Aktualitet

Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Vettingu në polici





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:44 - 17/02/20 |
Nga Pëllumb Nako

I filluar nën efektin e një euforie të lidhur me reformën në drejtësi, vetingu në polici shumë shpejt mori përmasat e një patateje të nxehtë që ngeli në dorë të Ministrit pasardhës të nismëtarit. Sigurisht për të mos djegur duart, ekipi pasardhës e braktisi procesin për një kohë të gjatë deri sa të ftohej e të bëhej më i kontrollueshëm. Madje duke njoftuar hera-herës fillimin e tij. Përgjatë disa viteve, në mënyrë të alternuar zëvendësministrat e Brendshëm njoftonin fillimin e vetingut me zë, me figurë, në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze, në Facebook apo në Twiter.


Pas shumë njoftimesh dhe po aq anulimesh, në vend që të fillonte nga zbatimi, ligji që parashikonte vetingun në polici fillimisht u amendua. Më pas, më në fund filloi të zbatohet. Aktualisht ai ka filtruar një numër ende të vogël drejtuesish të lartë të Policisë së Shtetit dhe kreun e Gardës së Republikës. Është pak herët për të dhënë konkluzione përfundimtare, por po të shihet mënyra sesi është vepruar deri më tani, mund të konstatohet pa vështirësi se Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit është jo vetëm i jashtëm për faktin e përbërjes së personelit të tij, por është edhe jashtë të qenit i pavarur.



Dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe. Sepse vetingu në polici po zhvillohet në një kohë kur në krye të saj qëndron Ministri i tretë dhe po ashtu Drejtori i tretë i Përgjithshëm i Policisë. Pra pas shtatë viteve qeverisjeje janë ndërruar plot tri herë majat më të larta të drejtimit të institucionit. Shtatë vite këto kur qeveria ka qenë fuqiplotë në çdo aspekt të funksionimit të policisë. Personeli drejtues është ndërruar disa herë. Personeli i mesëm po ashtu me dhjetëra herë. Strukturat e funksionimit operacional ndërtohen e rrëzohen sipas rrethanave që dalin para. Po ashtu është ndërruar edhe drejtimi qendror i SHÇBA-së i cili dihet që ka për mision pikërisht parandalimin e fenomeneve që synon vetingu në polici. Ndërkohë “ferrat” e policisë së mëparshme kishin kohë që ishin larguar nga këmbët. Madje për të mos u kthyer më kurrë sipas ligjit të ri të policisë. Pra një liri dhe fuqi absolute për të ndërtuar një polici të paqortueshme.


Nga ana tjetër, në skenën e aktorëve të tjerë kombëtarë të luftës kundër krimit dhe korrupsionit janë shfaqur “armiq” me prejardhje nga radhët e drejtësisë. Shumë syresh janë quajtur banda dhe për rrjedhim krimi nuk mund të luftohet ashtu si duhet. Dhe qeveria nuk ka dorë të lirë si me policinë. Në këto kushte mbetet kjo e fundit si arma e duhur për të shpëtuar vendin nga e keqja kërcënuese e krimit. Dhe për policinë, qeveria është përgjegjëse e drejtpërdrejtë. Në një kontekst të tillë Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit të Policisë nuk ka shumë mundësi të jetë i lirë për të hulumtuar. Atij i duhet të gjykojë direkt mbi vendimet qeveritare. Por për misione të tilla duhen misionarë, jo individë të çfarëdoshëm. Çfarëdo emri të ketë e çfarëdo përbërje të ketë, Komisioni mbetet instrument larg të qenit i pavarur.

Ndaj dhe po të hidhnim një sy mbi gjithë titullarët e paraqitur në veting dhe vendimet e Komisionit do të shihnim se deri më sot vendimet e tij përputhen me kriteret qeveritare për të emëruar kupolën e dy institucioneve.

Pa paragjykuar asnjë nga ata që e kanë kaluar procesin, as ata që po rezultojnë me probleme, shihet qartë se kleçkat që u dalin dhe që evidentohen nga Komisioni nuk kanë lidhje fare me ushtrimin e funksionit të tyre. Asnjërit prej drejtuesve të gjykuar nuk i janë konstatuar mangësi në kohën e ushtrimit të funksionit. Pra vendimet e qeverisë kanë qenë të drejta. Gjetkë duket se janë shkeljet. Dhe Komisioni i gjeti.

Më konkretisht, problemet që e dërguan njërin syresh jashtë radhëve të policisë lidheshin me periudhën kur ai nuk ishte në radhët e policisë, por jashtë saj, në aktivitet privat. Pra e keqja fshihet diku larg, në kohën e një “regjimi të mbytur nga informaliteti”. Po ashtu, në të njëjtën epokë konstatohet edhe origjina e “sikleteve” të drejtuesve më të lartë të Policisë e Gardës. Kështu edhe ndonjëri pastrohet, por nuk rëndohet sepse me detyrën ka qenë korrekt.

Sigurisht kur të vijë radha e punonjësve të rangjeve të mesme dhe të ulëta, organizata e policisë ka aq shumë popullsi saqë nuk është problem për të gjetur ata që do të masakrohen e shpartallohen në emër të pastërtisë. Sepse aksioma byroiste sipas së cilës “uji vjen i pastër nga lart, por turbullohet rrugës”, mbetet aktual për qeverisjen aktuale të policisë.

Kohët e fundit duket se shfaqjes që po bëhet me vetingun, është duke i bërë konkurrencë me dinjitet edhe procesi i përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Nga etapat e zhvilluara deri më sot rezulton në këtë fazë, për këtë post, janë kualifikuar tetë kandidatë. Dhe asnjë prej tyre nuk e ka kaluar vetingun. Ndërkohë që janë skualifikuar disa të tjerë të cilët e kanë kaluar vetingun. Dhe një nga komponentët e gjykimeve të vetingut është edhe aftësia profesionale. Duke mbetur vetëm në këto caqe të arsyetimit, duket se nuk ka ndonjë problem madhor.

Por jo. Nëse do të merrej në shqyrtim procesi që nga fillimi, aty do të konstatonim se njëri nga kriteret e kualifikimit të kandidatëve për drejtues të BKH-së është edhe eksperienca minimale prej 5 vitesh që duhet të ketë ai në hetimin e veprave penale me drejtim fushën e korrupsionit. Dhe në tetëshen e kualifikuar, shumica e kandidatëve jo vetëm nuk i kanë këto pesë vite eksperiencë, por në karrierën e tyre nuk kanë hartuar qoftë edhe një procesverbal të vetëm të një procesi hetimor të çfarëdoshëm. Ndërkohë që janë skualifikuar kandidatë që kanë vite që merren me hetime dhe që njëkohësisht kanë kaluar edhe vetingun.

Për nga mënyra se si po zhvillohen, të dyja proceset nuk kanë asnjë grimë ndryshimi me mënyrën sesi qeveriset vendi ynë në të gjithë aspektet e tij. Gjithçka që ekspozohet mbi banak, nuk ka lidhje fare me atë që fshihet nën të.


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas