Pas dekorimit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, senatori italian ishte në Universitetin Europian të Tiranës ku mbajti një leksion të hapur mbi të ardhmen e Europës dhe diskutimin mbi zgjerimin. I pyetur sesi vendi fqinj do të mund ta ndihmonte Shqipërinë në votimin mbi hapjen e negociatave, ai tha se frustrimi i ndjenjave filoeuropiane të një vendi si Shqipëria është vetëdëmtues për Europën, për Shqipërinë dhe Ballkanin.
Si një zë që ka kontribuar në proceset integruese euroatlantike të fqinjit nga përtej Adriatikut, senatori italian Pier Ferdinando Casini shoqërohet gjithnjë nga bindja se e ardhmja e Shqipërisë është në Europë. Këtë e theksoi edhe ditën e djeshme në një leksion të hapur me studentë të Universitetit Europian të Tiranës, fill pas akordimi nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë , Ilir Meta të dekoratës “Nënë Tereza”. I pranishëm ishte edhe ambasadori i Republikës së Italisë, Alberto Cutillo.
Casini ndau me të pranishmit një pasqyrë të debateve mbi të ardhmen e Europës, rreziqet e brendshme dhe të jashtme që po has Bashkimi Europian dhe vlerat e përbashkëta që ndan unioni, duke u ndalur te ligjërata pro Europës së presidentit francez Macron, çështja e zgjerimit dhe perspektiva e Ballkanit Perëndimor brenda bashkësisë europiane.
“Për këtë vend nuk ka alternativë tjetër për të ardhmen e tij europiane dhe se drita jeshile e Brukselit për çeljen e negociatave për anëtarësim, e datës 17 prill, përbën një rezultat të rëndësishëm për të cilin Italia ka punuar me vendosmëri” –tha Casini, i cili pasi preku rreziqet që i kanosen sot Europës, të karakterit të jashtëm me situatën gjeopolitike, kërcënimet nga Kina, Rusia dhe nga luftërat dhe nga terrorizmi në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë, por edhe nga administrata e re e ShBA-së dhe rreziqet e brendshme kryesuar nga ndjenjat nacionaliste dhe ksenofobe brenda vetë Unionit, u ndal te çështja e zgjerimi të Bashkimit Europian, duke thënë se më 2025 BE të arrijë të përmbledhë 33 shtete duke parë të integruar vende si Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina.
Casini nuk e mohoi dyshimin e shprehur nga shumë vende të unionit se një zgjerim i mëtejshëm i BE-së mund të sjellë më shumë rreziqe sesa përparësi për vetë Unionin, duke cituar presidentin Macron i cili u shpreh se do të mbështetë “zgjerimin vetëm atëherë kur do të kemi një reformë të thellë të Europës sonë”.
Casini, i njëmendi se Europa ka nevojë për reformim, por duke pasur brenda edhe vendet e Ballkanit.
“Nëse Bashkimi Europian nuk do që interesat e tij të cenohen nga loja “përça e sundo” e fuqive të mëdha – që mbështetjen e saj natyrale e gjen te partitë nacionaliste antieuropiane- nevojitet të shndërrohet ajo vetë në një fuqi të madhe. Nuk duhet të harrojmë që Ballkani ka qenë gjithmonë skenë e ngjarjeve të mëdha të cilat kanë shënuar historinë e kontinentit europian” – tha Casini duke e parë si objektiv strategjik ndërtimin sa më shpejt të urave mes dy brigjeve të Adriatikut.
“Gjithmonë kam pasur bindjen se e ardhmja e Shqipërisë është në Europë. Edhe pse Shqipëria ka bërë hapa të shumtë në këtë drejtim, sot i kërkohet që të vijojë përpjekjet e saj me energji të reja: duhet t’u përshtatet rregullave të përbashkët dhe të gjejë prirjen e saj në kuadër të Bashkimit Europian duke u përpjekur që veçoritë e saj t’i adresojë brenda kufijve të pamat të Europës së re”.
I pyetur sesi vendi fqinj do të mund ta ndihmonte Shqipërinë në votimin mbi çeljen e negociatave, ish-Presidenti i Dhomës Italiane të Deputetëve tha: “Besoj se frustrimi i ndjenjave filoeuropiane të një vendi si Shqipëria është vetëdëmtues për Europën, për Shqipërinë dhe Ballkanin. Pikë. Dhe besoj se Parlamenti do të ndihmojë qeverinë të bëjë në Bruksel gjërat që duhet të bëjë”, -tha Casini.
Duke u ndalur në përplasjet mes multikulturalizmit dhe ndjenjave nacionaliste në rritje në vendet e Bashkimit Europian dhe se cila forcë do të jetë determinuesja për ta çuar unionin përpara, Casini tha se kjo përplasje është e rreme.
“Duhet të shpjegojmë mirë se çfarë nuk shkon te nacionalizmi dhe te multikulturalizmi. Po shpjegohem: Çfarë nuk shkon te nacionalizmi?! Ne duhet të kultivojmë krenarinë e përkatësisë kombëtare. Europa nuk është kundër ndjenjës së përkatësisë kombëtare. Jam krenar që jam italian dhe jam në një qytet ku shpresoj dhe mendoj se një shqiptar ndihet krenar se është shqiptar. Unë jam bolonjez, krenar që jam nga qyteti im, por ndjenja ime bolonjeze nuk bie ndesh me përkatësinë time kombëtare. Unë ndihem thellësisht europian”.
