Britania e Madhe ka regjistruar, në një periudhë kohore prej 24 orësh, numrin më të lartë të rasteve fatale nga Covid-19 që nga 21 prilli.
Autoritetet e Shëndetit në vend bënë të ditur se 1,162 persona të tjerë kanë humbur jetën brenda 28 ditëve pasi kanë rezultuar pozitivë për virusin, që nga e enjtja.
Ky është bilanci më i lartë ditor i raportuar që nga 21 prilli kur u regjistruan 1,224 viktima. Shifrat e reja e çojnë totalin e viktimave në vend në 78,508.
Shifrat vijojnë të ndikohen nga një vonesë në publikimin e të dhënave të fundit dhe do të përmbajnë disa vdekje që ndodhën gjatë periudhës së Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, të cilat sapo janë raportuar.
Shifrat e ndara të publikuara nga agjencitë e statistikave të Britanisë për vdekjet ku Covid-19 është përmendur në certifikatën e vdekjes, së bashku me të dhëna shtesë për vdekjet që kanë ndodhur ditët e fundit, tregojnë se deri më tani janë regjistruar 94,000 vdekje që përfshijnë Covid-19 në vend.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar njoftoi po ashtu se që nga ora 9 e mëngjesit të së enjtes, u konfirmuan edhe 52,618 raste pozitive nga laboratori i koronavirusit në vend.
Shifrat e reja e çojnë numrin e të infektuarve në Britaninë e Madhe në 2,889,419.