Aktualitet

Bugajski: Pse Berisha? Pse tani?














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 16:56 - 20/05/21 |
mapo.al

Ish-zyrtari i Departamentit të Shtetit Thomas Countryman, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se vendimet për përcaktimin publik të zyrtarëve të huaj të përfshirë në korrupsion të niveleve të larta nuk merren lehtësisht dhe shton se ai nuk ndihet i befasuar nga klasifikimi i ish-presidentit Sali Berisha si i tillë. Ndërsa një analist tjetër amerikan, njohës i zhvillimeve në Shqipëri dhe Ballkan, Janush Bugajski ngre disa pikëpyetje mbi vendimin e Departamentit të Shtetit. Kolegia Keida Kostreci sjell më shumë hollësi.






Ish-zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, Thomas Countryman, thotë se nuk është i befasuar nga vendimi për ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të zotit Berisha.


“Nuk mendoj se audienca në Shqipëri nuk është në dijeni të shkallës së korrupsionit publik që ka prekur politikanë nga parti të shumta, kështu që ekziston një bazë faktike për përcaktimin”, tha ai për Zërin e Amerikës.







Zoti Countryman, i cili si zevendës ndihmës sekretar për Evropën, mbulonte Ballkanin, thotë se megjithëse nuk i di argumentat që përbëjnë bazën për këtë vendim specifik, autoriteti që Kongresi i ka dhënë Departamentit të Shtetit ushtrohet me kujdes.



“Ai ushtrohet vetëm nëse ekziston një bazë e fortë faktike për identifikim korrupsioni të konsiderueshëm. Vihet në përdorim vetëm nëse korrupsioni është i rëndësishëm dhe veçanërisht në ato vende ku korrupsioni është një problem serioz dhe i përhapur. Për fat të keq Shqipëria është në atë kategori”, tha zoti Countryman.



Ai shton se shpreson që ky përcaktim të nxisë Shqipërinë dhe vendet e rajonit të luftojmë me forcë korrupsionin.

Ish-zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, thotë se nuk ka ndonjë arsye të fshehtë që njoftimi u bë në këtë moment dhe se burokracia në Shtetet e Bashkuara lëviz me ritmin e vet.

“Nuk besoj se SHBA kanë marrë ndonjëherë anë në Shqipëri në luftën shumë të hidhur politike mes partive kryesore. Por sigurisht kur isha unë në qeveri dhe besoj edhe më pas, SHBA janë shqetësuar gjithmonë për faktin se ka akuza të besueshme për korrupsion në lidhje me disa parti të ndryshme në Shqipëri. Shpresoj që ky veprim nga Shtetet e Bashkuara, i cili jam i sigurt se do të shihet si dramatik në Shqipëri, të sjellë si rezultat ripërtëritje të përpjekjeve për të ndërmarrë veprime kundër politikanëve të korruptuar nga çdo parti”, i tha ai Zërit të Amerikës.

Por analisti Janusz Bugajski i Fondacionit Jamestown nuk kupton se pse është përcaktuar pikërisht Sali Berisha dhe pse tani.

Lexo edhe :  Berisha quan Bashën ish-kryetar: Pasi humbi zgjedhjet u mor me karrigen e tij

“Nuk e kuptoj se përse veçohet një ish-udhëheqës politik, i cili nuk mban më poste. Kjo është diçka që mund të bëhej nga brenda vendit; nëse ekzistojnë prova të forta, ata duhet të kërkojnë një gjyq, një hetim e të tjera, por të ndalosh dikë të udhëtojë, kjo duket si një standard i dyfishtë, diskriminim, apo ato që përmenda. Pra, nuk mendoj se është një ide e mirë dhe koha kur merret ky vendim nuk është e përshtatshme”, i tha ai Zërit të Amerikës.

Sipas zotit Bugajski, nëse do të përfshihen edhe njerëz të tjerë nga rajoni, “do të mbeteshin shumë pak udhëheqës politikë të Ballkanit, ose të një pjese të mirë të Evropës Lindore, që do të lejoheshin të hynin në Amerikë”.

Ai druhet se ky veprim do të shihet si një hap anti-shqiptar në rajon.

“Bashkimi Evropian qysh tani po e mban në distancë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Kosova ende nuk e ka marrë liberalizimin e vizave dhe jam i sigurt që do të ketë njerëz të cilët do të thonë se ky diskriminim kundër shqiptarëve tani po praktikohet nga administrata e re në Uashington”, thotë ai.

Zoti Bugajski shtron pyetjen nëse në këtë kategori do të përfshihen figura të tjera politike.

“Ka patur mjaft debate për qeverinë e tanishme të Shqipërisë, nëse do të përfshihet edhe Kryeministri, Presidenti, opozita. Po vendet fqinje? Mali i Zi, Kosova e kështu me radhë? Kjo i ngjan gati-gati hapjes së Kutisë së Pandorës, pra se cilët udhëheqës nuk do të lejohen në Shtetet e Bashkuara”, thotë zoti Bugajski.

Zoti Bugajski e pranon që ideja ka qenë që të dërgohet një sinjal i fortë në rajon, por shton se mund të bëhet fjalë për një sinjal të fortë të gabuar.

Zoti Countryman e sheh ndryshe dhe parashikon të shohë edhe përcaktime të tjera të kësaj natyre.

“Duhet parë si një sinjal i qartë se korrupsioni i vazhdueshëm nga çdo parti në Shqipëri, nga çdo parti në vendet e tjera, ka pasoja përtej atyre të vetë vendit dhe ndikon në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara”, thotë ai.

Sipas tij këto veprime janë pjesë e një prirjeje të administratës së zotit Biden për ta pasur përparësi luftën ndaj korrupsionit global./VOA/

1


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas