Ka nervozizëm të madh te Vllaznia për humbjen e një dite më parë në Bosnje ndaj Siroki Brijeg.
U pa qartë që arbitri rus e teproi me gjykimin e tij teksa dha 12 kartona të verdhë dhe 2 të kuq e për më tepër që dy penalltitë ishin të dyshimta dhe kanë vend për diskutim.
Në reagimin e tij pas ndeshjes, trajneri Thomas Brdariç nuk e fsheh zhgënjimin teksa nuk i shuan as shpresat për një përmbysje në “Loro Boriçi”.
“Për mua nuk ishte një ndeshje e rregullt, pasi nuk mund ta besoj se sa herë ishte kundër nesh arbitri. Mund të them se skuadra ime luajti mirë, kishte besim. E kemi nisur që në fillim me ankesa, pastaj u bë keq e më keq me çfarë ndodhi. U përpoqëm të përballemi në pushim. I thashë që po luajmë kundër 12 lojtarëve dhe ta bësh këtë gjë është shumë e vështirë. Brdaric gjithsesi nuk dorëzohet: “Kemi shanset tona për kualifikim, Duhet të fitojmë me dy gola e lart ndeshjen.
Me një arbitrim ndryshe dhe në një ditë më të mirë për ne, mund të kalojmë në raundin tjetër. Ne humbëm sot një ndeshje, që ishte e balancuar për mua. Nuk e di se çfarë ndodhi me gjyqtarin, ai e humbi kontrollin.Mendoj se të dyja nuk ishin penallti. Ishte mëkat, pasi luftuam shumë. Kishim plan të mirë për të luftuar kundër tyre. Duhet ta pranojmë tani”, përfundoi në reagimin e tij trajneri i shkodranëve.