Pas ankesave sot të Kryeministrit Rama, i cili akuzoi zyrtaren e lartë të Komisionit Euroipian për Arsimin se po ndërhyn në fushatën zgjedhore, duke biseduar me liderin e Opozitës Lulzim Basha, në një konferencë on-line, ka ardhur reagimi i Brukselit.
Zëdhënësja e Komisionit, Ana Pizonero, hedh poshtë pretenedimet e Kryeministrit, duke sqaruar se komisionerja Gabriel, ka marrë pjesë në një diskutim rajonal mbi arsimin, të organizuar nga Universiteti i Vjenës.
“Komisioni nuk komenton mbi komentet e palëve të treta. Lutemi të keni parasysh që Komisionerja Mariya Gabriel mori pjesë në Tryezën e 18-të Rrumbullakët mbi Arsimimin, me ftesë të Universitetit Modul të Vjenës, i cili është organizatori i këtij eventi. Pjesëmarrja e komisioneres ishte e kufizuar vetëm në dhënien e një fjalimi kryesor”, tha zëdhënësja e KE.
E pyetur nga mediat në Tiranë, nga Euronews Albania, ajo shtuar se fjalimi i komisioneres është i publikuar, dhe aty nuk ka konsiderata për partitë, por për arsimin në Ballkanin Perendimor.
“Fjalimi, i cili është i publikuar në faqen e internetit të Komisionit, është i fokusuar mbi iniciativat e fundit evropiane në fushën e arsimimit dhe të kërkimit, të cilat vlejnë për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë. Komisionerja nuk bëri ndonjë deklaratë për ndonjë parti politike, por mbajti një fjalim mbi çështjet që kishin të bënin me fushën e saj”, thuhet në reagim.
LEXO EDHE:
Diskutimi i Bashës me Komisioneren e BE, Rama: Dikush në Bruksel të reagojë
LEXO EDHE:
Basha: I habitshëm nervozizmi i Ramës, rruga jonë është drejt BE