Aktualitet

Çështja Becchetti – Qeveria sërish në arbitrazh për gjobën 110 milionë euro














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:51 - 01/06/21 |
Nertila Maho

Në 26 maj 2021 nga pala shqiptare është regjistruar në Gjykatën e Arbitrazhit në Washington një kërkesë për korrigjimin e vendimit të mëparshëm që detyron Shqipërinë t’i paguajë Becchettit 110 milionë euro. Gjithsesi, kërkesa për korrigjim në thelb nuk ndryshon asgjë, pasi në rregulloren e gjykatës është parashikuar që gjykata me kërkesën e një pale mund të korrigjojë çështje teknike që më pas i bashkëngjiten vendimit, ose që me pak fjalë do të thotë se çdo përpjekje për të hequr gjobën është e kotë






Nga Nertila Maho
Arbitrazhet vazhdojnë të “gërryejnë” financat shqiptare ku Shqipëria po paguan miliona euro për përballjet e saj në gjykatat ndërkombëtare. Në 26 maj 2021, në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) u paraqit një tjetër kërkesë e Shqipërisë sa i takon përplasjes me investitorin italian Francesco Becchetti. Në rifreskimin që i është bërë të dhënave për këtë çështje thuhet se “Sekretari i Përgjithshëm regjistroi një kërkesë për korrigjim të vendimit për anulim të paraqitur nga Republika e Shqipërisë”.


Vetëm pak javë më parë, në fillim të muajit prill avokatët e investitorit bënë të ditur në media se tashmë gjykata i kishte dhënë të drejtë biznesmenit italian, duke rrëzuar kërkesën e Shqipërisë për anulimin e vendimit që detyronte vendin tonë t’i paguajë 110 milionë euro. Mbetet ende e paqartë se cila është kërkesa e Shqipërisë në këtë hap duke kërkuar korrigjim, por njohës të çështjeve ligjore edhe në aspektin e përplasjeve ndërkombëtare kanë shprehur se Shqipëria nuk ka gjasa që të fitojë këtë përballje dhe do të jetë e detyruar që të paguajë.







Në datën 26 maj 2021, Shqipëria kishte regjistruar kërkesën e saj për anulim në gjykatë, përmes Avokaturës së Shtetit dhe studios ligjore Wragge Lawrence Graham, Londër, Britani. Kjo është studio e parë që qeveria ka pasur të kontaktuar gjatë përballjes që pati me investitorin në vitin 2015, ndërkohë që në fazën e dytë kur u kërkua anulimi në krah të Avokaturës ishte studioja ligjore amerikane Foley Hoag. Duket se çështjet e Arbitrazhit do të kenë më shumë shpenzime në horizont pasi po në datë 26 maj Avokatura e Shtetit njoftoi në faqen e saj se po kërkonte një studio ligjore që do të bënte përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të Republikës së Shqipërisë, në një proces arbitrazhi të iniciuar para Qendrës Ndërkombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve së Investimeve (ICSID).



Të njëjtën kërkesë Avokatura e bëri edhe në muajin prill kur në vend vlonte çështja e zgjedhjeve dhe vëmendja ishte larg. Në njoftimin e datës 13 prill Avokatura kërkon një studio për përfaqësim të interesave të Shqipërisë po në (ICSID). Në këtë gjykatë aktualisht janë në vazhdim përveç çështjes së Becchettit edhe ajo me Arka Energy, e cila ka paditur Shqipërinë pas tërheqjes nga kontrata për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Akërnisë. Kompania edhe pse nuk ka dhënë publikisht detaje mbi shumën që ka kërkuar nga burime pranë saj është lakuar shifra 110 milionë euro.



Arbitrazhet, si rrezik për financat
Arbitrazhet ndaj Shqipërisë viteve të fundit janë rritur në mënyrë të dukshme. Dy nga gjashtë çështjet i takojnë vitit 2020 dhe në total, dëmshpërblimi potencial për të gjitha llogaritet rreth 450 milionë euro. Vetëm pak kohë më parë Shqipëria humbi arbitrazhin me kompanitë “Aktor” dhe “Copri”. Këta të fundit ishin ndërtuesit e dy loteve të autostradës Tiranë-Elbasan dhe përplasjet që patën me qeverinë bënë që shteti në finale të paguante 45 milionë USD.

Një tjetër çështje në vazhdim është ajo me “Dondi & Kubota” ku humbja e shtetit shqiptar llogaritet në 90 milionë euro nga të cilat vetëm 20 milionë si pretendim gjykate ndërsa pjesa tjetër lidhet me mospërfundimin e investimit. Në 23 shtator 2020, pranë ICSID, u regjistrua një tjetër çështje kundër Shqipërisë. “Kompania Durrës Kurum Shipping” dhe të tjerë paditën shtetin duke kërkuar 100 milionë euro kompensim për prishje të njëanshme të kontratës. Këtyre më pas u shtohen edhe çështja e Becchettit dhe ajo e Akërnisë që rrisin në mënyrë të jashtëzakonshme shumën potenciale që Shqipëria mund të humbasë në Arbitrazhe. /Monitor

Ankesa në arbitrazh nga Shqipëria nuk e ndryshon vendimin
Por sa mundësi ka që gjoba prej 110 milionë eurosh të pezullohet nga gjykata? “Zëri i Amerikës” iu është drejtuar ekspertëve të fushës të cilët janë shprehur se në thelb asgjë nuk ndryshon. Edhe vetë rregullat mbi të cilët funksionon kjo Gjykatë arbitrazhi, e bëjnë të qartë një gjë të tillë, duke shpjeguar se “korrigjimi i një vendimi është një mjet rregullues për mosveprimet e paqëllimshme dhe gabimet e vogla teknike në një vendim”. Ai i mundëson Gjykatës së arbitrazhit të korrigjojë gabimet që mund të jenë bërë gjatë hartimit të vendimit në mënyrë jo burokratike dhe nga nxitimi.

Këto korrigjime parashikohen në nenin 49(2) të Konventës së ICSID-së: “Gjykata, me anë të kërkesës së një pale, paraqitur brenda 45 ditëve nga data në të cilën është dhënë vendimi, pas njoftimit të palës tjetër, mund të shqyrtojë çdo aspekt të cilin ka harruar ta trajtojë në vendim, dhe korrigjon në të çdo gabim të natyrës administrative, matematikore ose ndonjë gabim tjetër të ngjashëm. Gjykimi i tij do të bëhet pjesë e vendimit dhe iu njoftohet palëve në të njëjtën mënyrë siç është njoftuar edhe vendimi”. Avokatura e Shtetit në këtë fazë asistohet nga Studio ligjore britanike Wragge Lawrence Graham, një prej katër Studiove ligjore që përfaqësuan Shqipërinë në procesin e parë kundër sipërmarrësit italian.

1


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas