Pas shtatë vitesh në krye të KLSH, Bujar Leskaj e lë zyrën pasi ka firmosur dëme të zbuluara që në total kanë kapur vlerën 957.3 milionë euro. Një karrierë e suksesshme që mbyllet me katër deri në pesëfishimin e gjithë treguesve të punës së institucionit.
Tre zonja të nderuara ia bënë shumë më të ndryshme atë që e kishte menduar si ditën e tij të fundit të punës në krye të KLSH. Në zyrën e Bujar Leskajt në prani edhe të disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, kanë trokitur dje një përfaqësi e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”. Në emër të tij Zenepe Luka, Makbule Çeço dhe Irini Qirjako i kanë dorëzuar medaljen “Mirënjohje” që ndoshta do të jetë më e paharruara për të. “Kurrë nuk kam përjetuar kaq emocione sa sot”, tha para se të shtrëngonte duart me ata pak njerëz që ishin aty, mes tyre edhe aktori “lab-njëlloj si ai”, adashi i vet Bujar Asqeriu. Ka mbyllur kështu në mënyrë simbolike një pjesë shumë të rëndësishme të karrierës së tij, ai që me drejtimin e tij solli për KLSH-në ata rezultate që vështirë se do të mund të tejkalohen në një kohë të afërt.
Gardiani i parave publike
Kur Bujar Leskaj mori drejtimin e institucionit që ka rolin e mbikëqyrjes së përdorimit të parasë dhe pasurisë publike nuk ishte një i panjohur për publikun. Ai vinte aty pasi kishte ngjitur me plot arritje shkallët e karrierës profesionale dhe të asaj politike. Me titullin avokat të marrë në vitin 2004, pas masterit shkencor në financa dy vjet më vonë dhe gradës “Doktor i Shkencave Ekonomike” të fituar më 2009, vetëm sa kishte vijuar shkollimin e tij i cili më herët kishte qenë i finalizuar me tre diploma universitare në vend, atë të inxhinierit të naftës, financierit dhe juristit, dhe një tjetër për administrim publik në Nebraska, SHBA. Por nuk do të ishte as shkollimi, as një kolanë me botime që mbanin emrin e tij, që do ta bënin ish-doganierin dhe kryetarin e degës së Doganës Vlorë, e më pas pedagogun e financës Leskaj që të kishte njohjen publike, që pati kur erdhi në zyrën e kryetarit të KLSH. Ai më parë kishte spikatur me një karrierë të suksesshme politike, që kishte kapur majat si deputet i Vlorës, anëtari i komisionit parlamentar të ekonomisë e financave dhe si ministër i turizmit. Gjurmët që kishte lënë me punën e tij dhe përvoja e fituar bënë që konsensusi politik për emrin e tij të mos ishte i vështirë. Ai ishte i pranueshëm për të gjithë palët politike dhe kështu më 23 dhjetor 2011, 45-vjeçari Bujar Leskaj merr drejtimin e KLSH.
Shifrat flasin vetë
Shtatë vjet më vonë, Bujar Leskaj vjen me një bilanc në drejtimin e KLSH të cilin edhe vetë vështirë ta ketë menduar kur mori detyrën. Me objektiva e synime të qartë për të dhënë një tjetër dimension për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies dhe luftës kundër korrupsionit, për të garantuar një qeverisje sa më të mirë dhe me moton që KLSH të vepronte si shërbesëtar i qytetarit, Leskaj ia doli të shënonte rezultate të spikatura. Në publikimet periodike është zyrtarizuar gjithë ai volum pune që institucioni ka kryer në shtatë vitet e drejtimit të tij. Zbulueshmëria e dëmeve financiare dhe rastet e padive penale për korrupsion e shpërdorim janë treguesi më i qartë i asaj që është arritur të bëhet. Nuk ka qenë e thjeshtë sepse presionet politike dhe të llojeve të tjera janë një natyrshmëri në punën e institucionit që prek në pikën e dobët: menaxhimin me ndershmëri të parasë publike. Nga viti 2012 deri në 2017 pas kontrolleve të ushtruara nga KLSH, përfunduan në zyrat e Prokurorisë 266 kallëzime penale të cilat përfshinin 847 persona shumica e të cilëve drejtues institucionesh. Nëse Reforma në Drejtësi do të mbyllet me sukses, materiali që ka në dorë për abuzuesit me tenderat, me qiratë e pronës publike, me mbledhjen e të ardhurave dhe kryerjen e shpenzimeve buxhetore është i bollshëm. Vetëm në vitin 2017, KLSH ka depozituar pranë Prokurorive të rretheve, 47 kallëzime dhe indicie penale edhe 4 dosje auditimi të përcjella për vlerësim organit të Prokurorisë. Në 47 kallëzimet