Protestën e banorëve të Bregut të Lumit për mbrojtjen e shtëpive të tyre, kryebashkiaku Erion Veliaj e quan përpjekje të opozitës për të bllokuar ndërtimin e “Bulevardit të Ri”. Edhe pse policia ushtroi dhunë ndaj banorëve, duke i nxjerrë forcërisht nga banesat, Veliaj nuk e ceku këtë moment, por preferoi ta politizojë. Sipas tij, “politikanët e llastuar dhe të fortët e politikës shqiptare nuk mund të bllokojnë ndryshimin“.
“Ju e dini fare mirë, ky është një qytet që ka vështirësitë e veta. Teksa flasim, po ecim me punimet per tek piazza e fundit e Bulevardit të Ri, por ka ende fëmijë teveqelë e te llastuar politikanesh dhe të fortësh të politikës shqiptare, që i bëjnë rezistencë ndryshimit, por ndryshimi do vijë. Edhe i paevitueshëm. Në mos do e sjellim ne, do e sjellë dikush që vjen pas nesh. Po më mirë ta sjellim ne që e kemi në dorë, sesa t’ia lëmë gjithmonë si gjobë një gjenerate tjetër”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë u shpreh se kryeqyteti është i destinuar që të rritet. “Duam apo s’duam ne, në të gjithë botën, përfshirë dhe Hungarinë, dhe Shqipërinë, dhe Ballkanin, dhe Europën Qendore, dhe çdo vend tjetër, ka një tendencë nga periferia për në qendër. Pra njerëzit në periferi të Shqipëri duan të vijnë të gjithë në Tiranë, njerëzit në Ballkan që është periferi e Europës duan të shkojnë më në qendër të Europës. Kështu që kemi dy mundësi, ose na kaplon histeria për këto lëvizjet demografike, ose themi ky është një realitet të kohëve tona moderne të cilët ne duhet ta përballim, dhe hajde të mësojmë nga më të mirët”, tha ai teksa shtoi se nuk mund të ndërtohen dot mure brenda qyteteve tona.
“Ne nuk i ndërtojmë dot mure qyteteve tona, siç ishte në kohët e lashta, ku qytetet rrethoheshin prej muresh. Muret tani janë financiare, muret janë mure të pamundësive, dhe kjo është arsyeja pse ne nuk ndërtojmë dot mure në Tiranë, se na vijnë 25 mijë veta çdo vit. Që nga koha kur jam zgjedhur kryetar bashkie kanë ardhur 100 mijë veta në Tiranë. Do të thotë që duhet të përgatitemi për apartamente që mund të përballojnë. Por për sa kohë që rritja është e qëndrueshme, është inteligjente me konceptet e “Smart Cityt” është e gjelbër me konceptet e pyllit orbital, apo xhepat e parqeve, apo mikro-hapësirave ku po ndërhyjmë, atëherë ky është një lajm i mirë. Nuk është një fatkeqësi, por është një privilegj, fakti që qytetet tona shtohen si në Budapest dhe në Tiranë me çuna dhe goca që vijnë nga rrethe të tjera, kanë talent”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj.
LEXO EDHE:
Shembje banesash dhe dhunë, shihni ç’ndodh te Bregu Lumit (Foto)
Bregu i Lumit/Polici i Bashkisë kap prej fyti Klevis Balliun (VIDEO)
Pse, mor talenti nuk mund te zhvillohet dhe ne nje qytet tjeter. Eshte primitivizem te vecosh sot nje qender dhe ne emer te zhvillimit ta kaotizosh dhe shkaterrosh. Bota e qyteteruar e ka qyteterimin ne cdo skaj te saj. Tirana eshte perbindshuar per interesat e oligarkeve. Denim maximal per ata qe mbajne pergjegjesi per “mbytjen” e nje qyteti!