Aktualitet

BSH: Mosrealizimi i investimeve ka frenuar rritjen e ekonomisë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 10:33 - 28/10/14 |
mapo.al

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerësoi se mosrealizimi i investimeve publike ka prodhuar efekte të padëshirueshme në ekonomi dhe në tregjet financiare. Parashikimet mbeten optimiste, por skenarët e rrezikut janë në sfond


elisabeta gjoniPolitika e taksave të larta dhe mosaktivizimi i shpenzimeve buxhetore sipas programit kanë ndikuar në frenimin e rritjes ekonomike. Këtë konkluzion e ka nxjerrë Këshilli i Mbikëqyrjes në deklaratën e përmuajshme të politikës monetare që u mbajt dje, duke lënë të pandryshuar normën bazë të interesit. Banka e Shqipërisë gjykon se ka vend për një ndjekje më të mirë të ritmikës së planifikuar të shpenzimeve buxhetore.


Politika fiskale frenoi konsumin


Ekspertët e Bankës thanë se politika fiskale ka gjeneruar dhe do të vazhdojë të gjenerojë impulse frenuese në konsum. Realizimi i planit të të ardhurave buxhetore në fund të periudhës nëntëmujore e ngushtoi me rreth 53.1% deficitin buxhetor në terma vjetorë. Por kjo ka ndodhur, sipas autoritetit qendror bankar, edhe për shkak të ecurisë së ngadaltë të shpenzimeve publike, sidomos në zërin e investimeve. Ulja e deficitit buxhetor në borxhin në përgjithësi është një lajm i mirë për ekonominë, thotë Banka, sidomos duke i shërbyer forcimit të ekuilibrave ekonomikë e financiarë të vendit dhe duke krijuar më tepër hapësirë për një politikë monetare stimuluese. Por, paralelisht me këtë konstatim, Banka e Shqipërisë gjykon se ka vend për një ndjekje më të mirë të ritmikës së planifikuar të shpenzimeve buxhetore. “Projeksionet tona makroekonomike, shpërndarja e tyre nëpër tremujorë dhe reagimi i politikës monetare, janë të kushtëzuara nga realizimi i planit të shpenzimeve buxhetore. Shmangiet e ndjeshme nga ky plan prodhojnë efekte të padëshirueshme në ekonomi dhe në tregjet financiare”, lajmëron Banka e Shqipërisë në deklaratën zyrtare.


Parashikimet

Të dhënat më të fundit të sektorit real tregojnë një ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vend, por ky ngadalësim vlerësohet të jetë i përkohshëm. I matur sipas vlerës së shtuar, aktiviteti i brendshëm ekonomik regjistroi rënie në tremujorin e dytë. Po kështu, inflacioni shënoi rënie në muajin shtator. Megjithatë, analiza e informacionit të disponuar nga Banka e Shqipërisë sugjeron se këto zhvillime, deri diku të papritura për intensitetin e tyre, shpjegohen në masën më të madhe nga goditje kalimtare. Banka e Shqipërisë vlerëson se parashikimet e ardhshme për rritjen ekonomike e inflacionin nuk kanë pësuar ndryshime të ndjeshme krahasuar me vlerësimet e mëparshme. Banka e Shqipërisë pret një ecuri ekonomike në përmirësim, çka do të krijojë premisat e duhura për kthimin e inflacionit në objektiv në një periudhë afatmesme. Por gjithashtu, Banka paralajmëron se vlerësimet e mësipërme përmbajnë pasiguri të lidhura me natyrën dhe cilësinë e informacionit të disponuar. Kështu, ngadalësimi ekonomik i vërejtur në tremujorin e dytë mund të reflektojë dobësi më të madhe të konsumit, apo goditje më të forta ose më të gjata në kohë të ofertës. Verifikimi i këtyre skenarëve në të ardhmen do të nënkuptonte një kthim më të ngadaltë të inflacionit në objektiv dhe do të kërkonte një rishikim të mëtejshëm në kahun lehtësues të politikës monetare. Dy vitet e fundit ekonomia shqiptare ka performuar shumë më dobët sesa pritshmëritë e Bankës së Shqipërisë dhe qeverisë. Nga ana tjetër, të dhënat aspak optimiste në ekonominë e Eurozonës janë një sinjal tjetër se ekonomia e vendit do të jenë nën presionin e vazhdueshëm të faktorëve rrezikues për të siguruar një rritje ekonomike stabile.



Pas