Gazetari dhe njëherësh analisti politik, Andi Bushati nguroi pak kur u pyet se kur mund të mbahen zgjedhjet në vend. I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News 24, Bushati tha se nuk vë dot bast, por zgjedhjet mund të mbahen në qershor vetëm nga PS-ja.
“Sot konflikti është midis një njeriu që po ndërton një shtet personal dhe qytetarëve të tij. Është shpejt të vësh bast, unë them se do bëhen zgjedhjet vendore por në to do hyjë vetëm PS”.
Më tej ai kritikoi edhe partitë e opozitës, pasi u thonë protestuese se Rama do rrëzohet shpejt. Andi Bushati parashikon se kjo krizë ka për të zgjatur disa muaj.
“Nëse ka një gjë që më duket e pasinqertë tek PD dhe LSI është se ju thonë mbështetësve hajdeni më 16 mars se Rama mori fund. Jo! ky është një proces i gjatë, kjo tërheqje e opozitës nuk zgjidhet as me dy javë, as me dy muaj. Është një ftesë e madhe për shqiptarët se drejt çfarë modeli politik dhe shoqëror do shkojmë”, u shpreh Bushati.
Sipas tij, shqiptarët nuk e kanë sot një alternativë, si dikur që për t’i ikur Berishës votonin për Nanon, pasi Edi Rama është kujdesur ta berishizojë PS. “Sot shqiptarët kanë ngelur pa zgjedhe se Partia Socialiste e ka humbur aftësinë të jetë plurale. PS sot është berishizuar përmes Edi Ramës”, theksoi ai.