Editorial

Censurimi i Ditmirit dhe promovimi i Ervinit, na rrëfejnë Edi Ramën





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:58 - 18/06/20 |
Mapo.al

Një mbiemër i njohur, historik, si ai Bushati, vjen në dy forma të ndryshme brenda rilindjes. Teksa Ervin Bushati, deputet i Tiranës u bë viral pak ditë më parë, me një deklaratë shumë të guximshme, të çartur më saktë, kur tha se Edi Rama është dhjetra herë më mirë në performancë se Merkel e Gjermanisë dhe Conte i Italisë në kohë pandemie, deputeti tjetër, i Shkodrës, po i mazhorancës, Ditmir Bushati, thotë se sot nuk u lejua të flasë në Kuvend.


Ervinit i jepen të gjitha hapësirat që zëri i tij të kumbojë. Sepse ai lëvdon deri në çmenduri shefin e madh. Ishim mësuar të degjonim se Edi Rama qe Skënderbe, edhe Odise, por nuk e dinim se ai paska lënë pas me herës të frikshëm, kancelaren gjermane dhe kryeministrin italian.


Këtu do jemi. Ervin Bushati do të ecë përpara me rilindjen. Ai do bëhet sërish deputet.


Ndërsa, fati i Ditmir Bushatit ngjan tashmë i përcaktuar. Në fillim ikën si ministër, më pas si drejtues politik i Qarkut, më tej sulmohet nga taulantët, dhe vjen një moment që censurohet, nuk i jepet fjala në Parlament.


Me këtë ritëm, Ditmiri zor se do të jetë më pjesë e Partisë Socialiste dhe vend për të nuk do të ketë në listat e ardhëshme.

Ish-ministri i Jashtëm e hodhi në Facebook, fjalën që kishte përgatitur për ta mbajtur në foltoren e të zgjedhurve. Dhe aty çdokush kupton arsyen pse u ndalua.

Sepse, Bushati thotë se Shqipëria ka shumë kushte për të plotësuar para tryezës së parë të konferencës për nisjen e negociatave. Kushte që Edi Rama po i mohon e po u shmanget, edhe pse janë plot 15, dhe të shkruara. Edhe pse, zëra të rëndësishëm në BE dhe në Parlamentin Europian, po ja kujtojnë, po ja sjellin në vemendje, duke parë tentativat e tij për bishtnim.

Bushati ka bërë gabime dhe herë të tjera, me shigjetat ndaj qeverisë për braktisjen e socialistit të thjeshtë, për rendje pas oligarkëve, apo për humbje të identitetit.

Eshtë për të ardhur keq se ku ka përfunduar kjo forcë politike, që kishte dikur jo vetëm debat, dhe përplasje publike, ku çdokush kritikonte dhe mbante qendrimet që besonte, por, kishte garë reale, ku Nano mezi fitoi ndaj Majkos me një grusht votash.

Për paradoks, teksa vitet ikin dhe natyrshëm po krijohet distancë kohore me ish-partinë mëmë të punës, ndodhitë e sotme në PS e kanë kthyer vërtik mbrapa këtë organizatë, në ditët e liderit të pagabueshëm, për të cilin duhen thurur vetëm ditirambe. Kush mendon ndryshe, i tregohet dera. Të paktën jo litari.


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas