Kryeministri Rama është shprehur kundër një presidenti të zgjedhur nga populli. Kjo për shkak të pushtetit të reduktuar që ai ka. Por ai u duk i hapur për idenë e shtimit të kompetencave të kreut të shtetit, ndonëse do të kërkonte 94 vota në parlament. Një president me kompetencat aktuale si Meta, e çoi Kuvendin ta votonte dy herë për shkarkim, që do të thotë se një president i ardhshëm me më shumë pushtet, do të duhej të ishte patjetër konsensual dhe jashtë palëve
Akteve të Ilir Metës, maxhoranca prej 2019-s i është përgjigjur dy herë me votimin për shkarkim në Kuvend, por ndërsa mandatit të tij po i vjen fundi dhe procesi për zgjedhjen e të riut duhet të nisë së shpejti, kryeministri Rama u tregua kategorik për mundësinë e një referendumi.
“Unë jam kundër zgjedhjes së një presidenti nga populli në një republikë si e jona”, do të përgjigjej kreu i qeverisë, ndërsa zbuloi në një konferencë për mediat rezultatet e Këshillimit Kombëtar.
Sipas tij, nëse kreu i shtetit do të zgjidhej nga populli do të duhet të kishte më shumë pushtet. Pushtet, që siç tha kreu i qeverisë, do t’i jepej me ndryshime kushtetuese. Po me ndryshime të tilla, presidentit iu hoqën kompetencat më 2008-n, si pasojë e paktit mes Berishës dhe Ramës, atëkohë i pari kryeministër dhe i dyti kryetar i opozitës.
Ndryshime, të cilat Ilir Meta i kundërshtoi që në krye të herës me një grevë në mjediset e Kuvendit. Kundërshti jo vetëm për kompetencat e presidentit, por edhe ndryshimet në sistemin zgjedhor, që sipas asokohe kreut të LSI-së kishte si qëllim zhdukjen e partive të vogla. Roli i presidentit u mpak aq sa me ironi thuhej se ishte kthyer në një noter apo akordues dekoratash dhe titujsh.
Sipas kryeministrit, që e drejton vendin për një mandat të tretë, duket jashtë logjike zgjedhja nga populli e një presidenti që nuk ka pushtet. “Tani të gjithëve u është ngatërruar roli i presidenti pasi kemi pasur një fatkeqësi natyrore për disa vjet në atë godinën, por roli i presidentit në këtë republikë që kemi ne është i tillë që e bën të pakuptueshme”, do të vijonte Rama, duke iu referuar debateve me presidentin aktual që kulmuan në pranverën e 2019-s.
Edhe një president pa shumë kompetenca, si zoti Meta që u betua në korrik të 2017-s, krijoi një ngërç politik të paprecedentë në tridhjetë vitet e fundit, ndonëse nuk prodhoi pasoja konkrete, siç ishte ai i anulimit të datës së zgjedhjeve dhe dekretimit të një date të re. Që një akt i tillë të kishte efekt, së pari kreu i shtetit do të duhej të konsultohej me palët, të cilat do të duhej gjithashtu të binin dakord.
Kjo e bëri Metën të nistë të ashtuquajturën betejë në mbrojtje të Kushtetutës, ku theksoi shpesh idenë e referendumit.
Duke iu referuar si një lloj testamenti biblik asaj të miratuar me referendum më 1998-n, Meta kritikonte si përçudnime ndryshimet e 2008-s dhe më pas ato të 2016-s, ndonëse ishte në krye të Kuvendit kur të gjithë deputetët votuan unanimisht Reformën në Drejtësi, që prodhoi ndryshimet kushtetuese më pas.
Një Kushtetutë dhe një president i votuar nga populli theksonte Meta, ashtu si me vendosmëri i përgjigjej maxhirancës se do të qëndronte në detyrë deri më 22 korrik të 2022-shit, dita e përfundimit të mandatit të tij zyrtar si kreu i shtetit, mbi palët dhe simbol i unitetit kombëtar.
Ndryshimet kushtetuese ishin në fokus që në fillim të legjislaturës së re, ku PS propozoi amendamentin mbi zgjatjen e afateve të organeve të Vetting-ut, ndërsa PD atë për Vetingun e Politikanëve. E para i mori kartonët, e dyta mbeti thjesht retorikë e zotit Basha, ndërsa për të arritur tek to do të duhej një shumicë e cilësuar votash në Kuvend.
