Partia Demokratike zyrtarizoi të martën marrëveshjet e koalicionit me aleatët. Ata u angazhuan për bashkëpunim, por mbi të gjitha për të mos lejuar zgjedhje farsë. Pas tyre reagoi edhe kryeministri Edi Rama, që tha se zgjedhjet nuk do shtyhen.
Por si e shohin situatën analistët?
Andi Bushati shkruan te Lapsi.al se zgjedhjet nuk duhet të shtyhen.
“Zgjedhjet në këtë vend nuk mund t’i shpëtojë, as ndonjë lëmoshë e minutave të fundit, as ndonjë garanci ndërkombëtare, apo premtimi se Gjushi në Durrës apo Lala në Elbasan u hoqën qafe, e aq më pak ndonjë kompromis për “lëshimin” e ndonjë qyteti të madh. Nëse me largimin përfundimtar nga parlamenti, opozita pati si qëllim ta nxjerë lakuriq regjimin e Ramës, nëse ajo u vetësakrifikua për të shërbyer si pasqyrë, ku njerëzit të shohin se të gjitha pushtetet i ka në dorë një njeri i vetëm, ajo duhet t’i shkojë në ekstrem kësaj rruge: pra t’i braktisë edhe zgjedhjet lokale. Ta lërë të shpërfaqet deri në fund parodia e një pushteti që do të garojë me vetveten, që do të bëjë sikur ndeshet me palaçot që ka krijuar vetë, e që do të kthejë në lolo vëzhguesit ndërkombëtarë që do të sillen sikur monitorojnë një garë të rregullt.
Pra, në këtë kuptim, ajo që opozitës i duhet më pak, është një shtyrje e datës së zgjedhjeve. Prandaj edhe Rama ka të drejtë kur deklaron me vendosmëri se 30 qershori nuk preket. Ai nuk mund të falë një gjë që, as nuk ia ka kërkur kush, as nuk i duhet kujt. Por edhe mbështetësi i tij, Borshard, nuk e ka gabim kur ngre dilemën se ç’do përfitohej nga zhvendosja e 30 qershorit. Këtu të gjitha palët bien dakord: E pse u dashkan bërë zgjedhjet detyrimisht me opozitën?” shkruan Bushati.
Kurse Agron Gjekmarkaj shkruan tek Panorama se duhet rithemeluar demokracia në vend.
“Demokracia në Shqipëri ka nevojë të rithemelohet dhe jo t’i kërkohet opozitës të rikthehet në “shtratin” e Edi Ramës për ta përdhunuar përsëri. Nga ana tjetër, diplomatët i përsërisin pareshtur opozitës të tejkalojë vetveten, të harrojë pse i dogji mandatet dhe të hyjë në zgjedhjet lokale, megjithëse e dinë që Kryeministri po i pret me “kobure” në dorë për t’i “vrarë” përsëri! Pas këtij dimri të vështirë, ai e ka më të domosdoshme se kurrë një “fitore” të madhe. Mendoni me çfarë kose në dorë do t’u ngjitej lëndinave të këtij vendi gjatë muajit qershor! Ani i thonë Bashës, shko e “vdis” aty, po garanci nuk japin as edhe një! Nga ana tjetër, ata nëpërmjet presionit verbal po ndihmojnë Edi Ramën të gjejë paterica dhe të sajojë opozitë të re.
Me djegien e mandateve dhe bojkotimin e zgjedhjeve lokale, si rruga e vetme që i ka mbetur opozitës, Basha i ka hequr çdokujt mundësinë e lëvizjes antisistem duke e përvetësuar atë, po kaq i ka pamundësuar jetën politike çdo subjekti me karakter kinse opozitar! Me të mirat dhe të këqijat e veta, tani opozita reale gravon përreth aksit PD-LSI me aleatë. Ajo duhet të vazhdojë transformimin e brendshëm, të cilin e ka jetik pa rënë në kurthet e shumta që po i ngrihen ngamos! Dialektika politike e tri dekadave na mëson se pesha e pushtetit abuziv zë nën vete arkitektët e saj! Kur garancitë nuk na i japin dot të huajt, tanimë të lodhur me ne për 30 vjet, është koha që ato t’i prodhojë vetë shoqëria, pikërisht ata “banditët” që duan t’i japin fund kësaj fasade korruptive!”