Duke sjellë një shembull personal nga një udhëtim në Kinë, Casini theksoi ndjenjën e përkatësisë europiane. “Natën që isha në aeroport, natën që hyra në avionin Lufthansa që po më çonte në Frankfurt, kuptova realisht çdo të thotë të jesh europian, sepse u ndjeva në shtëpi dhe po shkoja në Gjermani, që nuk është vendi im. Vlerat europiane janë në gjendje të jenë faktor i përbashkët. Sigurisht po të jesh në Itali ke kritika ndaj Gjermanisë apo Francës, por nëse shkon në vende të largëta të botës mezi pret të hipësh në një avion europian cilido qoftë e kudo të të çojë në Frankfurt, Dyseldorf, Francë apo Spanjë. Kuptimi i kombit nuk është në kontrast me projektin europian”– ishte i mendimit politikani, i cili vuri në dukje se një nga problemet më të mëdha sot për Europën është multikulturalizmi.
“Kemi menduar se të bësh bashkë gjëra të ndryshme është të zgjidhësh problemin. Nuk është kështu. Kemi një kulturë, qytetërim, histori. Europa është bijë e traditës kristiane, duhet të mirëpresim, po në momentin në momentin që e bëjmë të dimë kush jemi, nga vijmë e ku duam të shkojmë. Duhet të jemi në gjendje të përçojmë kulturën tonë, jo si kulturë hegjemone. Është e qartë që nëse një mysliman vjen në Europë për mua ka një parime liria religjioze, duhet të shkojë në xhaminë e tij të lexojë kuranin, por e qarët që ka tradita civile të cilave duhet t’i mbahet si tema e barazisë e mes burrave dhe grave dhe për këtë autoritetet publike europiane duhet t’i kenë idetë e qarta: Nuk zgjidhet problemi i identitetit europian duke mbledhur diversitetet” – tha ai.
Duke u ndalur edhe në situatën politike italiane, Casini i cili është edhe President Nderi i Internacionales së Demokratëve të Qendrës tha se votimi qytetarëve italianë ishte demokratik dhe solli në skenë formacione të reja si “Cinque Stelle” apo formacione populiste si “La Lega”. Ai shprehu bindjen se nëse Cinque Stelle do të jetë në qeverisje do të çojnë përpara politikat europiane dhe atlantike të Italisë. “Uroj që siç ne kemi qenë në qeverisjen e vendit në krah të Shqipërisë për të hapur dyert e Europës, të njëjtën do bëjnë edhe kolegët e Cinque Stelle, nëse do qeverisin, jam i sigurt. Megjithatë ne jemi në parlament dhe do të kryejmë rolin tonë që parlamenti të pohojë linjat e mëdha të traditës politike të vendit”.
Në fund të vizitës në Universitetit Europian të Tiranës- e cila u bë e mundur dhe u koordinua nga presidenti Ilir Meta, rektori Tonin Gjuraj i akordoi Pier Ferdinando Casinit një certifikatë mirënjohje për kontributin që ai ka dhënë për proceset integruese euroatlantike të Shqipërisë dhe për marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri –Itali.
Zhdukja e së djathtës e së majtës; Garat elektorale në BE mes nacionalistëve dhe proeuropianëve?
I pyetur nëse janë zhdukur garat ideologjike mes së majtës dhe së djathtës në vendet e BE-së, Casini u përgjigj se janë tronditur, por jo zhdukur.
“Tema e emigrimit, është temë ndarëse, por elektoratet e të dyja krahëve priren ta shohin në të njëjtën mënyrë. Dy rryma e mëdha të mendimit janë: Mes kujt mendon se drejtimi i marshit është të shkohet përpara me politikën pro europiane duke e përmirësuar Europës si Macron dhe atyre që duke kundërshtuar politikën dhe klasën drejtuese bashkojnë kundërshtimin e politikës së Europës kundër emigrantëve. E pamundur që ta zgjidhë një vend i vetëm. Jemi në një kontekstin ku miliona njerëz lëvizin; nga uria, kushtet mjedisore, luftërat dhe terrorizmi. Kundërshtohesh se ke hapur kufijtë, sepse pranon diktatet e Europës- një përbindësh burokratik që nuk zgjidh asnjë nga probleme tona”, -tha Casini, duke i quajtur kritikat të padrejta dhe demagogjike. “Kur të qeverisin ata që i bëjnë këto kritika do të pësojnë të njëjtin efekt nga njerëzit. Por kemi detyrën të shohim çfarë ka objektive në këto kritika: opinioni publik i vendeve tona është ndjerë i ekspozuar nga mikpritjes së emigrantëve. Për shembull mbani mend kur 20 vjet më parë erdhën miliona barka nga Shqipëri? Shqipëria kishte imazh të keq në sytë e italianëve , sot ka ndryshuara krejtësisht; sot shqiptarët fitojnë festivalin e Sanremos, luajnë në ekipet tona të futbollit, janë të integruar”.
Duke folur për situatën e re gjeopolitike të Mesdheut që e bëjnë fluksin të pakontrollueshëm ai kritikoi politikanët populistë që injektojnë frikën te qytetarët.
“Nëse pyesni një italian sa ekstrakomunitarë ka në komunën e tij do të thotë 50 %, të dhënat janë 8 deri 10 për qind maksimumi. Kjo do të thotë se perceptimi fiton mbi të dhënat reale”. Kjo sipas tij ndodh nga ata politikanë që nxisin pasigurinë. “Një klasë drejtuese duhet të udhëheqë jo të nxisë njerëzit, sepse nëse njerëzit gjejnë politikanin që duhet të udhëheqë, atin e familjes që në vend të të thotë se problemet do të zgjidhen thotë çdo ditë se jemi në katastrofë, e qartë që më e i dobëti do të ndiejë frikë”.
Gjithashtu ai pohoi se mungon një prioritet të politikës së BE-së ndaj Mesdheut, i cili sipas tij duhet stabilizuar për të zgjidhur problemet antieuropiane, në të kundërt rrezikohet.