E njëjta shumicë që kërkohet edhe për zgjedhjen e presidentit të vendit, të paktën në tre raundet e para. Për të arritur deri tek kandidatët, maxhoranca ka ngritur grupin negociator për të nisur bisedimet me grupet parlamentare. Demokratët e Berishës – siç ka artikuluar ky i fundit edhe në emër të tyre – nuk do të votojnë asnjë propozim që vjen nga maxhoranca dhe kryeministri Rama. Demokratët e linjës tjetër, që njohin si kryetar të komanduar Enkelejd Alibeajn, janë shprehur se ende nuk kanë nisur negociatat për procesin. Alibeaj është gjithashtu kreu i grupit parlamentar, me të cilin grupi i PS do të bisedojë për konsensusin në emrat e kandidatëve për president. Ambasadorja e ShBA e takoi Alibeajn në kryesinë e Kuvendit, në cilësinë e kreut të grupit parlamentar, por edhe të kryetarit në detyrë të PD-së.
Kryeministri Rama u shpreh se maxhoranca do të përpiqet të komunikojë me atë opozitë që e cilësoi “copë e çikë”.
Do komunikojmë me të gjitha copat dhe cikat që përfaqësojnë të gjallët. Se ka disa që edhe nuk mund të komunikojmë” tha Rama, duke iu referuar zotit Berisha. Për një president konsensual do të nevojiten 84 vota, dhjetë më pak nëse Kuvendi do të miratonte ndryshime kushtetuese që i japin më shumë kompetenca kreut të shtetit. Megjithatë, duket se gjasat më shumë janë për ta çuar procesin në dy raundet e fundit të votimit, ku do të mjaftonin edhe 71 vota për të zgjedhur presidentin e ri. Hamendësimet çojnë ujë në radhët e maxhorancës, për një kandidat të propozuar dhe votuar po prej tyre.
Mendimin se presidenti duhet të zgjidhet nga populli nuk e ka pasur vetëm Ilir Meta. Edhe pararendës të tij në këtë detyrë, kanë artikuluar qëndrim të ngjashëm.
Ish-presidenti Topi pak ditë më parë tha se pavarësisht kompetencave të vogla që kreu i shettit ka, mbetet një institucion i rëndësishëm dhe se duhet të votohet nga populli.
I të njëjtit mendim ka qenë edhe Alfred Moisiu, një emër konsensual nga palët atëkohë. Për të, politika e ka dëmtuar rolin e presidentit, rol jo fort i lehtë dhe se ai duhet të zgjidhet nga populli, të cilin përfaqëson.
Edhe Bujar Nishani, i cili ia dorëzoi detyrën Ilir Metës, ka shprehur idenë e futjes së referendumeve për reformimin e institucioneve të rëndësishëm, përfshirë këtu atë të Presidentit.
I pyetur nga gazetarët nëse në pyetësorin e radhës, në kuadër të Këshillit Kombëtar do të përfshihej edhe pyetja nëse presidenti do të duhej të zgjidhej nga populli, siç në të parin kishte tema nga legalizimi i kanabisit mjekësor, te pasaportat e vaksinimit e deri te Ballkani i Hapur, Rama tha se ky ishte këshillim dhe jo referendum. Ilir Meta pat ndërmarrë vjeshtën e 2019-s një nismë që e cilësonte si referendum për Kushtetutën. Ndërsa tubimi i parë u anulua për shkak të pasojave të tërmetit shkatërrimtar, ai i dyti më shumë sesa një konsultim me qytetarët, ishte një matje forcash me maxhorancën, në një kohë kur kjo e kërcënonte me shkarkim.
Shkarkim që u pa si i pabazuar nga Gjykata Kushtetuese, që e la në detyrë Ilir Metën duke mos gjetur shkelje të rënda të Kushtetutës në veprimet, për të cilat ngritën procesin disa deputetë të parlamentit. Gjatë vitit elektoral, Edi Rama nuk e ka kursyer ironinë ndaj presidentit, duke e cilësuar si në krye të opozitës, por sot ai shprehet i hapur për një president me më shumë kompetenca. Një president me kompetenca aq të pakta si Ilir Meta, e çoi Kuvendin ta votonte dy herë për shkarkim, që do të thotë se një president i ardhshëm me më shumë pushtet, do të duhej të ishte patjetër konsensual dhe jashtë palëve./ Gazeta MAPO