Mapo Letrare

Buzët e tua mallkon me përbuzje





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 14:10 - 28/06/20 |
Nga Agim Bajrami

Cikël poetik nga Agim Bajrami


Keqardhje!


Po ndihesh shumë keq, që u dashurove me mua
Po ndihesh shumë keq
Ndaj flet kot më kot, pa e ditur se ç’thua
Dhe flokët shpesh ndreq


Të vika shumë zor, që nga larg ne u puthëm
Të vika shumë zor
Ndaj buzët e tua mallkon me përbuzje
Dhe me ton dimeror


S’të del lehtë inati, që pranë meje u shtrive
Stë dilka aq lehtë
Që drojtjen tek unë me përqafime e shkrive
E flake në det

S’të duket normal, që më thirre: i dashur
S’të duket normal
Prandaj dhe krijon një buzëqeshje të plasur
Dhe me veten bën fjalë

E quan mëkat që tek unë u mbështet
E quan mëkat
Për këtë sot ky dielli do të ngrohë veç për vete
Dhe do të të marrë shumë inat!

I akuzuar nga zogjtë

Nuk m’u desh shumë, për të kuptuar
Se ky mëngjes do ishte gri,
Cicërima e tyre e trishtuar
Dhe qielli i gatshëm veç për shi

Foleja e prishur rënë mbi bar
Nga mbrëmja e kaluar
Diçka më thoshte duke qarë
Por dhe e zemëruar

Se ngrita kokën t’i shikoja
(Kjo gjë s’kish më kuptim )
T’i lësh dy zogj, t’i thajë e ftohta
Është krim e përmbi krim

I kishin rënë gjithë natën xhamit
Me klithma në dritare
Ndërsa unë flija i pashqetësuar
Pa e vrarë mendjen fare.

M’u kanë mbaruar të gjithë fjalët
Ndaj s’di ç’të them vërtet
K’të mund ta bëjnë vetëm vandalët
Por kurrë një poet

Mos prisni më t’iu them gjë tjetër
Me tonin tim.nevrik
Dhe un jam pjesë e kësaj turme
Me shpirt të keq, cinik

E kuptova se kjo ditë, do ketë furtunë
Se dielli po ndrin si me zor
Nesër, në listën e të akuzuarve
dua të jem dhe unë
Se jam.fajtor,fajtor

Përvuajtje

I përvuajtur ky lumë,që s’e njeh më vetveten
I tharë mizorisht nga kjo stinë
Të përvuajtura gjethet, që dalëngadalë po treten
Dhe shfryjnë majë degësh mërzinë

I përvuajtur bregu, me kallama të djegur
Bretkosat që kuasin çdo natë
Peshkatari i plakur, me rrjetën e verbër
Që kthehet në shtëpi duarthatë

I përvuajtur dhe shtrati me zaje të murmë
Me llumra dhe baltra mbuluar
Gushkuqi mbi ferrë me sy të përgjumur
Që ende s’beson se është zgjuar

E përvuajtur kjo urë me këmbë të thara
( Më keq veten kurrë s’e ka ndjerë)
Syhapur sheh ëndrra me shira të kaltra
Dhe pse s’i kanë dalë asnjëherë

I përvuajtur peizazhi, ku s’sheh asnjë hije
Ky Maj që nuk duket si Maj
Më shkuan gjithë ditët duke pritur të vije
Por vapa bën punën e saj !

I përvuajtur ky diell, mes qiellit gozhduar
Që s’resht gjithësinë duke vrarë
Do të duhej dikush, që ta shtynte me duar
Dhe shiut t’i çojnë fjalë, sa më parë !

Vajzë dimri

(Nga cikli i lirikave të ngujimit )

Ti je kaq e ftohtë
Dhe kaq e bukur njëherësh
Si një qiell fillim marsesh
Mbas një shfaqjeje ylberësh

Si dyzimi i një zogu
mbi dëborën e shkrirë
Që ende s’i besohet
Se pranvera ka hyrë!

Unë qëndroj para teje
Me ngurrim dhe me drojë
Të ta puth pakëz buzën
Apo të iki, të shkoj?