dhe indiciet penale të hartuara nga KLSH, janë ngarkuar me përgjegjësi penale 129 persona nga të cilët 23 titullarë institucionesh. Ndërkohë nga janari shtator 2018 KLSH ka bërë 34 kallëzime dhe indicie penale, për 98 drejtues kryesisht të rangut të mesëm dhe të lartë si edhe zyrtarë të tjerë. Ndërkohë sa i takon dëmeve financiare të zbuluara, bazuar në raportet e vetë KLSH rezulton që në fund të 2017 ishin gjetur parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 11.5 miliard lekë ose 85.8 milionë euro. Pas këtyre rezultateve në total rezultonte të ishin konstatuar shkelje në shumën 110.5 miliardë lekë ose afërsisht 825.6 milionë euro. Rezultatet thellohen më tej përgjatë 9 muajve të parë të 2018 (rezultatet përfundimtare të vitit do të duan kohë të përpunohen zyrtarisht). Kështu deri në fund të shtatorit 2018 ishin zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 4,993,758 mijë lekë ose 39.7 milionë euro, shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 115,349,578 mijë lekë, afërsisht 917.6 milionë euro, duke gjetur në total shkelje në shumën 120,343,336 mijë lekë ose afërsisht 957.3 milionë euro. Bujar Leskaj, ka gjithë të drejtën të krenohet me shifrat që ka arritur. Sigurisht që ai nuk i dha fund korrupsionit e abuzimit, por nga ana tjetër askush nuk mund të thotë se ai nuk e pati guximin të përballet me të.
Leskaj kërkon largimin, Meta: Në detyrë deri në zgjedhjen e pasuesit
Kreu i KLSH, Bujar Leskaj njoftoi dje delegimin e kompetencave në drejtimin e institucionit te zëvendëskryetarja Lindita Milo. Sipas njoftimit të dalë nga KLSH, vendimi vjen pas publikimit në Fletoren Zyrtare të këtij akti që rrjedh nga përfundimi i mandatit kushtetues të Kryetarit të KLSH që më datë 23 dhjetor 2018. Për këtë siç thuhet në njoftim Leskaj kishte informuar më parë Presidentin e Republikës, Kryetarin e Kuvendit, zv.kryetarin e Kuvendit, Kryetarët e Partive opozitare dhe Kryetarët e Grupeve Parlamentare, si edhe Kryetarin e Komisionit për Ekonominë dhe Financat në Kuvendin e Shqipërisë. Por menjëherë pas këtij akti të Bujar Leskajt, në kushtet kur Vitore Tusha nuk ia doli që të zgjidhet në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka ndërhyrë kreu i shtetit, Ilir Meta, i cili ka bërë edhe sqarimin përkatës ligjor. Presidenti ka kërkuar që Leskaj duhet të vazhdojë detyrën deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. Shkresa e Metës, sipas njoftimit nga Presidenca i është dërguar për dijeni edhe kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi. “Presidenti i Republikës u njoh me shkresën tuaj, nëpërmjet të cilës veç të tjerash informoni Presidentin, se mandati juaj në detyrën e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit ka përfunduar më datë 23.12.2018, dhe për këtë, me vendim ju keni vendosur delegimin e kompetencave tuaja tek Zëvendëskryetari i KLSH dhe drejtori i Përgjithshëm, zonja Lindita Lati (Milo)”, thuhet në përgjigjen e Metës. Presidenti thotë se pasi nuk është miratuar kandidatura e Vitore Tushës nga Kuvendi për në krye të KLSH, ai është duke vlerësuar përzgjedhjen e një kandidature të re. “Për sa i takon ushtrimit të mandatit si Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit pas përfundimit të afatit 7-vjeçar të tij, kjo çështje është e zgjidhur nga vetë ligji nr.154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, ku në nenin 24 parashikohet shprehimisht se: “Pas përfundimit të mandatit të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ky i fundit qëndron në detyrë deri në zgjedhjen e Kryetarit të ri”, thekson presidenti. Sipas kreut të shtetit, “nëse organi i Kontrollit të Lartë të Shtetit do të përfaqësohej nga një funksionar tjetër dhe jo nga Kryetari i tij, kjo do ta zhvishte atë nga mbrojtja kushtetuese dhe ligjore që ka ky institucion dhe në këtë mënyrë do të cenohej integriteti dhe pavarësia e tij”.
sikur cereku te qendronte, duhej qe te ishte nje burg plot me abuzuesit. fakti qe te denuarit jane sa gishtat e njeres dore (nese jane), tregon qe eshte vec propagande.