Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, është zotuar se të gjithë të rriturve do t’u ofrohet doza e parë e vaksinës kundër Covid-19, deri në fund të muajit korrik.
Ndonëse tingëllon si një plan ambicioz, është mëse i realizueshëm, pasi deri më tani më shumë se 17 milionë qytetarë kanë marrë dozën e parë që nga dhjetori i vitit të shkuar – kur daton nisja e procesit të imunizimit.
Boris Johnson tha se ai dëshiron që programi i vaksinimit të vijojë sa më shpejt, pa patur probleme, dhe të mbyllet në pak muaj, që qytetarët të jenë më të mbrojtur dhe rregullat e bllokimit të lehtësohen.
Nga ana tjetër, Simon Stevens, shefi ekzekutiv i kontrollit shëndetësor, u shpreh se ka të dhëna që vaksinimi anti-Covid ka ulur numrin e shtrimeve në spital, sikundër numrin e viktimave.