Editorial

Burrat, 8 marsi +364 ditë






               Publikuar në : 08:32 - 09/03/19 |
Nga Briseida Andoni

Nga Briseida Andoni


Në ditën e djeshme, veç debatit të modës tashmë festë/protestë, shumë vëmendje morën dhe burrat, meshkujt sikurse çdo vit në këtë datë. Është më se e drejtë dhe obligim shoqëror të dënojmë haptas dhunën, kriminalitetin, çrregullimet sjellore me pasoja të tmerrshme, dhe fjalët dhe rebelimet e të gjitha formave janë gjithnjë të mirëshpenzuara. Por unë kisha dëshirë të ndalesha pak dhe tek ata burra që nuk janë as dhunues, as kriminelë, as keqtrajtues aktivë verbalë..që përkundrazi kanë vlera karakteriale, etike dhe morale me të cilat pasurojnë shoqërinë dhe vetveten..punojnë fort dhe rropaten për t’u siguruar që të afërmve, prindërve, gruas apo fëmijëve mos t’u mungojë asgjë..dhe nuk janë aspak “të këqij” në thelbin e tyre, aspak..por kanë një mungesë të theksuar në komunikim, që megjithëse krahasuar me të gjithë veprat dhe faktet mund të duket e vogël në realitet është kaq e madhe sa të shkaktojë dëme të mëdha. Për ata burra që megjithëse na duan, e kanë të pamundur mos të na plasin shpirtin..Meshkujt, burrat, çunat e kësaj shoqërie duket sikur vuajnë nga një paaftësi e vazhdueshme për të shprehur ndjenja, emocione, vlerësime, lavdërime, njohje të veprës së mirë dhe të vlerës së gruas, femrës, partneres.

Diku në manuale psikologjike Alexitimia përshkruhet si emërtimi i paaftësisë për të verbalizuar emocionet e çfarëdollojshme, negative apo pozitive, pra diçka përtej asaj që duhet të jetë normaliteti. Që këtu mbërrijmë te fakti që dhe femra më pak e keqtrajtuar në botë, madje me fatin e një mashkulli me virtyte në krah, nuk arrin dot asnjëherë të ndihet as e vlerësuar dhe as e përkëdhelur. Mund të spekulojmë shumë mbi sa mënyra të tjera ka për ta treguar respektin dhe dashurinë e sa më të vlefshme janë ato në krahasim me fjalët të cilat janë sipërfaqësore. JO! Nuk është kështu. Fjala, dhe verbalizimi i vazhdueshëm i së mirës ka peshën e vet që nuk është aspak e papërfillshme, përkundrazi, jashtëzakonisht e DOMOSDOSHME. Vlerësimi duhet të shprehet. Gjithmonë dhe kujtdo, po sidomos në marrëdhënien mashkull-femër, aty ku fundja mungon më shumë. Emocioni duhet shprehur, dhe nuk të bën më të dobët, përkundrazi më të fortin e të kompleksuarve të këtij lloji. Dashuria duhet shprehur, patjetër patjetër, dhe as rrallë e për mall por shpesh, shumë shpesh.

Dëgjoheshin dje femra që akuzonin meshkuj pse nuk morën asnjë mimozë..asnjë fjalë të bukur..dhe “argumentat” e më të zgjuarve prej tyre duke përfshirë përgjigjen që mora dhe vetë ishin: unë copëtohem 364 ditët e tjera për ty, mendoj se është mjaftueshëm, ç’rëndësi ka a të urova sot.. Dhe në këtë rast, replika do të ishte..vërtet..po fjalët e ngrohta dhe dashurinë e verbalizuar nuk e ke as 364 ditët në fjalë..dhe sot për 8 mars gjeta rastin të ta them, meqë as soot nuk e sforcove pak atë veten specifikisht për këtë..

