Rovena Shuteriqi
Çelësi i Fatit
Çelësi u dëgjua rënkueshëm drynit të derës, duke i dhënë qetësisë së korridoreve, një shuplakë zgjimi nga fjetja e përkohshme. Kërkëllitja e menteshave të provokonte rrënqethje në gjithë trupin.
Dy duart e tyre u kapën vetëtimthi, duke reaguar në mënyrë të pavetëdijshme.
Trupat e tyre rrëshkitën pragut të derës, duke e futur në dhomën e errët.
Besimi kërkoi me dorë çelësin e dritës.
Befas një dritë e zbehtë u shpërnda në të gjithë dhomën.
Mobiljet brenda saj, ngjanin më tepër me rraqe, se sa me diçka të përshtatshme të epokës.
Syri s’të zinte asgjë tjetër, përveç dy krevateve tek, të bashkuara në qendër, thua se rrinin me pahir me sho-shoqin.
Mbështetur sup më sup, qëndronin si dy statuja të pajeta, që prisnin penelatat e skulptorit për t’iu dhënë ngjyra, jetë.
Besimi i shtrëngoi dorën Shpresës dhe e vështroi drejt në sy. Shikimet e tyre u ndalën aty tek ëmbëlsimi, prekja, admirimi.
S’ishte e vërtetë!
Jo, jo!
Këmbët i kishin urdhëruar drejt një hoteli që as në GPS, s’duhej të ishte arshivuar.
Dhe ja, tani qëndronin aty, përballë njëri-tjetrit me duart e zemrën që u dridhej.
E afroi pranë trupit të vet, duke i dhënë një puthje ballit, Shpresës.
Ajo ngriti kokën pafajshmërisht me buzët që i dridheshin nga ankthi dhe ndjenjat e pakontrolluara.
-Eja të ulemi më parë,-foli ai- koha është e jona deri në mbrëmje vonë!
E tërhoqi drejt vetes dhe u ulën buzë krevateve që qëndronin akoma të ftohtë e të pajetë.
I zuri kokën mes duarve të vet dhe filloi të kërkonte në fytyrën e saj, atë që ai e ëndërronte prej kohësh, të zbulonte në fytyrën e një femre që do dashuronte, mirësinë, çiltërsinë.
E hulumtonte i përhumbur, pakuptuar se edhe ajo po bënte të njëjtën gjë me të.
Secili në arritjen e trofeut të vet.
Një trokitje dere i bëri të vijnë në vete.
Ishte pastruesja e dhomës, e cila u solli disa peshqirë të bardhë.
Qeshën të dy pasi ajo u largua dhe pas pak erdhi ajo, puthja e parë, e turpshme në fillim me prekje të shpejta e pothuajse përciptazi, me buzët që sa vetëm takoheshin mes tyre e lëshoheshin përsëri për të kaluar në puthjen e rradhës.
Dora e tij kaloi mbi flokët e saj duke ia ledhatuar me gishtat e tij.
Ajo puliste sytë papushim duke treguar emocionet e saj.
-Të dua më pranë vetes!- i tha ai.
Ajo u struk në kraharorin e tij mashkullor e muskuloz, duke ndjerë njëkohësisht edhe forcën e krahëve të tij.
Krahë, që do u besonte kurmin e saj në orët në vazhdim.
Puthjet filluan përsëri duke ëmbëlsuar buzët parreshtur, duke iu premtuar afsh e zjarr ndjenjash. Sytë lëshonin xixëllime nga kafshimet e pafajshme dhe dridhmat e trupit nën fërgëllimet e rënkimeve nga ndjenjat.
Drita në dhomë sa vinte e bëhej më e fuqishme. Po të hapje sytë, frika e verbërimit prej saj, të kujtonte fluturat që sillen instiktivisht rrotull burimit të dritës.
Kështu që , loja mes dy të dashuruarve, vazhdoi si në ëndërr. Me delikatesë filluan të zhveshin njëri-tjetrin, duke mos i lënë puthjet, jetime. Etja dhe dëshira për të eksploruar më tej, i çuan në lakuriqësinë e ndjenjave luftarake.
S’kishte më as siklet, as turp në mes tyre.
Kurmet flisnin lirshëm ndaj çdo dëshire.
Çarçafët e bardhë filluan të mblidheshin aty-këtu. Zhubrat filluan të bëheshin më të thella dhe më moskokëçarëse.
Sytë e njërit kërkonin ankorim tek sytë e tjetrit. Tani flisnin dhe ulërinin vetëm ato.
Një herë ëmbël e një herë, “egërsisht”.
-Shpresa ime!-pëshpëriti ai.
-Besimi im!-shushuriste veshit të tij, ajo.
-Princeshë e shpirtit tim!- ia kthente ai.
-Lumturi shpirti!-ajo.
Muret përreth mbanin vesh. Kishte kohë që nuk kishin ndjerë e parë, dy vatra zjarri që digjeshin në një.
