihej mbi njerëzit me mitraloz.

Tasi Marko, me një shpurë ushtarësh, mbërriti në vendin e ngjarjes. 14 mitraloza “Shars” drejtuan tytat e tyre mbi ata 1500 të burgosur, të cilët të zhytur deri në gjoks në ujë e baltë kishin filluar të hanin ngjala të gjalla. Kur “Sharsi” nisi të mbillte plumba, shumica u kthyen drejt tyre si të habitur.

Por shpejt e kuptuan se nuk ishte lojë. Ranë në ujë për t`u mbrojtur, por nga plumbat u vranë tre vetë dhe shtatë të tjerë u plagosën rëndë. Të vrarët i mbuloi me baltë buldozeri, në bankinën e argjinaturës së kanalit, kurse të plagosurit i çuan në kamp për mjekim; dy prej tyre vdiqën…

Të nesërmen ishte e dielë, ditë pushimi. Të burgosurit ishin të lodhur fizikisht, por më shumë të vrarë shpirtërisht për masakrën që u bë, vrasjen e shokëve dhe mbulimin me dhé në argjinaturën e kanalit. Vonë, përtej mesnatës na zuri gjumi dhe nuk po zgjoheshim në mëngjes si zakonisht. Por fishkëllima alarmante e bilbilave në bulçitë e policëve, e trazoi trurin tonë në gjumin e rëndë.

Tasi Marko kishte hyrë në kamp herët, me shpurën ushtarake nga pas, për t`i dhënë rëndësi vetes. Në dorë kishte kamxhikun e gomës, që e lëvizte sa në njërën dorë në tjetrën, duke na treguar figurativisht: “Këtë do të keni çdo ditë”. Ishte tërësisht natyrë egërsire, veçse, atë mëngjes, fytyrës së zymtë i kishte dhënë një buzëqeshje prej sadisti…

“Ju, pavarësisht dënimit me burg, jeni dënuar edhe me punë të detyruar. Ky vendim i gjyqit të popullit duhet të respektohet. Në të kundërt, kush do guxojë të kundërshtojë ligjet do të goditet rëndë. Komanda e këtij kampi ka marrë përsipër të thajë këtë kënetë, që ka pushtuar një fushë të gjerë pjellore. Ata që do ta kryejnë këtë punë, jeni ju. Norma është 4 metra kub në ditë. Kush nuk e bën, natën do flejë në birucë, ditën në punë. Ky urdhër është i formës së prerë,” – deklaroi para nesh pa e hequr buzëqeshjen satanike dhe u largua me gjithë shpurën, me ecjen prej kapadaiu…

Thellësia e ujit dhe kamxhiku i diktaturës, na detyronin të zhvishemi vetëm me të mbathura, ndërsa ushunjëzat që ishin me shumicë, na thithnin edhe atë pikë gjaku që kishim. Dikush na mësoi sekretin si t’i largonim…

Mbanim me vete një copë sapun rrobash dhe sa e preknim me të, ajo binte në ujë.

Mos i prekni ushunjëzat se, ato janë duke pirë gjakun që i keni pirë popullit, – dëgjohej zëri i policit, shoqëruar me goditjen kokës me bishtin e lopatës që mbante në dorë!

Ishte e tmerrshme të duroje ato kafshëza të neveritshme deri në orën pesë kur linim punën!

Brigadierët, ishin të preferuarit e komandës, zgjidheshin dy kategori: ata që kishin qenë me komunizmin dhe kishin rënë në burg ose spiunë nga radha e kundërshtarëve. Por, kishin kompetenca deri tek përdorimi i dhunës. Rrahja dhe vdekja të vinin nga shumë anë. Më ngjante se isha në Dakaun gjerman! Asnjë dallim nuk shihja as te puna, as te trajtimi, as te siguria për jetën! Të gjitha ato që kisha parë e jetuar në kampin gjerman, po i përjetoja në Vloçisht të Maliqit!

Nuk do ta harroj kurrë kapterin kriminel, Hito Hitaj, kur para syve tanë vrau të burgosurin Muharrem Xhixha! Muharremi vajti e i kërkoj leje të urinonte. Kapteri e lejoi. Pastaj, shkoi qetë-qetë në truprojën aty pranë, mori një bombë dore dhe ia hodhi teksa ai po urinonte. Kur shpërtheu bomba, pamë kufomën që u hodh përpjetë si të ishte leckë!

Krimineli Hito Hitaj, krejt i qetë urdhëroi, që me buldozer, të mbulohen pjesët e trupit! Shkoi e raportoi në komandë se i burgosuri kërkoi të arratisej, se kishte kaluar tabelën e zonës së ndaluar…

Pjesa e tharë e kënetës dhe fushat përreth mbilleshin me panxhar sheqeri. Ishte ajo pak kënaqësi kur ky ushqim na pakësonte urinë. Ndonjëherë, kur kalonim përmes një parcele panxhari, këpusnim një copë, por fshehtas.

Mirëpo, një ditë, dy të burgosur: Alfred Ashiku, farmacisti nga Shkodra dhe Fiqiret Hoxha, ish-oficeri i xhandarmërisë nga Gjirokastra, shkulën nga një panxhar të tërë. U duk sikur u bllokua për një çast ecja e brigadës.

Polici i diktoi dhe i raportoi oficerit. Oficeri thirri shkulësit e panxharit, i nxori para brigadës dhe i dënoi! Aty ishte një plep. Në atë plep i lidhën me litar për shpine të dy të burgosurit. Pas kësaj, oficeri u futi në gojë panxharët dhe i detyroi t’i gëlltisnin. Duke qenë e pamundur, mori një gurë dhe godiste panxharët që hynin në gojët e çapëlyera! E gjithë kjo ishte tepër monstruoze… Dy të gozhduarit në trupin e plepit, me panxharët e futur në gojët e çara, kishin zgurdulluar sytë dhe po jepnin shenjën e daljes së shpirtit… Në këtë moment urdhëroi dy të burgosur t’u nxjerrin panxharin nga goja dhe t`i zgjidhin… Sapo u hoqën litarët, dy të burgosurit ranë në tokë pa ndjenja. Gjoksi u ishte i mbushur me gjakun e rrjedhur nga goja e shqyer! I mbartën në karroca dore dhe i transportuan për në kamp.

Ngjarje të tilla ishin pothuajse të përditshme. Kjo jetë s`kishte si të mos krijonte kundërshtitë e veta: tek një palë idenë e kundërshtimit, tek të tjerë durimin me stoicizëm dhe tek të pafuqishmit, Vdekjen! Në mes të punës së lodhshme, shpesh kërciste mitralozi, që rrallë mbetej pa viktima. Në një rast të tillë u plagos edhe Sopoti, shoku im i Dakaut. Më kërkoi ndihmë, ashtu i gjakosur, por sa u ula ta ndihmoj, ma ndaluan.”


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas