Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë Yuri Kim ka reaguar pas deklaratave në media se deputeti demokrat Oerd Bylykbashi ka ndërmjetësuar për shpëtimin e Sali Berishës nga shpallja “non grata” që i bëri Departamenti Amerikan i Shtetit në maj të këtij viti, pas zgjedhjeve parlamentare.
Kim në një reagim në Twitter shprehet se vendimi i SHBA-së për personat që vendos që të shpallen “non grata” nuk negociohet dhe askush nuk duhet të pretendojë se ishte “ndërmjetës”. “7031 (c) përcaktimi nuk i nënshtrohet “negocimit” dhe askush nuk duhet të pretendojë të jetë “ndërmjetës”. Faktet janë të pamohueshme” mbyllet postimi.
Por kush e “zbuloi” negocimin?
Baton Haxhiu mbrëmë në studion e emisionit Opinion në Tv Klan u shpreh se deputeti demokrat Oerd Bylykbashi ka ndërmjetësuar për shpëtimin e Sali Berishës.
Baton Haxhiu: E para, është person non grata njeriu të cilin e ka dënuar SHBA. Dënimin e tij që e kanë bërë SHBA, t’ja lënë dënimin ose vrasjen Lul Bashës. Po si është e mundur? Ky njeri që është këtu, ka bërë çmos gjithë kohën me qenë ndërmjetësues i situatës për ta shpëtuar Sali Berishën.
Oerd Bylykbashi: Kush ka qenë ndërmjetësuesi?
Baton Haxhiu: Ti!
Blendi Fevziu: Po kjo është shumë e rëndë. Ka ndërmjetësuar Lul Basha me amerikanët?
Baton Haxhiu: S’ka lidhje kush.
Blendi Fevziu: Se kjo u bë e rëndë tani.
Baton Haxhiu: Po e ka shkruar Lapsi mo.
Armand Shkullaku: Jo. Lapsi ka thënë ka ardhur një mesazh një drejtuesi të Partisë Demokratike. Nuk kemi përmendur emra.
Blendi Fevziu: Baton ti duhet të dish ndonjë gjë. Baton ti ia ke dhënë Lapsit këtë?
Baton Haxhiu: Jo nuk ia kam dhënë unë.
Armand Shkullaku: Ky Batoni ka gjithmonë informacione që ne s’i kemi.