Dhoma e pajetë më parë, merrte ngjyra ylberi tashmë.
Heshtjen e vriste zhurma e krevatit nën rritmin e kërcimit të ndjenjave.
Vjollca Aliaj
Më lart se Retë
Eshtë një shkëlqim dielli
gjithmonë i artë dhe i magjishëm,
Një qiell i kthjellët këtu në qytetin e rrëmujës
ku vetëm zemra na mbetet
Biem përmbys dhe ngrihemi më lart se retë
I bëjmë lulet të mos vyshken
Nëse e gjithë dashuria do të na mjaftonte
për të përfshirë hapsirat
at’here lumturia si një skelet bukurie
mrekullisht do të klithte duke e mbështjellë botën…
Të tërë!
Pesha e Heshtjes
Këtë mbrëmje sjell ndër mend buzëqeshjen tënde
Trishtimin për fjalët që nuk t’i thashë dot kurrë
Lulet e orkidesë agkthyese,
Ndarjen…
Pesha e heshtjes si pesha e përfytyrimit
Me qetinë e pritjes ,
Me forcën e ëndrrës,
Me shpërthimin e padurimit,
Me shkelmimin e ajrit,
Me lëngatat e drojës,
Nëpër qerpikë kristale kripe si ëngjëj
Një fluturim albatrosësh nën energjinë e erës
Kujtime, këngë në venitje
Zambakë të shtriqur në ujrat e syve
Nën peshën e heshtjes
Gjithçka e pamundur…
E bukur bota e ëndërrimeve
Parfumi i marsit përshkonte udhët,
Si një pulëbardhë,
Prekte, shponte, shkëputej
Deri në kthim
Thirrnim çmendurisht me zërin e shpirtit
në kupë të qiellit,
E etur bota e arratisjeve
Fundi i shekullit ende larg…
Të kthyer drejt njëri tjetrit,
Përpëlitëm frymët “Amore e Psiche”,
Konturet e ishullit, gadishullit
Litarë ankorimi…
Tashmë kishim filluar të flisnim gjuhën e “gllabërimit”
Të peshonim jetën në kandarë udhësh ,
Të ndërmendnim…
E bukur bota e ëndërrimeve
Fundi i shekullit ende larg…
Enton Bido
Çast E Përjetësi
Nga puthja vallë erdhi vrik rrufeja,
që buzën përflaku dhe mishin e kalli ?
Nga ashti të lindë, vizëllojë ajo dritë
që shpirtit i ndrit si anijeve fari ?
Kohë e parrokshme të shkon nëpër gishta,
si grimëçasti në shkretani të pafundësisë,
tek rendja të të prekja rroka veç erën
prej ajri fluturak që firon përjetësish.
Sa një Psherëtimë
Dritëza qyteti në sy hyjnë ,
shigjeta fotonesh në retinë,
Silueta, qelqnaja, frymorë,
si vorbull tornadoje vijnë.
Gjithë botë e njeriut
lë gjurmë në Kohē
sa një psherëtimë.
Teuta Sadiku
Kronikë e Qytetit Tim
Qyteti im, sa i shkejdesur dukesh sot
Dhe mua më tremb llulla e ndezur që ti mban në gojë
dhe tabu-yçklat e mbështjella në atë bark pjellor.
Ndalem para vijave të bardha tek semafori
në vijë të parë të frontit
një ushtri e tërë me femra,mbi supet e tyre
ngrihet gjithë bota.
Tek ajo rrugica me një sy llampë
shitet Dashuria mbi një shtrat antik
Ajo hyn nga porta e pasme ,në heshtje
ngjit ca të posaçme shkallë
njëri gji i fryrë në trotuar i kullon gjak
tjetrin ia prenë, se ka .
Qyteti im,
Atje para hotelit më luksos europian
Parakalon prapavija,
Vajzat e brishta që të buzëqeshin me ngulm,
në duart delikate mbajnë kartë- vizitat.
për të hyrë në parajsë.
Sa shumë djeg dielli
Dhe ti strukesh nga ethet në karrigen e kafenesë
Vetëm llomotit
e mbllaçit lajmet e fundit të gazetës.
Më poshtë në fund të shëtitores
Kur hodhe njërën këmbë mbi tjetrën
Mu dhimbse, ashtu pa taban,
Në këtë stinë turistike mbytëse.
Hënë Gushti
dhe mjaftoi vetëm hëna atë natë
varur medaljon në gjoksin e natës
dhe gjithshka u bë e vogël sa një gogël,
në gjithësi mbetëm vetëm unë dhe ti
Ti udhëtar që më mësove shenjat e gjithësisë
ëndrrambledhës dalë nga përrallat klasike
perandor dhe skllav i dashurisë
një yll mund ta zbresësh për mua
në flokë të ma vendosësh karficë.
