fbpx

Mapo Letrare

Bredhat e ashpër me shkëlqim të largët





               Publikuar në : 18:27 - 19/10/19 |
Wallace Stevens

Poezi nga Wallace Stevens

Njeriu prej dëbore


Duhet të kesh një shpirt prej dimri
Për të medituar këtë ngricë dhe pishat
E praruara me oksid bakri nga bora;



Dhe të kesh pasur të ftohtë gjatë kohës
Për të parë xunkthet e mbuluar me akull
Bredhat e ashpër me shkëlqim të largët


Të diellit të janarit, dhe të mos mendosh
Ndonjë dhimbje në rënkimin e erës,
Ose në tringëllimin e këtyre pak gjetheve,

Zëra të një rajoni të vizituar
Nga kjo erë që përherë
Fishkëllen në të njëjtin vend nudo

Për atë që dëgjon, që dëgjon në fushëborën,
Dhe asgjë në vetvete, sodit të njëjtën gjë
E cila është asgjë që nuk është.

Kulla natyrore

Kulla natyrore është krijim,
Qendra, trekëndori, majë e gjelbër
E gjelbërimit, më e vlefshme Se çdo shikim
I mëtejshëm, si një fron masiv,
Aksi i universit, majë jeshile,

Atdhe i lumtur në mijëra epithalame.
Është mali ku qëndron kulla,
Është mali i fundit. Dielli i pagjumë
Thith ajrin e vet të kulluar dhe pushon.
Një azil i tillë u krijua nga ai mbarim.

Është plaku deri sipër që nuk lexon tani
Asgjë më, dhe përcëllimi i lashtë i të cilit
Përcëllimin veror thithi, dhe u qetësua
Nga një sens në të cilin mosha e tij u përmbush,
Nga një sens i asgjëje tjetër tashmë.

Një poezi

Një poezi e gjetur në një baltovinë,
Gati meshar për adoleshentin,

Studiusi i uritur i atij libri,
Pikërisht atë libër, ose vetëm atë faqje,

Ose të paktën një frazë, atë frazë,
Skifter i jetës, pak latinezante:

Të njohë, një Meshar për atë që mendon.
Skifterin të takojë syrin dhe t’i zmbraset

Jo syrit, por gëzimit të sendit.
Unë luaj me kitarë. Kjo është ajo që mendoj.

Njeriu me kitarrw blu
Njeriu i përkulur mbi kitarën e tij
Në ditën e gjelbër. Ndoshta një rrobaqepës.

I thanë: “Mbi kitarën blu
Ti nuk u bie gjërave siç janë. ”

Ai tha, “Gjërat siç janë
Tjetërsohen mbi kitarën blu. ”

U përgjigjën: “Por ti duhet t’i biesh
Një arjeje që të jetë e t’na tejkalojë,

Një arje mbi kitarën blu
Me gjërat ashtu siç janë. ”

Trembëdhjetë mënyra për të parë një mëllenjë

I.
Midis njëzet maleve me borë
E vetmja gjë e lëvizshme
Syri i mëllenjës së zezë.

II .

Kisha tre dëshira,
Si një pemë
Mbi të cilën rrinë tre mëllenja.

III .

Mëllenja u end erërave të vjeshtës.
Qe pjesë e shkurtër e pantomimës .

IV.

Një burrë dhe një grua
Janë një.
Burri, gruaja dhe mëllenja
Janë një.

V.

S’di nëse të preferoj,
Bukuri kadencash
Ose aludimesh,
Fishkëllimën e mëllenjës
Apo atë që vijon.

VI .

Cikërrima akulli mbulonin dritaren
Me qelqe barbare,
Ku hija e mëllenjës
Kaloi e kaloi përsëri.
Zbuloi gjendjen shpirtërore
Motiv i padeshirueshëm
Në hije.

VII .

O njerëz të varfër të Haddam,
Pse përfytyroni zogj të artë ?
Nuk e shihni që mëllenja
Ecën nëpër këmbët e grave
Që ju rrethojnë ?

VIII .

Unë di thekse fisnike
Dhe ritme të shndritshme e të pashmangshme :
Por, e njohur për mua është,
Mëllenja që është përfshirë
Në gjërat që di unë.

IX .

Kur u zhduk në fluturim ,
Mëllenja shënoi skajin
E një sërë rrathësh.

X.

Në shikimin e mëllenjave
Fluturuese në dritën e gjelbër,
Që prej orgjive të eufonisë
Ia krisnin një britme të mprehtë .

XI .

Udhëtoi për në Konektik
Në një koçi qelqi.
Një here e shtrëngoi pështjellimi,
Kur u kap në llahtar,
Hija e ekuipazhit të tij
Nga një fluturim mëllenjash.

XII .

Lumi alarmohet:
Mëllenja duhet të fluturojë këtë çast.

XIII.

Gjithë pasditja ishte muzg.
Binte borë,
Boronte akoma.
Dhe mëllenja u ul
Midis gjymtyrëve të bredhit.

Përktheu: Faslli Haliti


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas