Arben Malaj
Buxheti i Tiranës 2020- mashtrimi është më i madh edhe për 100 vitet e tjera. Kjo sepse edhe për 100 vite të tjera veç rasteve të fatkeqësive natyrore, buxheti si ai i shtetit dhe i bashkive duhet të jetë çdo vit më i madh, sepse rritet aktiviteti ekonomik, rriten investimet individuale, private dhe publike. Duhet të rriten Investimet e huaja direkt atje. Kjo mburrje e Veliajt është njësoj si një person 101 vjeç të deklarojë se është më i madh se 100 vitet e mëparshme. Instituti për Politika Publike dhe Mirëqeverisje (www.ippm.al) synon që gjatë tremujorit të parë të vitit 2020 të bëjë një analizë të thelluar profesionale të buxheteve vjetore dhe afatmesme të disa bashkive, duke filluar nga bashkia e Tiranës. Nga një lexim profesional i buxhetit afatmesëm 2019-2021 të Bashkisë sëTiranës konstatohet lehtë se është sipërfaqësor, mungon analiza kosto-përfitim për projektet, problemet reale fshihen në detajet e transparencës se munguar të (keq) menaxhimit të financave publike.
Veliaj duhet të sqarojë pse Tirana ka rreth 75 % të detyrimeve të papaguara ndaj të tretëve, duke financuar punime pa burime financiare? Kjo është shkelje ligjore dhe provë e qartë e keqmenaxhimit të financave të Bashkisë.
Në të ardhurat e Bashkisë Tirane përfshihen rreth 876 milionë taksa joligjore siç është taksa e përkohshme për arsimin. Qytetarët e Tiranës e financojnë arsimin nga taksat e përgjithshme, novacioni i “Veliajve” është antikushtetues. Ja një rritje artificiale e të ardhurave të buxhetit të bashkisë. Shkollat e reja kudo i financon qeveria qendrore. Pas këtij novacioni vjen edhe procesi tenderues dhe problematika publike lidhur me tenderët.
Të ardhurat nga biznesi i vogël janë mesatarisht 170 milionë lekë, ndërsa të ardhura të tjera (penalitete administrative; tëpadetajuara etj.), janë 550 milionë lekë ose tre herë më shumë se të ardhurat nga biznesi.
Analiza e debi kredive duhet të jetë anex i buxhetit vjetore të BT-së.
Numri i punonjësve sipas drejtorive, agjencive dhe ndërmarrjeve në varësi të Bashkisë së Tiranës duhet anex që bashkëshoqëron buxhetin vjetor siç ndodh me buxhetin e shtetit ku numri maksimal dhe i detajuar, është pjesë e detyrueshme e transparencës dhe kontrollit mbi buxhetin.
Pasqyrat e konsoliduara fiskale duhen jo më pak se 5 vite, në rastin konkret 2018-2022 dhe lehtësisht të përpunueshme për publikun dhe studiuesit.
Duhet qartësimi i çdo investimi dhe shpenzime sipas një metodologjie standarde, ku kalohet nga programet, te projektet, nga projektet tek aktivitetet, ku qartësohen indikatorët me efekt social si dhe qartësohen kostot mbështetëse për çdo aktivitet, duke qartësuar edhe burimet e financimit.
Respektimi i të gjitha parimeve, rregullat e artë dhe guidat e hartimit, implementimit, auditimit dhe raportimit të buxheteve vjetore dhe buxheteve afatmesme, transparenca që ofrojnë dhe mundësi reale e grupeve të interesit për t’u angazhuar në secilën prej këtyre etapave te buxheteve, do të qartësohen konkretisht në studimin e thelluar të Institutit për politika publike dhe mirëqeverisje. Studimi do të bëhet pa donatorë vendas apo të huaj.