E vetmja llampë që dot se fikëm
kjo hënë gushti sa shumë po ndrin
dhe unë tashmë më se e bindur them
vetëm rrugaçët dinë të bëjnë dashuri
pasi thyejnë llampën e hënës
llastiqet i fshehin në kostumin e dhëndërisë!
Aleksander Shallvari
Matilde
Një këshillë!
Kurrë mos dashuro poetët,
Janë të pabesë,
Të tradhtojnë për një bletë,
Për një horizont hark balenë
Për një perëndim të kuqërremtë!
Për një gjethe që bie në vjeshtë!
Matilde!
Janë duhanxhi e pijanece!
Janë me huqe e kurrë të qetë,
Janë si deti në dimrin e ngrirë,
Si lumenjtë që nuk flenë kurrë!
Matilde!
Dashurojnë pa patur frikë,
Ata gjumë pakët mbushur me ëndrra
Janë të pacipë!,
Janë dashnorë të marrë,
Bëjnë seks me ty
Kurrë pa të parë,
Kurrë pa të prekur, krijojnë
Skena që ti fluturon në qiellin e shtatë!
Kujdes, Matilde!
Është mëkat t’ju bindesh poetëve!
Ata nuk njohin kohë,
Nuk njohin as veten në momentin kur ;
Fantazia i dërgon përgjatë trupit tënd,
Të paudhet poetë!
Hej! Matilde!
Ata krijojnë kurthe idilike
Me parqe babilonese dhe Adame të pavdekshëm,
Ata nuk e hanë mollën e pjekur
Nuk i besojnë përrallës se vjetër!
Janë të pandreqshëm…
Matilde!
Kujdes nga sytë e tyre vëzhgues,
Po të zhveshin një nga një veshjen tende
Derisa të gjejnë shpirtin e vuajtur…
Aty fillojnë e “punojnë” poetët!
Matilde!
Nëse një ditë do mbetesh e tyre viktimë,
Mos thuaj pse nuk të kisha lajmëruar!?…
Matilde!…
Askush nuk dashuron me bukur se poetët…
Prelud!…
Fletët e pentagramit lotojne mbi harkun e një violine
Gishtat luajnë mbi virtuizitetin e një valsi të lashtë
Harqet e kësaj orkestre formash magjike
Ma bëjnë xheloze dhe Xhakonden e ngrate.
Kur gishtat e mi ndjejnë tendën lëkurë
Fshehur e ngrohta pas flokëve të gjatë
Ca pika vese mbi qafë xixellijne
E lënë pas një dritë të bardhë… të bardhë.
Ashtu, si papritur ky dirigjent i çmendur,
Tërbohej duke tundur duart poshtë e lart
Përse kjo violinë zeshkane luan për qejf të vet kaq dendur
E kitarës i këputen telat një nga një?
Beethoven shkulte një nga një
Flokët e bardhë mbi tastierë
Nuk gjente dot titullin, kish një javë
Që i shfaqej në ëndërr e njëjta siluete.
Ish betuar e sterbetuar që këtë mrekulli
E kish parë, apo ëndërruar për vite me radhë
Përse nuk i kujtohej si e quanin tani
Përse e kish lënë memorja këtë natë?
Eureka! Eureka! Eureka! Thirri plot gaz
Ju kujtua një konteshe e madhe
Personifikim i duarve që qëndisin
Matilde, ish kryevepra e radhës.
Matilde – dhe luanin violinat,
Matilde – dhe ciceroninbilbilat
Matilde – dhe gumezhinin rrugët
Matilde – dhe bubullonte zemra.
Deri sa ne qytetin e lashtë
Ra nata…
Matilde!
Matilde
Në qiellin tënd sonte bie shi
Në qiellin tim breshëri thyen xhamat e kristaltë të heshtjes
Dikush në pabesi
Ta kishte prishur qejfin
Nata jote kishte fshirë dëshirën me kenë e përkëdhelur.
Mbetet, vetëm të flesh mes bubullimave
Që shpirti i nxjerr me duf!
Askush nuk e di pse krevati yt
Sonte fle i ftohtë
Ajo dorë që prisje nga larg
Mbeti e varur në hiç
Sytë hedhur mbi abazhur
Ndiqje lojën e një fluture me dritën e zbehtë.
Derisa flutura u dogj dhe ra përdhe.
Matilde!
Nuk i ndjen oshetimat e grykës përballë?
Në shtegun e mbytur nga lotët
Ky zjarr që ke brenda mbeti i vrarë.
Në natën tënde bie shi,
Në tënden nudon
Hedhin valle me mijëra sy xhelozesh
Të përpijnë me jargët mbi buzë
E ti,
E lagur ndjen ftohtë,
Neveri!
Diafragma mbyt gjoksin e plotë
… Si një flutur e djegur
Bie përtokë.
Me një pikë loti varur në sy.
Etiketa: poezi, Rovena Shuteriqi, Vjollca Aliaj