Aktualitet

Bushati ngre tonet: Një grup njerëzish kontrollojnë të ardhurat






               Publikuar në : 11:28 - 12/09/19 |
mapo.al

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, foli me tone kritike sot në Kuvend. Teksa diskutohej ratifikimi i marrëveshjes me Kanadanë nga e cila përfitojnë rreth 70 mijë emigrantë shqiptarë të cilët jetojnë dhe punojnë atje, Bushati kërkoi nga shteti vëmendje të posaçme. Bushati ngriti shqetësimin për situatën në të cilën po kalon vendi, sipas tij krizë vlerash, grykësi, pafytyrësi dhe përqendrim i të ardhurave në duart e një grushti njerëzish.


“30 vite më pas mund të themi se jemi në gjendje më të mirë ekonomike. Por jemi duke përjetuar një krizë vlerash, e cila nuk vjen nga përtacia, por nga mpirja që sjell mungesën e shpresës, nga grykësia dhe paaftësia për të ndërtuar një sistem vlerash. Duhet të jemi të drejtpërdrejtë e të sinqertë me këtë temë. Nuk mund të themi dot dhe vetëm që jemi vendi i Shqiponjave, i Skënderbeut apo i Nënë Terezës. S’mund të përdorim një patriotizëm fals, të mbushim stadiume e të brohorasim sa herë ka ndeshje.

Duhet të bëhemi bashkë për të përcaktuar qëllimet se ku do të jetë Shqipëria pas 20 apo 30 vitesh. Këto objektiva duhet të kenë diasporën në qendër të tyre. Ta bëjmë këtë vend më të jetueshëm më të drejtë, t’i vendosim etiketën për çfarë duhet të njihemi. Evropa ka jetuar 550 vjet pa Shqipërinë, mund të jetojë edhe 550 të tjera. Para se t’i drejtojmë gishtin njëri-tjetrit duhet t’i bëjmë pyetje vetes ku isha unë dy-tre javë para se BE të merrte vendimin për ne, ne do t’ja falim vetes? Çfarë do të thonë fëmijët tanë?Unë s’dua që fëmijët e mi të mësojnë atë që kemi mësuar ne. Më shqetëson grumbullimi i të ardhurave për një grup njerëzish, më shqetëson që ne eksportojmë burime njerëzore jashtë vendit. Më shqetësojnë zgjidhjet e lehta, gjithashtu dhe që nuk kemi një partneritet besimi me Diasporën“- vijoi më tej Bushati.

Edhe për Diasporën, tha Bushati, duke iu referuar diskutimeve në Kuvend për ratifikimin e marrëveshjes me Kanadanë, shteti shqiptar nuk ka bërë aq sa duhet.

Jemi në vendet e fundit në Europë, ku diaspora nuk ka të drejtën për të votuar ata kërkojnë njohje të kontributeve, për të pasur edhe një numër vendesh në Kuvend të dedikuar për ta ekskluzivisht. Për diasporën kemi bërë pak, jemi përpjekur për të revolucionizuar shërbimet konsullore, me sa më pak abuzim. Por, kemi dobësi si shtet dhe shoqëri për të mbrojtur shqiptarët jashtë atdhut, duhet të mbështesim financiarisht edhe këtë si prioritet. 30 vjet nga rënia e komunizmit jemi në një dilemë si të mbrojmë shqiptarët jashtë atdheut dhe si t’ja bëjmë jetën më të lehtë atyre që jetojnë këtu”- tha Bushati.

Ditmir Bushati ka ashpërsuar tonet kritike muajt e fundit në adresë të lidershipit socialist për bërjen pjesë në strukturat qeverisëse të personave që nuk përfaqësojnë sistemin e vlerave brenda PS-së si dhe më të shkuar të dyshimtë, nw disa raste e provuar edhe me dokumente. Pavarësisht ligjit të dekriminalizimit, në PS vijojnë të rehabilitohen persona me precedentë penalë.

Fundvitin e kaluar, Rama e shkarkoi Bushatin nga ministër i Jashtëm, në pikun e protestës studentore kur ndryshoi 90% të qeverisë. Ndërsa pas 30 qershorit, Bushati u shkarkua nga Rama edhe nga pozicioni i koordinatorit politik të PS-së për Shkodrën, duke u zëvendësuar me Valdrin Pjetrin, kandidat dhe për bashkinë e Shkodrës. Ky i fundit tha dorëheqjen nga të gjitha pozicionet pas zgjedhjeve të 30 qershorit, pas daljes në dritë të dokumenteve që provonin se kishte qenë i dënuar në Itali në fillim të viteve 2000 për trafik droge.

Vendimet e Ramës ndaj Bushatit u konsideruan si hakmarrje nga ana e kryeministrit për shkak të qëndrimeve kritike të ish-ministrit të Jashtëm.


Etiketa: , , , ,

Pas