Britania e Madhe është bërë vendi i parë në botë që miraton vaksinën anti – Covid, të përgatitur nga Pfizer/BioNTech. Rregullatori britanik (MHRA) njofton se vaksina, që rezulton se ofron mbrojtje deri në 95% kundër virusit, është e sigurt për t’u përdorur.
Sipas mediave britanike, janë porositur 40 milionë doza – të mjaftueshme për të vaksinuar 20 milionë njerëz (dy injeksione për gjithkënd). Teksa pritet që 10 milionë doza të jenë në dispozicion së shpejti, vaksinat e para janë planifikuar të mbërrijnë midis datave 7 dhe 9 dhjetor.
Komiteti i Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin (JCVI) së shpejti do të publikojë këshilla për grupet prioritare për të marrë vaksinën, duke përfshirë qytetarët e shtëpive të kujdesit, personelin shëndetësor, të moshuarit dhe ata që janë më të prekshëm.
Sakaq, autoritetet shëndetësore vijojnë t’i bëjnë thirrje qytetarëve për vigjilencë dhe ndjekje të rregullave anti-Covid.