Një gazetare me humor pyeste disa burra të moshuar në park: urove sot gruan apo të dashurën? Shumica e tyre u përgjigjën asnjërën, pasi sigurisht edhe në këtë rast paaftësia për t’u shprehur është gjithëpërfshirëse..si gruaja, e dashura, nëna, motra, vajza..nuk njeh as diskriminime të tilla..ndaj dhe këto drama thellohen..Një tjetër argument i shpeshtë i tyre është që ata që flasin janë lajkatarët, mashtruesit, ordinerët që kanë qëllime të dyta, ose palaço jo seriozë. Jo ore jo, ka një ndryshim te madh mes lajkës së tepruar dhe vlerësimit dhe dashurisë reale të shprehur. Po aq të dukshme sa të prekshme. Na e lini ne në dorë ta bëjmë atë diferencë se për aq jemi të zgjuara vetë. Fjala  e ngrohtë nuk është kurrë e tepërt dhe shkakton pasoja vetëm pozitive për të gjithë mirëqenien psikofizike, përveçse një reagim zinxhir përmirësimi humori dhe komunikimi në çift, në grup, në shoqëri e kudo. Një femër e përmbushur mund vetëm të dhuroje mirësi, përkujdesje e kontribute pozitive për botën që e rrethon. Përkundrazi një femër e pa përmbushur dhe në qoftë karakterialisht rastësisht e ëmbël me kohen do të tkurret, ashpërsohet, frustrohet, shterposet..reduktojë produktivitetin e gjithfarëllojshëm kudo.

Një kategori me të cilën kam dëshirë të merrem janë burrat që përgjërohen pas femrave keqtrajtuese, aspak gojëmbël, nënshtruese, që ju interesojnë vetëm aspektet sipërfaqësore e materiale të jetës dhe vetëm thelbi i gjithçkaje nuk ju ka interesuar kurrë. Çuditërisht këto “simotrat” tona seç kanë dhe një veçanti karakteriale, që konsiston në aftësinë për t’i bërë meshkujt të ndihen të paaftë dhe të pavlerë sa më shumë ata të copëtohen. Ky model indukton te ta një kompleks për të qenë më i zotë, më i pasur, më i denjë..dhe një mungesë objektiviteti për të dalluar femrën e mirë, shpirtërore, konstruktive të painteresuar. Ohh, sa çudi. Sa çudi që ndihen bosh këta me kalimin e kohës. Cila të jetë vallë origjina e kësaj thatësire..sa e pagjetshme ee..këtyre nuk di a t’u uroj ndriçim a t’iu them mirë t’u bëhet.  Kështu pra, askush nuk ka të mira nëse ftoh zemrën e femrës dhe e bën femrën e palumtur. Nuk përfiton as ai vetë, as familja dhe as shoqëria. Ndaj dhe replika e ditës post e donte dhe këtë minirevolte krahas protestave për çështjet më akute dhe serioze, ndonëse jo më pak e rëndësishme. Na flisni pra, na i thoni gjërat e bukura kur e meritojmë se na lodhët. Na i thoni në 5 mars apo në 12 maj nëse nuk doni fiks në 8 mars. E le të shërbejë 8 marsi si rast për t’iu kujtuar çfarë na mungon se s’ka ndonjë gabim të madh në këtë mes. Duam dashuri, nuk duam luks. Ne që e meritojmë, që mos t’i fusim të gjitha në një thes. Investoni për shumë të mira po dhe kuptoni që edhe sikur në një pikëpamje egoiste, është dhe investim për mirëqenien tuaj në radhë të parë. Gëzuar pra post protestën, festë e përditshme për ne!


Etiketa: , , , ,

KOMENTO (3)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

  1. Aman Briseida se kjo permbushja juaj… Se ju nuk permbusheni kurr, jo sepse ne meshkujt nuk ju ndihmojme te permbusheni por sepse ju thelle-thelle ne psikoemocionalitetin tuaj jeni keshtu, gjithnje ne ankth, gjithnje te paplotesuara. Dhe at’here shkoni te i dashuri dhe filloni t’ja beni dhe atij koken dhalle se sa te palumtura jeni, se sa burri ju le pas dore… Femra ashtu si dhe meshkujt qellimin e jetes ate kane te vetpermbushen. Se pastaj kot qe cohen nga krevati ne mengjes….

    Përgjigju ↓
  2. Ka te drejte deri diku, sepse ne natyren e saj femra eshte pus pa fund. Pastaj kur mashkulli kontribuon me ia thellu pusin, nuk ka bir k…et me ia mberrit ma fundin pusit. Femna nuk asht e knaqun kurre, cfaredo me i ba burri. Femna ndalon vetem te ajo qe nuk ka, edhe pse ka boll! Jo vetem materjalisht, por edhe emocionalisht. Femres po ti vendosesh boten te njera dore, shikon doren tjeter qe e ka bosh! Ca me thane ma, vecse bota nuk do te ishte e amel dhe e dashtun pa to, per femnat e kam fjalen, jane dashnija pafund, taman si pusi.

    Përgjigju ↓
Pas