Më intrigon pamja jote
Siç më ngjall dhe pak frikë
Sytë me mjegull mbuluar
Dhe vështrimi nazik

Apo balli i vrejtur
Që shpeshherë kthehet gri
Tek kerkon veç një shenjë
Të shpërthejë në stuhi

Më kot kam shpresuar
Të ndryshosh ndonjëherë
Ti ke lindur në dimër
Në janarin me erë

Ndaj sa herë rri pranë teje
Pa u mbushur një orë
Një acar ma dredh gjoksin
I përzjerë me dëborë

Ti je vërtet kaq e bukur
Dhe kaq tragjike njëherësh
Si refuzim i një qielli
Për një përqafje ylberësh

Ç’më thanë lulet e kumbullës mbrëmë

Për inat të virusit ,ne do të çelim përsëri
Më thanë lulet e kumbullës mbrëmë
Tek përkundnin petalet në degë plot freski
Si për ta sfiduar këtë gjëmë

Edhe unë do lulëzoj , ngriti zërin qershia
Dhe degët m’i uli mbi sup
Ky vend s’meriton, që të vdesë nga mërzja
Përndryshe do ishte një turp

Sivjet do mundohem , të bëj kokrra më tepër
Tha rrushi me sa kishte në kokë
Për gjithë kopshtarët që aq shumë ne na deshën
Dhe sot prehen nën tokë

Pas tyre zu të flisnin dhe pemët e tjera
Çdo lule me aromë u përmbyt
Unë pashë që virusi po ikte si era
Pa mundur t’i ngrinte as sytë

Një çast u ndjeva dhe unë njeri tjetër
Më i freskët dhe shumë më gazmor
S’ ka kurë me të mirë, se të flasësh me pemët
Dhe aromat t’i prekësh me dorë

Ti
(Nga cikli i lirikave të ngujimit)

Ti në sy më ulesh për çdo mbrëmje
Po kurrë nuk më fton në përqafim
Sikur i ke ikur ndonjë ëndrre
Dhe tek unë ke ardhur krejt gabim

Ndaj dhe të kundroj i turbulluar
Pak dyshues, por edhe kureshtar
Ndonëse asnjë here s’jemi takuar
Unë diku besoj se të kam parë

Ndonjëherë më dukesh si një grua
Ndonjëherë më shfaqesh thjesht si erë
Që ke qejf të rrish ca kohë me mua
Dhe pastaj të zhdukesh menjëherë

Ndaj një zë më thotë të të afrohem
Dhe t’i flak dyzimet atje tej
Ka ca gjëra që me sy kuptohen
Dhe nuk kanë nevojë që t’i zbërthejë

Ti në sy më ulesh për cdo mbrëmje
Ndaj ka.kohë që gjumi shpejt më zë
Vetëm lus vetveten mos përmendem
Se ateher ti ikën, e s’vjen më


Ndëshkim karantine

Mbase u nguta , kur thash është kohë e bukur
Dhe duhet të dilnim në shesh
Nuk pashë se në qiell, një re rrinte strukur
Ngarkuar me shi dhe rrebesh

S’e kuptuam.aspak, kur na erdhi mbas shpine
Dhe mbi kokë na u derdh me rrëmbim
Si qortim.qiellor që kishim lënë karantinën
Duke thyer çdo ligj dhe vendim

Dhe s’deshi t’ia dijë, që ne na kish pikur mërzia
Të mbyllur mes muresh si murg
Ne ishim mësuar mos na nxinte shtëpia
E shndërruar tashmë në një burg

Ne ishim.gatuar të garonim me erën
Duke tundur nga një re nëpër duar
Duke u puthur buzë më buzë me pranverën
Kur vinte mbi marsin shaluar

Unë patjetër u nguta , kur të thashë që të dilnim
Si revoltë ndaj karantinës së gjatë
Tashmë do na duhet të fshijmë gjurmët e shiut
Dhe akoma më keq, të durojmë edhe gratë

Coronavirus

Çdo fjalë tashmë mban erë lutjesh
Dhe tym temjanësh si në meshë
Pranvera erdhi, por nuk duket
Ka frikë të futet midis nesh

Karvan kufomash mbushin udhët
( Se tokë për varre më nuk gjen )
Nga peshë e dhimbjes ajri tkurret
Dhe vaji gjoksin ta mbërthen

Të ftohtë kryqet, dhe plot drojë
Me zotin ndërrojnë mesazhe gri
Teksa e lusin t’i ndihmojë
Të bëj për ta një mrekulli

Por e kuptojnë, që e kanë kot
Ndaj ulin kokat zemër vrarë
Ka kaq shumë halle kjo dreq botë
Sa s’di se kë të ndreqë më parë !

Ç’po ndodh kështu,ç’po ngjet vërtet?
Pyes vetveten me mërzi
Me zor shpëtuam nga tërmetet
Dhe ky virus u desh tani!

Tashmë çdo fjalë mban erë lutjesh
Dhe ditët ngjajnë sikur janë netë
Pranvera s’erdhi, bëri tutje
Ka frikë të vijë,…dhe ka të drejtë


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas