Kryeministri britanik Boris Johnson pësoi një goditje tjetër të enjten kur vëllai i tij, Jo Johnson njoftoi dorëheqjen si ministër dhe anëtar i parlamentit. Boris Johnson nuk ia doli që ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme dhe Daily Mail shkruan se ai mund të japë dorëheqjen nëse nuk e arrin këtë qëllim. Çështja e daljes së Britanisë nga BE vazhdon të turbullojë rëndë politikën e këtij vendi
Boris Johnson tentoi këtë pasdite që të mos e jepte veten pas vendimit bombastik të vëllait të tij për të lënë qeverinë për çështjen e Brexit, ndërkohë që kryeministri tha se Jo është një djalë fantastik dhe një ministër brilant.
Më herët gjatë ditës u tha se kryeministri i ishte lutur në mënyrë të dëshpëruar ministrit-vëlla që të mos jepte dorëheqje nga kabineti në një telefonatë të tensionuar.
Por Jo e ‘tërhoqi këmbëzën’ me largimin e tij këtë mëngjes, duke i dhënë vëllait një goditje të fortë teksa theksoi se nuk mund të bënte bashkë ‘besnikërinë ndaj familjes’ dhe ‘interesin kombëtar’.
Kryeministri tentoi të ulte rëndësinë e vendimit të vëllait kur u tha reporterëve pas fjalimit në Yorkshire se ata nuk ishin dakord për Brexit njësoj si shumë familje të tjera në Mbretërinë e Bashkuar.
Por lajmi për dorëheqjen e Jo i ka verbuar plotësisht zyrtarët e kryeministrisë, që mesa duket nuk u kishte thënë shefi i tyre për qëllimet e tij.
Një zëdhënës tha se Jo ka qenë një ministër brilant dhe i talentuar dhe se kryeministri e kupton që nuk ka qenë një vendim i lehtë.
Jo Johnson ishte në krahun e atyre që duan të qëndrojnë në BE brenda grupit konservator. Ai kishte dhënë më herët dorëheqje nga kabineti i Theresa May, duke e akuzuar se atë për mosmarrëveshjet me BE dhe bëri thirrje për një referendum të dytë.
Sidoqoftë, kur u bashkua me kabinetin e vëllait në korrik, ai kishte nënshkruar premtimin për të lënë BE-në brenda fundit të tetorit ‘gjallë a vdekur’ me ose pa marrëveshje.
Vendimi i tij për të dhënë dorëheqjen paraqet një tjetër pengesë për kryeministrin, pasi deputetët që duan të mbeten në BE, e boksuan në qoshe të ringut, duke miratuar një ligj që parandalon daljen nga BE pa një marrëveshje.
Po ashtu kryeministri u bllokua nga lideri laburist, Jeremy Corbyn për të thirrur zgjedhjet e parakohshme- duke e lënë të pafuqishëm për të kontrolluar parlamentin, por edhe të paaftë për të kërkuar një mandat të dytë demokratik.
Qeveria njoftoi këtë pasdite se një tjetër votim për zgjedhjet e parakohshme do mbahet të hënën.
Jo Johnson nuk ka shtjelluar më tej arsyet e dorëheqjes, por mendohet se ai është tërbuar nga vendimi i kryeministrit për ‘spastrimin stalinist’ të 21 deputetëve konservatorë që mbështesin qëndrimin në BE.
Grupi i deputetëve të moderuar konservatorë- ku përfshihen edhe tetë ish-ministra të kabinetit- u përjashtua brutalisht nga Partia Konservatore pasi votuan në favor të një ligji që pengon daljen e Britanisë së Madhe nga BE në fund të tetorit.
Kjo dorëheqje sjell në kujtesë përplasjet mes vëllezërve Miliband.
Në një mesazh, Rachel Johnson, motra e Boris dhe Jo që mbështet qëndrimin në BE, tha se familja nuk flet për çështjen e Brexit, veçanërisht gjatë vakteve, pasi nuk duan të bëhen kundër kryeministrit.
Në vitin 2013, Boris Johnson kishte parashikuar se vëllai i tij, Jo, kishte shumë gjasa që të bëhej kryeministër. “Ai është brilant,” ishte shprehur në një intervistë për gazetën ‘The Australian’./Marrë me shkurtime nga Daily Mail