Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria dhe Greqia do t’i drejtohen zyrtarisht instancave ndërkombëtare, për sa i takon çështjes së detit.
Në një konferencë të përbashkët me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, Rama tha se propaganda dhe elektorati i shpifur nuk do të ndikojnë aspak në bashkëpunimin me shtetin fqinj.
Kreu i qeverisë bëri të ditur se së bashku me ministrin grek kanë rënë dakord që pretendimi i Greqisë për të shtrirë kufijtë deri në 12 milje në detin Jon, të shqyrtohet nga instancat ndërkombëtare.
“E kam shumë të qartë që të gjithë sot i kanë veshët e hapur për të dëgjuar lidhur me pushtimin e ardhshëm që Greqia do i bëjë Shqipërisë përmes detit, por nuk do të ketë pushtet. Më vjen keq që do të zhgënjehen patriotët e detit.
Kemi rënë dakord që këtë çështje ta trajtojmë në instancat ndërkombëtare. Së bashku, Shqipëria e Greqia do t’i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare për t’i vendosur pikat mbi i në bazë të ekspertizës dhe të drejtës ndërkombëtare mbi detin”,- tha Edi Rama.
LEXO EDHE:
Dendias: Për “Detin” do shkojmë në Hagë, ligji i luftës anakronizëm