Aktualitet

Byroja Kombëtare e Hetimit dhe aplikimet për të








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:00 - 25/09/20 |
Pëllumb Nako

Arnaldo la Barbera ka qenë një drejtues ikonë i Policisë Italiane dhe aktivitetin e tij e ka ushtruar në fushën e Policisë Kriminale. Pasi korri suksese të padiskutueshme në luftën kundër “brigadave të kuqe terroriste” në vendin e tij, atij i besuan një detyrë tepër delikate dhe të rëndësishme në Palermo, pak ditë pas atentateve ndaj prokurorëve Falkone e Borselino.


La Barbera do të drejtonte policinë kriminale të një qyteti ku sekreti i ndarë ndërmjet tre policëve përfundonte në veshin e mafies dhe atij i duhej që këtë mision ta realizonte me një ekip prej 50 agjentësh. Njëlloj si Byroja Kombëtare e Hetimit në vendin tonë, La Barbera ndoqi metodën e aplikimeve vullnetare për të qenë pjesë e skuadrës së tij. Kriteret ishin: punë pa orar, pagesë jashtë orarit nuk do të kishte, as leje, as familjet nuk do të frekuentoheshin kush kishte të tillë as të dashur nuk do të lejohej kush ishte beqar dhe askush nuk do të shkonte, në lokale e diskoteka. Me gjithë këto privime, ata që aplikuan ishin katër herë më shumë se numri i nevojshëm.


Ndërkohë shpalljes së aplikimeve për hetues në Byronë Kombëtare të Hetimit në vendin tonë, me gjithë avantazhet e garantuara me ligj të krahasuar me pjesën tjetër të policisë, me gjithë mbështetjen e gjerë publike që po i jepet, deri tani i janë përgjigjur vetëm 50 punonjës policie dhe asnjë individ i kategorive të tjera që kërkon ligji, nga 60 që duhen gjithsej. Ndërkohë jemi në afatet e fundit të aplikimeve. Dhe nga këta 50 nuk dihet sesa janë ata që i plotësojnë kushtet. Ndërkohë thirrjes për drejtues i kësaj byroje iu përgjigjën me mjaft sasi të madhe, plot 50 vetë, por për një vend të vetëm.


Sigurisht nuk është kënaqësi të konstatosh probleme të tilla në ndërtimin e institucioneve të rëndësishme të vendit, por nuk mund të rrish pa venë në dukje disa probleme të cilat janë në themel të të gjithë problematikës që ekziston sot në vendin tonë në fushën eficiencës së institucioneve të zbatimit të ligjit të lidhura me rekrutimin e personelit, ecjen e tij në karrierë, me menaxhimin që u bëjnë drejtuesit burimeve njerëzore që kanë në dispozicion, me motivimin e specialistëve në kryerjen e misionit të tyre.
Krahasimi, pavarësisht se nuk paraqet situata dhe kontekste të njëjta, ka në thelbin e tij një logjikë mbi të cilën ndërtohen përgjithësisht institucionet që janë në vijën e parë të luftës kundër krimit, sidomos të atij të niveleve të larta.


Dhe ajo që bie në sy në rastin e vendit të madh fqinj ishte fakti se oficeri i lartë i policisë e ndërtoi aplikimin të bazuar mbi privacione dhe jo mbi privilegje e avantazhe sepse i bëri thirrje përgjegjshmërisë në emër të shtetit, në emër të së drejtës.


Por edhe vetë si drejtues Barbera ngjallte admirim te vartësit e tij të cilët nuk hezitonin të ndiqnin pas deri në vetëmohim sepse ishin të ndërgjegjshëm që kishin në krye një drejtues të devotshëm të shtetit dhe që njëlloj si ata sakrifikonte për të kryer detyrën dhe jo vetëm, por edhe për emrin e mirë të Policisë. Këta agjentë ishin po ashtu të bindur se suksesi në realizimin e detyrës, do të ishte pikë kyçe edhe në ecjen e tyre në karrierë, element ky që nuk ka sesi të mos vihet në dukje.

Pra gjithçka e bazuar mbi një element që mungon fort në administratën tonë, përfshi dhe agjentët e policisë: motivimi. Motivimi i specialistëve që merren me luftën kundër krimit është pjesa më e rëndësishme në eficiencën e tyre.

Sado i përgatitur, sado i zoti të jetë ai, kur nuk ka motivimin e duhur për të kryer misionin që i kërkohet, do të bëjë vetëm minimalen e asaj që mundet. Dhe motivimi në fakt nuk vjen vetëm nëpërmjet rrogës së lartë apo se kështu e kërkon ligji apo eprori. Ai ndërtohet në radhë të parë kur punën e tij agjenti është edukuar që punën e përditshme ta quajë mision në emër të shtetit të së drejtës, kur sheh që trajtohet me drejtësi, kur gjithkush rreth tij dhe sidomos eprorët i ngjallin besim dhe shkon në kryerjen e një detyre me besimin e eprorit, jo vetëm me urdhrin e tij.

Byroja Kombëtare e Hetimit ka shpallur hapjen e procesit të aplikimeve dhe kjo do të thotë që kandidatët vullnetarë dëshmojnë se kanë besim në aftësitë e tyre profesionale e morale dhe në drejtësinë që do t’u rezervohet gjatë procesit. Ata ishin të shumtë kur aplikuan vetëm për një vend, për atë të drejtuesit, kurse janë në të njëjtin numër për 60 vende më shumë dhe kjo ka arsyet e veta jo pozitive. Faktorët mund të jenë shumë, por ndërkohë njëri prej tyre dihet. Tashmë dihej prej muajsh se kush do të emërohej në krye të Byrosë dhe të gjithë ata që duhet të aplikojnë aktualisht për rolin e hetuesit kanë perceptimin se procesi ishte i paracaktuar. Në këto kushte edhe vetë aplikimi mbetet formal. Sigurisht një shkak i tillë nuk mund të bëhet pengesë për krijimin e byrosë, por cilësia e saj do të jetë e diskutueshme.

Po ashtu, aplikimet vullnetare për të qenë pjesë në ndërtimin e një institucioni krejt të ri dhe të rëndësishëm janë shpallur në një kohë kur brenda radhëve të policisë ka vite që nuk kryhet procesi ligjor i konkurrimit për marrjen e gradave dhe emërimet nuk po kryhen në përputhje me këtë kërkesë ligjore, por mbi kritere të tjera që mbi të gjitha nuk motivojnë punën e mirë, devotshmërinë ndaj detyrës. Bllokimi i ecurisë në karrierë mbi gradat e përfituara nëpërmjet zotësisë nëpër konkurrime, nuk ka sesi të motivojë pjesëmarrje masive të punonjësve të policisë për në byro.

Një motiv tjetër i tkurrjes së aplikimeve është edhe fakti se në tërësinë e tij, personeli specialist i policisë nuk është i mësuar me faktin që në kryerjen e detyrës, jeta e tij private mund të kontrollohet nga ana e institucioneve të tjera.

Pra, megjithëse nga mëngjesi deri në darkë policia thërret se i shërben publikut, efektivët e saj në më të shumtën e rasteve nuk ndihen mirë që jeta e tyre private të ndahet edhe me publikun. Megjithatë fillimisht mbetet me rëndësi ndërtimi i Byrosë sepse cilësia e saj do të hajë kohë më shumë.


Etiketa: , ,

Pas