Kandidatet e PS për Tiranën, Luljeta Bozo dhe Najada Çomo folën sot në takimin elektoral të kryeministrit Rama me gratë dhe vajzat në kryeqytet. Bozo vlerësoi angazhimin që sipas saj ka bërë kjo forcë politike për femrat. Çomo i bëri thirrje grave dhe vajzave të votojnë Ramën që Shqipëria të buzëqeshë
Mes të tjerash, Bozo u shpreh se PS bëri të mundur përfaqësim më të lartë të grave në Kuvend si dhe në qeveri. Ajo kërkoi gjithashtu që të votohet PS.
“Ne motra dhe shoqe jemi gjysma e shoqërisë. PS është e vetmja forcë që beson në forcën tonë jo me fjalë por me vepra. Bëri të mundur që në parlamentin tonë të ketë një kuotë përfaqësimi nga gra dhe vajza. Në qeverisje ka kaq shumë gra ministre.
Ka ndërmarrë gjithë ato politika lehtësuese për gra dhe vajza që duan të futen në tregun e punës. Është kjo forcë që beson fort në misionin e veçantë që ka gruaja. Ka kontribuar që të shtohet numri i lindjeve që të mos plaket kombi. Ju ftoj që të dalim të gjitha në votime dhe të votojnë për PS”-tha Bozo.
Ndërsa Çomo iu bëri thirrje grave dhe vajzave shqiptare të votojnë kryeministrin Edi Rama, në mënyrë që të marrë qeverinë sërish për të bërë Shqipërinë të buzëqeshë.
“Ne të gjithë gratë shquhemi nga mençuria dhe durim për të bërë gjëra të mira. Në emër të gjithë stafeve mjekësore jap suportin dhe mbështetjen time maksimale. T’i japim kryeministrit Rama votën për qeverinë e re, për të bërë Shqipërinë të buzëqeshë”-tha Çomo.