Tani që kaluan dy javë nga tërmeti katastrofik i 26 nëntorit, dukshëm kanë rënë shtresat e propagandës dhe lavdia e ditëve të para të atij që prin në gërmadha, është zbehur. Kryeministri diti ta kthejë në favor situatën, në orët e pas tërmetit, me reagimin fillestar, mesazhet që dha, dhe thirrjet edhe ndaj kundërshtarëve politikë.
Po ja ku po kthjellohemi përditë e më shumë pas asaj trandje, dhe rrëmeti është aty, përmasat me të vërtetë dramatike, e dimri që ka gjetur mbi 14 mijë të paçati, ngjan se do jetë i ashpër.
Pak qeveri mund të jenë gati të përballojnë situata të këtilla.
Por e pangjashme është dhe kjo që po ndodh, teksa e gjitha duket se shërben si skenë e madhe për kuturisjen e përditshme të kryeministrit, i cili tashmë ka hedhur në treg edhe batutat. Batuta dhe hoka, si ato të fushatave elektorale. Sikur nuk ka ndodhur ndonjë hata e madhe.
Që kjo është një betejë politike, për këtë nuk ka asnjë dyshim. Mirëpo, paradoksi qendron tek sjellja dhe profili i dy aktorëve kryesorë.
Teksa Lulzim Basha që në krye ka treguar vetpërmbajtje dhe ka ndaluar me urdhër protagonizmin dhe përfitimin politik nga kjo situatë, dhe madje ka propozuar pika konkrete, dhe ka nxjerrë një paketë, që kërkon angazhimin e gjithë profesionistëve, inxhinierëve, ka kërkuar anulimin e koncesioneve dhe dërgimin e atyre qindra milionë eurove për rindërtimin, apo masa të tjera si lehtësimi nga taksat për zonat e prekura, në anën tjetër, Edi Rama po shfaqet sikur po zbulon realitetin, dhe herëdokur, gjen rastin për të sulmuar, denoncuar. Media, portale, opozitarë, pra kërkon të mbajë ndezur një konflikt.
Dhe prej dy ditësh, në përpjekje që të tregojë normalitet, kryeministri po përdor shprehje që e banalizojnë tërësisht situatën. Përshembull, shfaqet në ca kodrina, çuka dhe gërxhe, takon njerëz, dhe lëshon pyetjen fatale: Ça bëhet?
“Ça bëhet”, “ca thuhet”, është një stilemë klishe, ku njerëzit masivisht e përdorin prej vitesh tashmë për të mbyllur një komunikim, e jo për ta hapur.
Të shkosh në zona të trazuara mirë nga tërmeti, e tu thuash njerëzve; “Ça bëhet?”, është po aq njësoj, sa t’u thuash, më ra rruga, dhe po ju hedh një sy. Po kaq. Nuk më intereson më shumë.
Këto, “ça behet”, “ça thuhet”, gërshetohen kur e kur, edhe me romuze për të tijtë që e rrethojnë. Dhe ja iku edhe një ditë. Videoja bëhet virale, fukarenjtë u takuan, shumë syresh bënë edhe foto me të.
Ngjashëm me 6 vitet e pushtetit, Rama edhe në këtë mot, po mban një distancë të hekurt të panegociueshme me përgjegjësinë, dhe manifeston sikur të ishte në opozitë. Ky është fundi i vitit të 6 në opozitë, i një njeriu që ka ndërkohë çdo pushtet dhe ka shtënë gjithçka në dorë. I kanë ngelur edhe disa portale për të qeruar hesapet.
Në një vend normal, me një qeveri normale, një kryeministër, kur shkon në një zonë, duhet ta dijë mirë se sa familje janë prekur, sa kanë nevojë për çadra, dhe madje edhe sa është fatura për secilën lagje të demtuar nga një tërmet si ky. Koha ka qënë e mjaftueshme që e gjithë superstruktura qeverisëse t’i nxjerrë këto të dhëna. Ai tashmë ka edhe çdo njesi vendore. Mirëpo, kjo nuk ndodh, kur çdo pushtet e ke për vete, dhe jo për njerëzit, dhe kur sillesh sikur je në opozitë.
Mapo.al